21 Shtator, 2019 - 3:00 pm
Dhuna ndaj gruas, sidomos kohët e fundit, është bërë një temë aktuale e vendit tonë dhe me gjerë.
Në gjithë botën, herë pas herë, janë organizuar e vazhdojnë të organizohen protesta të ndryshme që trajtojnë po këtë të temë, atë të dhunës ndaj gruas, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe, përmes një proteste të ”heshtur”, por që brenda vetes përmban një revoltë të fuqishme, një mur në një lagje të Stambollit është mbushur me këpucë grash, që simbolizojnë numrin e grave që kanë qenë viktima të dhunës.
Aty shihen rreth 400 palë këpucë, të vendosura në dy mure në lagjen Kabatash në Bejollu të Turqisë.
Këpucët përfaqësojnë gratë viktima të dhunës nga burrat e tyre dhe jo vetëm.
Autor i kësaj kauze është Vahit Tuna.
Sipas statistikave të fundit, rreth 400 gra janë vrarë në Turqi gjatë vitit 2018, ndërsa numri i grave të vrara në vitin 2017 ishte 409. /KultPlus.com