19 Shkurt, 2025 - 2:00 pm
Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit (Vithkuq) ruan afreske të jashtëzakonshme, pikturuar në vitin 1763 nga mjeshtrit ikonografë Kostandin dhe Athanas Zografi.
Këto afreske janë një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë bizantine duke reflektuar mjeshtërinë e vëllezërve Zografi.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi në rrjetet sociale pamjet mahnitëse të afreskeve të këtij manastiri, i cili është një monument i rëndësishëm i kulturës dhe historisë së rajonit të Korçës. Ndërtuar në mesin e shekullit të 18-të, kjo strukturë e shenjtë ka kishën me një bazilikë trinefëshe, e cila ka një kupolë imponuese.
Ikonostasi, i punuar me teknikën e gdhendjes së rrafshtë në dru, është një prej veprave më tërheqëse të këtij manastiri, duke përmbajtur motive floreale dhe skena të përshtatura nga jeta e fshatit.
Manastiri ka një histori të pasur, duke shërbyer si qendër e jetës kulturore dhe fetare në zonën përreth. Sot, Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit është një destinacion i rëndësishëm turistik dhe një vend i qetë për reflektim dhe adhurim për besimtarët dhe të interesuarit për historinë dhe kulturën e rajonit./ KultPlus.com