25 Gusht, 2021 - 4:00 pm
Era Berisha
Frymëzuar nga një histori e vërtetë, filmi “Zgjoi” mbrëmë para publikut kosovar në edicionin e 13 të PriFest, shpalosi të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë, shkruan KultPlus.
Pak para se ora të shënonte 21:00, ishte pamja para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ajo që kapte vëmendjen e çdo kujt që kalonte pranë. Sytë e moshave nga më të ndryshmet po vëzhgonin tapetin e kuq të shtruar e në të cilën reflektoheshin dritat e kaltërta e vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrat e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’. E nën meloditë e këngëve të bendit ‘Sytë’, artdashës të shumtë po kaplonin vendin ngadalë për të mbushur komplet secilën hapësirë të shkallëve të Teatrit, një nga tre vendet në të cilat u shfaq premiera e filmit ‘Zgjoi’ i regjisores Blerta Basholli.
Tashmë kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë, e nën dritën e hënës dhe errësirës që rrethonte të pranishmit, nisi filmi në ajër të hapur.
I vendosur në fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, personazhi i Fahrije Hotit i mbushur deri në pikën e fundit me shpresë të pakrahasueshme, po jeton vërtet në një gjendje të paqartë e të mbushur me përplot dilema, një nga to mbetet edhe supozimi se burri i saj i zhdukur është mbytur apo pushkatuar. Teksa, Fahrija jeton me vjehrrin e saj i cili po ashtu shpreson se djali i tij një ditë do të kthehet, ajo përballet çdo ditë me dhimbjen e luftës civile jugosllave por të cilën nuk e shfaq para askujt deri në një moment ku ajo shpërthen dhe qan duke pranuar tashmë se ëndrra e saj në fakt është një ëndërr e pamundur.
Ndonëse, ëndrra e saj që burri një ditë do të kthehet nuk ka një rezultat në realitet, ëndrrat e tjera të saj që të ndihmonte akoma më shumë familjen e saj vetëm sa vinin e fuqizoheshin nga momenti në moment. Derisa biznesi i vogël i mjaltit të familjes së saj mezi arrinte të mbulonte disa fatura, ajo papritmas mendon të filloj të shesë ajvar shtëpiak, një ushqim me të cilin të gjithë banorët e fshatit ishin të njohur.
Regjisorja Blerta Basholli, solli para publikut një vështrim të qartë të një shoqërie patriarkale ku puna, dëshira e pasioni për të arritur diçka në jetë, në një fshat të tillë konsiderohej shenjë e mosrespektimit të burrit. Por, regjisorja, frikën, brengën e shpresën i ngërthen në një fuqi të vetme, përmes së cilës personazhi i Fahrijes arrin të realizojë edhe marrëveshjen e shumëpritur me një blerës të një supermarketi për të shitur ajvarin e përgatitur nga duart e tyre të arta.
E se si ka filluar çdo nisje e një biznesi të vogël në Kosovë, filmi e tregon këtë më së miri. Heshtja e vazhdueshme e rolit kryesor të luajtur nga aktorja Yllka Gashi, ndaj jo vetëm epiteteve të ndyra që vinin nga burrat e atij fshati, problemeve që i shkaktonin asaj për arsyen se ajo ka arrirë të ngasë një makinë, thashethemeve, sulmeve fizike, por edhe mosbesimit të shfaqur nga dy fëmijët e saj, tregon se regjisorja pavarësisht pengesave të vazhdueshme, vazhdimisht nxjerr në pah rëndësinë e arritjeve të Fahrijes të cilat janë krejtësisht natyrale e të domosdoshme për të mbijetuar pa pasur frikë deri në palcë.
‘’Zgjoi’’, një xhevahir kinematografike, përqendrimin e ka në fuqizimin e personazheve të cilat kanë një synim apo mision, e për të cilën edhe pas dështimeve të shumta, biznesi i tyre vazhdon të jetësohet tutje. E teksa këto gra vajtonin zhdukjen e personave më të dashur, për të cilët nuk dihet se ku gjenden, ato vazhdojnë të ‘lundrojnë’ në jetë po njëlloj si lundrimi i shpresave e ëndrrave të tyre, pavarësisht habisë së madhe që ka kapluar fshatin nga arritjet e tyre këmbëngulëse e të njëpasnjëshme.
Fahrija, një rol me përmbajtje të guximshme, përfaqësoi një numër të madh grash në fshatin kosovar, burrat e të cilave u zhdukën gjatë luftës e trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Kurse përpjekjet e autoriteteve për të gjetur të zhdukurit ishin tejet zhgënjyese. Zgjuarsia e Fahrijes, mbi kaloi sfidat që banorët e fshatit me një mendësi të palëkundur kishin shtruar para rrugëtimit të saj, duke fuqizuar kështu një komunitet të grave për të qenë të pavarura.
