4 Korrik, 2018 - 6:18 pm
Premiera e filmit “Një tregim Prishtine” do të jetë në kuadër të programit të filmave nga Ballkani në PRIFEST 2018, shkruan KultPlus.
Tradicionalisht, programi i filmave të Ballkanit është një nga programet më interesante të festivalit dhe njëkohësisht edhe programi më i vizituar nga publiku.
Regjisore e filmit është Burbuqe Berisha, skenari është bërë nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, producent Agron Vula, ndërsa në kastën e aktorëve janë aktorët Teuta Krasniqi, Donat Qosja, Luran Ahmeti, Artiola Hamdijaj e të tjerë.
Filmi ka në qendër historinë e Aurorës dhe Benit, të porsamartuar të cilët kanë një vajzë Fionën. Kjo familje i takon klasës së mesme të shoqërisë, por jetojnë në harmoni dhe janë shumë të lumtur.
Sfidat e tyre fillojnë kur vajza e tyre diagnostifikohet me kancer. Beni humbet punën, ndërsa ende paguan borxhin e kompanisë së tij, dhe i duhet të paguajë hipotekën e banesës së re, si dhe kredinë.
Aurora punon për një organizatë ndërkombëtare, por me pagën e saj e ka vështirë për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet, sidomos tani kur ata do të kenë nevojë për paratë për trajtimin e Fionës, jashtë vendit.
Drama familjare, drama shoqërore, si dhe korrupsioni dhe dashuria, marrin një kthesë tjetër kur Fiona është diagnostifikuar. Beni është i detyruar të bëjë gjëra që ai kurrë nuk mendonte të bënte, ndërsa Aurora nuk e kupton situatën e Benit dhe e lë atë.