8 Nëntor, 2021 - 2:15 pm
Për herë të parë në historinë e tij, filma nga regjisore femra fituan dy çmimet kryesore të festivalit japonez që po mbahet në Tokio.
Filmi që paraqet një dramë gjysmë-autobiografike të regjisores kosovare, Kaltrina Krasniqi, fitoi çmimin kryesor në ceremoninë e filmit në Tokio, në një ceremoni virtuale, të transmetuar drejtpërdrejt nga kryeqyteti i Japonisë, kurse drama “La Civil” e regjisores rumune Teodora Ana Mihai, gjithashtu e bazuar në një histori të vërtetë, mori vendin e dytë në Tokio. Çmimet kryesore në këtë ceremoni në Japoni u zgjodhën nga një juri e udhëhequr nga ikona e ekranit francez, Isabelle Huppert.
“Pasi që mora lajmin sot në mëngjes se filmi është shpërblyer me çmimin kryesor, po bërtisja, qeshja dhe qaja nga gëzimi”, tha Krasniqi, duke theksuar se “Vera Dreams of the Sea” ishte filmi i parë i Kosovës që konkurroi ndonjëherë në Tokio. Faleminderit shumë për këtë nderim që më bëtë”, shtoi ajo, vlerësim që ka edhe shpërblimin prej 30 mijë eurove.
Për këtë sukses të filmit ka shkruar edhe The Hollywood Reporter.
“Vera andrron detin” është me skenar të Doruntina Bashës dhe me regji të Kaltrina Krasniqit, film që po vlerësohet shumë nëpër festivale të ndryshme. Premierën botërore e kishte në Festivalin e Venecias.
Filmi ka për personazh kryesor një 64-vjeçare përkthyese e gjuhës së shenjave, që jeton në Kosovë. Ajo e sfidon burrin e saj patriarkal me qëllim që të mbrojë vajzën e saj të cilën ai e ka mohuar.
Filmi “Vera Andrron Detin” me producent Shkumbin Istrefin, është bashkëprodhim i Puntoria Kreative Isstra (Kosovë), Dream Factory (Maqedoni e Veriut) dhe Papadhimitri Production (Shqipëri), dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike Kosovës, Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore dhe Qendra Kombëtare e Kinemaografisë në Shqipëri./ KultPlus.com