16 Mars, 2020 - 11:26 am
Ylli i dikurshëm i filmit “James Bond”, Olga Kurylenko, pas testimit ka rezultuar pozitive me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur vet aktorja, të dielën mbrëma.
40-vjeçarja e cila e portretizoi rolin e Camille Montes në filmin e vitit 2008, “Quantum of Solace”, tha se është diagnostikuar me koronavirus pasi për një javë i kishte pasur simptomat e kësaj sëmundjeje, si temperatura dhe lodhja e tepërt, transmeton Koha.
Tani, aktorja po ballafaqohet me fazën e izolimit në shtëpi, me ç’rast mbrëmë e ndau një fotografi me fansat e saj në Instagram me mesazhin, “Kujdesuni për veten dhe merreni seriozisht këtë pandemi”.
Ylli i filmit “The Death Of Stalin” e cila ka lindur në Ukrainë por tani e posedon shtetësinë franceze, ka më shumë se një dekadë që jeton në Londër. Besohet se atje është edhe duke e kaluar periudhën e vetizolimit.
“Për ta ulur temperaturën, mjekët kanë thënë të përdorë paracetamol. Dhe kështu jam duke bërë. Natyrisht, po vazhdoj të marrë vitamina për ta rritur imunitetin, si dhe po konsumojë më shumë hudhër. Po ashtu, konsumoj shumë ujë me limon. Kjo është e tëra që mund të bëjë,” citohet të ketë thënë aktorja.
Diagnoza e Kurylenkos vjen disa ditë pasi aktori, Tom Hanks dhe gruaja e tij Rita Wilson, u bënë yjet e parë të Hollywoodit që e pranuan se janë prekur me koronavirusi.
Çifti ishte dërguar në spital në Australi, ku Hanks po e xhironte një film për Elvis Presleyn, me regji të Baz Luhrmannit. Çdo person që ka pasur kontakt me dyshen e famshme gjatë qëndrimit të tyre në Australi, ishte urdhëruar të vetizolohet.
Sipas “The Hollywood Reporter”, Olga Kurylenko së fundmi i ka përfunduar xhirimet e filmit të ardhshëm, “The Bay Of Silence”. Ende nuk dihet nëse edhe dikush tjetër do të detyrohet të vetizolohet si pasojë e rezultimit të saj pozitiv me koronavirus. / KultPlus.com