14 Janar, 2020 - 3:00 pm
Warner Bros. do të fillojë ta përdorë inteligjencën artificiale (AI) për të parashikuar se sa të suksesshëm mund të jenë filmat e tyre në arkat kinematografike. Platforma do t’i mundësojë që t’i testojë rezultatet e profitabilitetit në varësi të faktorëve të ndryshëm, përfshirë distribuimin dhe datën e lansimit.
Warner Bros. Pictures International, kompani kjo e cila përfshihet në “big six” të Hollywoodit, ka nënshkruar kontratë me start-up kompaninë “Cinelytic” nga Los Angeles për përdorimin e sistemit të tyre të menaxhimit të projekteve, raporton “Hollywood Reporter”.
Kjo vegël parashikimi u prezantua vitin e kaluar dhe ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse në industrinë e filmit, shkruan KOHA Ditore. Ata pretendojnë se platforma është në gjendje të parashikojë me saktësi se sa para do t’i fitojnë nga shitjet e biletave duke përdorur të dhëna të ndryshme.
Një prej funksioneve ua mundëson producentëve të shohin se si përfshirja e aktorëve të caktuar do të ndikonte në profitabilitetin e filmit. Gjithashtu, rezulton se sistemi i rendit aktorët për nga ndikimi i tyre ekonomik në industrinë e filmit, përfshirë sipas llojit të mediave, zhanrit dhe “territoreve kyç”.
Për testimin e skenarëve mund të reprodukohen edhe skenarët e ndryshëm të distributorëve dhe publikimeve, raporton “Sky News”. / KultPlus.com