15 Janar, 2020 - 6:45 pm
CHwB Kosova ju fton në prezantimin e dokumentarit “Udhëve të Argjendarëve Prizrenas” të realizuar nga Rina Geci.
Dokumentari sjell gjashtë video-portrete të mjeshtërve filigranistë nga Prizreni, ku nëpërmjet rrëfimeve dhe shfaqjes së fotografive, dokumenteve dhe video-materialit nga arkivat personale, ndiqen rrugëtimet e argjendarëve protagonistë në profesionin e tyre.
Realizimi i këtij projekti është një segment i një hulumtimi më të gjerë etnografik lidhur me zhvillimin e mjeshtërisë së argjendarisë në Prizren gjatë 100 viteve të fundit.
Dokumentari do të shfaqet me 22 janar, në ora 19:00 në DokuKino në Prizren, shkruan KultPlus.
Mjeshtrit filigranistë flasin më në detaje lidhur me këto tema:
1. Lorenc Vuçaj- Rrëfim për traditën familjare dhe Kujunxhillëkun e Prizrenit
2. Lon Seb Bytyqi- Puna në ndërmarrjen “Filigran”
3. Sadije Turtulla- Rrëfim për shkollën e filigranit
4. Viktor Lekaj- Filigrani si ekonomi familjare
5. Rafael Koci- Festa e argjendarëve “Piri i kujunxhive”
6. Lazër Rrok Lumezi – Nga filigrani tradicional te arti modern