27 Shtator, 2021 - 6:38 pm
Xhemile Hysenaj
Gjithçka zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejësinë në vend. Bëhet fjalë për filmin ”The Albanian Virgin” (Virgjëresha Shqiptare) i realizuar nën regjinë e Bujar Alimanit, film ky që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria e që për herë të parë do të ketë premierën botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë.
Ndër traditat tonat shqiptare, ajo më e dhimbshmja lidhet me ”Burrneshat”, me këto gra që në një moment të caktuar për arsye të ndryshme, sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës. Kjo temë, edhe pse deri vonë e pranishme në trojet shqipfolëse, nuk e kemi hasur shpesh të trajtuar në kinematografinë shqiptare. Ishte skenaristja Katja Kitendorff dhe regjisori Bujar Alimani të cilët u bënë bashkë dhe realizuan filmin që trajton pikërisht këtë temë shumë të ndjeshme për popullin shqiptar. Në një intervistë për KultPlus, regjisori Alimani ka shpalosur më shumë detaje në lidhje me rrugëtimin dhe të ardhmen e këtij filmi kaq të përfolur.
Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë.
”Bëhet fjalë për besën por edhe mosbesën. Në këtë kontekst, karakteret janë të prekshëm sepse nuk idealizohen. Shqipëria ndërkohë është futur në periudhën komuniste dhe kontradiktat janë të mëdha. Konfliktet ftohen të zgjidhen me armë, por në fund mbizotëron arsyeja dhe humanizmi”, thekson regjisori Alimani për KultPlus.
Të trajtosh një temë të tillë siç janë ”Burrneshat”, në vetëvete ngërthen një sfidë e ndoshta edhe një frikë të madhe. Edhe për regjisorin Alimani ka qenë dyshues në fillim kur i është propozuar ky projekt. ”Nuk është një temë e lehtë, pastaj është trajtuar disa herë qoftë në fiksion, poashtu edhe në dokumentare. Skenari më ka pëlqyer. Në të përfshihen shumë karaktere dhe kishte pak erë edhe nga realizmi magjik. Çdo të thotë kjo?! -Ngjarjet herë zhyten në realitet e herë duket sikur nuk kanë lidhje me të. Ky gërshetim më ka pëlqyer shumë. Në film ka doza të forta lirike dhe kjo e bën filmin më të ngrohtë pavarësisht temës së ‘nxehtë” që trajton”, shprehet tutje Alimani për KultPlus.
”The Albanian Virgin” apo ”Virgjëresha Shqiptare” ka realizuar xhirimet në dy periudha, në verën e vitit 2019 si dhe në shkurt të vitit 2020. Ndërkaq, sa i përket përzgjedhjes së kastës së aktorëve në film, Alimani ka pohuar të jetë tejet i kënaqur me punën e tyre dhe se përzgjedhja nuk ka qenë e vështirë pasi veçse ka njohur punën e shumicës prej tyre. Ai poashtu ka potencuar se kasi i aktorëve që interpretojnë në film kanë dhënë më të mirën e mundshme në lojën e tyre skenike.
Në pyetjen se a ka pasur dyshime se si do të pritet nga audienca ky film që trajton këtë temë kaq të ndjeshme, Alimani ka thënë se në çdo gjë që bën, dyshimi nisë nga niveli 0, dhe sipas tij çdo gjë është e diskutueshme. Për të ka rëndësi që shikuesit ta vlerësojnë filmin, por më e rëndësishme se kaq, për regjisorin është komunikimi me audiencë ndërmjet filmit, pasi, siç është shprehur tutje ai, nëse filmi ka arritur të përcjellë emocion, mendon se kanë bërë një punë mjaft të mirë.
”Përpara çdo hapi të shtyrë nga çdo qëllim apo situatë, të vërë arsyen qoftë edhe duke e paguar shtrenjtë. Personazhi kryesor në film sakrifikon dashurinë e jetës së saj për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend. Por kur duhet ta thellojë akoma më shumë këtë, tërhiqet dhe vë në funksion arsyen”, shprehet Alimani për KultPlus.
Filmi, për të cilën tashmë dihet se premierën botërore do ta ketë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, do të vijë si premierë edhe në Tiranë pikërisht pas përfundimit të këtij festivali. Ndërsa, përsa i përket shfaqjes së filmit edhe në Kosovë, regjisori Alimani nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë por ka treguar se nuk do të jetë e largët shfaqja e filmit edhe për publikun kosovar. Ku ndër të tjera, ka theksuar të jetë shumë mirënjohur ndaj Qendrës Kinematografike Kombëtare të Kosovës pasi është hera e tretë që kjo e fundit ka mbështetur projektet e regjisorit.
Regjisori Alimani, edhe pse karrierën e tij si regjisor e ka filluar në moshën 33 vjeçare, suksesi i tij në këtë fushë tashmë është dëshmuar, ai brenda dhjetë viteve ka realizuar katër filma të metrazhit të gjatë, filma këta që të gjithë patën premierat e tyre në festivale prestigjioze botërore.
Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi,Gezim Rudi ,Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com