E gjithë kjo histori e ngërthyer brenda 1 ore e 24 minutave, paraqiti shfaqjen e jashtëzakonshme e shumë emocionuese të aktores Yllka Gashit dhe debutimin e rrallë të regjisores Blerta Basholli. E momentet kulminante që hynin thellë brenda shpirtit njerëzor të pranishëm, ato nga të cilat nuk ka nevojë për fjalë, ishin pikërisht shkrepjet e kamerës në një distancë të afërt ndaj gjelbërimit të pasur e ujit të kaltër, që portretizuan faktin se përmes dëshpërimit në heshtje, kjo histori intime arriti të tregojë detajet e vogla se si bletët paksa agresive qysh në fillim, rolit kryesor i kanë gumëzhuar në vesh për të ecur drejt pranimit të faktit që një ditë eshtrat e burrit të saj do të jenë në një nga ato qeset e bardha që mbërrijnë me kamionë të mbushur e ku më në fund paqja do të mbizotërojë në shpirtin e saj.
Pas shfaqjes së filmit që u shoqërua me qetësinë absolute të të pranishmëve por edhe me zhurmën e përditshme të qytetit, ishin duartrokitjet e brohoritjet e publikut që thyen heshtjen e gjatë duke mos u ndalur në asnjë sekondë të vetme. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Zgjoi’ të cilët ngadalë dolën në skenën e Teatrit Kombëtar për një fjalë rasti.
“Fillimisht, jemi shumë të emocionuar për shkak të temës. Ne po qajmë sonte e Fahrija e familjet që i kanë personat e pagjetur, qajnë çdo ditë edhe i presin çdo ditë edhe ende nuk i kanë gjetur më të dashurit e tyre”, thotë Basholli.
Sipas saj, ajo shpreson se filmi ka arritur që sado pak të portretizojë dhimbjen e tyre për arsye se ka qenë shumë e vështirë, mirëpo në anën tjetër përkundër dhimbjes që këto gra e kanë edhe sot, ato e kanë gjetur forcën që të punojnë për fëmijët e tyre e për të mbijetuar përkundër paragjykimeve, pengesave, e vështirësive tjera që i kanë pasur si gra.
“Pa këto gra, pa Fahrijen, as Krusha e Madhe nuk do të ishte e njëjtë sot, e as Kosova nuk do të ishte e njëjtë sot, as për mua e as për vajzat tjera, e as për djemtë e burrat sepse puna e tyre na ka bërë që ti perceptojmë ndryshe gratë. Për mua, Fahrija ka qenë inspirim prej ditës së parë që e kam takuar, ashtu edhe gjithmonë do të jetë”, përfundon Basholli.
Po ashtu, Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik, tregoi rreth kësaj eksperience të veçantë.
“Ka qenë e vështirë në vitin 1999 por tash Krusha ka një format krejt tjetër ku tash edhe burrat kanë nisur të bëjnë ajvar. Pavarësisht nga gjithë ajo që e kam përjetuar unë, por edhe shumë gra të tjera, Krusha tani zhvillon një ekonomi shumë të mirë” ka thënë Hoti.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Zgjoi’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli, producenti Yll Uka dhe producenti Valon Bajgora.
“Për ne është kënaqësi me qenë në PriFest në Prishtinë për të shfaqur filmin. Ne kemi kaluar shumë mirë me publikun tonë. E për çmime është shumë mirë që i kemi por tani shohim se si do të na shkojë në PriFest”, thotë Basholli.
Sipas saj, kur filmi është bazuar në ngjarje të vërtetë, përgjegjësia ka qenë shumë e madhe, e aq më tepër kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndjeshme siç është tema e personave të pagjetur në Kosovë.
“Për mua ka qenë sfidë shumë e madhe sepse Fahrija ka qenë shumë në televizion e në filma dokumentarë dhe normalisht është që të mendojmë se çka duhet të mbajmë në film e çka jo sepse duhet të përcjellësh vijën dramaturgjike. Ajo ka qenë pjesa më sfiduese sepse në kuptimin e artistikes dhe dokumentarit, ne e kemi zgjedhur një qasje dokumentareske për shkak të vërtetës, të realizmit sepse doja të kem një qasje më realiste në film edhe një qasje ku fokusohet aktrimi dhe karakteri kryesor”, thotë Basholli.
Ndërsa, producenti Yll Uka foli rreth se sa me fat është industria e filmit që arrin ti tregojë temat interesante që posedon Kosova.
“Ne jemi shumë me fat që kemi shumë tema interesante. Kritikë të filmit gjithmonë na kanë thënë se kemi tema shumë të mira që Evropa nuk i ka e sidomos Kosova. E sukseset e viteve të fundit në kinematografinë e Kosovës, pikërisht kanë qenë këto tema. Unë besoj dhe do kisha dëshirë që edhe të tjerët të punojnë sa më shumë me këto tema”, thotë Uka.
Po ashtu, producenti tjetër Valon Bajgora, tregoi përshtypjet e tij ndaj çmimeve të fituara nga një vend i vogël sic është Kosova.
“Ne jemi një popull i vogël por kemi kujtime shumë të mëdha. Kur ballafaqohemi me filma të tjerë në festivale që kanë tema të tjera, e temat tona janë tema sociale të cilat trajtojnë etapat në të cilat ka kaluar populli ynë, dhe kur arrijmë që të fitojmë çmime atëherë kjo neve na bënë shumë krenarë dhe na inkujaron që ne të vazhdojmë tutje sepse tregimet tona kanë interes”, thotë Bajgora.
Fahrije Hoti, jeta e së cilës është shndërruar në film artistik të metrazhit të gjatë nga Kosova, “Zgjoi”, me regji nga Blerta Basholli, bëri historinë duke fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV. / KultPlus.com