Version filmik “Hamilton” vjen në platformën Disney+

23 Qershor, 2020 - 11:00 pm

Është lansuar traileri i parë i versionit filmik të shfaqjes së suksesshme të Broadwayit, “Hamilton”, i cili do të lansohet në platformën Disney+.

Në rolin protagonist të shfaqjes së vitit 2016 vjen krijuesi i këtij projekti, Lin-Manuel Miranda. Ai e portretizon Alexander Hamiltonin, derisa versioni filmik i kësaj performance është xhiruar në qershor të 2016-ës në teatrin “Richard Rodgers” në Broadway.

Filmi premierën do ta ketë më 3 korrik në Disney+, transmeton Koha.

“Asnjë punë tjetër artistike në dekadën e fundit, nuk e ka pasur ndikimin kulturorë sikurse shfaqja ‘Hamilton’. Një performancë inspiruese dhe magjepsëse e cila e rrëfen një tregim në mënyrë tejet të fuqishme dhe kreative,” citohet të ketë thënë Robert A. Iger, kryetari ekzekutiv i kompanisë “Walt Disney”.

Ky version filmik i “Hamilton”-it vjen në një kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese për botën, dhe e sjellë historinë e udhëheqjes, këmbënguljes e shpresës, si dhe tregon se si fuqia e njerëzve për t’u bashkuar kundër forcave të fatkeqësisë, është e rëndësishme dhe ka ndikim pozitiv.

Edhe Lin Manuel Miranda ka deklaruar se regjisori, Thomas Kail, i cili e ka realizuar këtë version të xhiruar të shfaqjes, e ka dhënë maksimumin për t’iu mundësuar të gjithë atyre që e shikojnë filmin “Hamilton”, ta përjetojnë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme. /KultPlus.com

Të ngjajshme