16 Mars, 2021 - 2:30 pm
Aktori amerikan, Yaphet Kotto, ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Ai njihej më së miri nga publiku për performancën e tij në filmin “Alien” dhe portretizimin e personazhit të ligë, Mr. Big, në filmin e vitit 1973 me agjentin James Bond, “Live and Let Die”, ku luajti krahas aktorit të ndjerë Roger Moore.
Bashkëshortja e Kottos, Sinahon, e konfirmoi lajmin e vdekjes së aktorit duke e postuar një mesazh emocional në rrjetin social Facebook, të martën mbrëma.
“Jam e pikëlluar dhe ende e shokuar me vdekjen e bashkëshortit tim prej 24 vjetësh. Yaphet ti në shumë filma i ke portretizuar personazhet e liga por për mua dhe shumë njerëz që të njohën personalisht, je një hero i vërtetë. Një burrë, baba dhe bashkëshort i mirë si dhe një njeri i drejtë dhe i denjë. Ishe një prej aktorëve më të mirë në Hollywood, dhe një legjendë e vërtetë mirë. Pusho në paqe i dashur. Do të më mungosh çdo ditë, miku im i jetës”.
Ende nuk është zbuluar shkaktari i vdekjes së aktorit.
Yaphet Kotto gjatë karrierës së tij filmike kishte luajtur në disa filma të njohur, si horrori fantastiko-shkencor i regjisorit Ridley Scott, “Alien”, si dhe ka luajtur krahas yllit Arnold Schwarzenegger në filmin e vitit 1987, “The Running Man”. Ai gjithashtu e portretizoi lejtënantin Al Giardello në serialin “Homicide: Life on the Street”. / KultPlus.com