24 Janar, 2022 - 11:06 am
Aktori nga Shqipëria, Arben Shaka ka vdekur në moshën 70-vjeçare si pasojë e infektimit me COVID-19, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur shoku i tij, Ilir Çumani, duke publikuar një fotografi me të në “Facebook”.
“Lamtumirë Mik i vyer #ARBEN #SHAKA! U rrita qysh fëmijë me humorin tënd të bukur dhe të shëndetshëm aty, në Cirkun e Tiranës. Si komshi, kaluam bashkë plotë vite miqësie duke parë tek ty jo vetëm shpirtin e mirë të një artisti të jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha pashë tek ty, një Njeri me zemër të madhe, bujare dhe fisnike. E hidhur kjo ikja jote e beftë dhe e heshtur në një moshë relativisht ende të re. Do të mbaj mend gjithmonë Benin shakator, plot humor e ngazëllyes, i pafjalë dhe me pafajësinë e një fëmije, që edhe gjërat serioze i kaloje me shumë humor e sportivitet. Sa do më mungosh Mik! Të qoftë dheu i lehtë Artist i mirë….. R.I.P”, shkruhet në postimin e tij.
Shaka njihet më së shumti për rolin e tij në filmin “Cirku në fshat”, derisa ishte pjesë edhe e disa filmave të tjerë sikurse “Odiseja e tifozave” dhe “Përse bie kjo daulle”.
Gjatë viteve të diktaturës komuniste, Shaka ishte një personazh i dashur edhe për fëmijët ku ka shkruar dhe skenarë të filmave vizatimorë si: ‘ëndrra në diell’, ‘Tiktaku i fundit’, ‘Nevoja të ndihmon’, etj. /KultPlus.com