18 Maj, 2020 - 3:03 pm
Fred Willard, aktori komik stili improvizues i së cilit e ka mbajtur atë aktiv për më shumë se 50 vjet, duke luajtur në filma të tillë si, “This Is Spinal Tap”, “Best In Show” dhe “Anchorman”, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.
Vajza e aktorit Willard, Hope Mulbarger, tha në një prononcim për media të shtunën, se babai i saj vdiq i qetë të premten mbrëma. Shkaktari i vdekjes së tij nuk është zbuluar për publikun e gjerë.
“Ai e ka jetuar jetën në maksimum, ka punuar gjatë gjithë kohës si dhe është kujdesur të na mbajë të lumtur deri në momentin e fundit të jetës së tij. E kemi dashur shumë atë dhe do të na mungojë përgjithmonë,” thuhej në deklaratën e Mulbargerit.
Willard rrallë ka pasur role protagoniste apo role të mëdha në filma dhe seri të ndryshme televizive. Por megjithatë, prezenca e tij në çfarëdo projekti ishte e dukshme për publikun, transmeton Koha.
Gjatë karrierës së tij, Fred Willard, ishte nominuar katër herë për çmim “Emmy” për rolet e tij në seritë: “What’s Hot, What’s Not”, “Everybody Loves Raymond”, “Modern Family” dhe “The Bold and the Beautiful”.
Vdekja e aktori vjen pothuajse dy vjet pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Mary Willard, e cila ishte 71-vjeçare. Ajo ishte dramaturge dhe skenariste televizive, e cila po ashtu ishte nominuar katër herë për çmim “Emmy”.
Pas vdekjes së bashkëshortes, Willard kishte filluar të ketë dyshime nëse do t’i kthehej ekranit sërish. / KultPlus.com