Brezovica mbulohet nga bora

12 Nëntor, 2022 - 1:15 pm

Brezovica në mes të dimrit ndrit nga bardhësia e dëborës me linjat e varg-kodrave në ngjitje ku prekin qiellin në majat e bjeshkëve të Sharrit. Paqja mbizotëron në këtë pllajë që tashmë është mbuluar nga bardhësia, duke e bërë hyjneshë në fronin e dëborës.

Me një peizazh hyjnor, gjithë dritë e bardhësi, ujëra që rrjedhin nga malet, bimësi të larmishme, përrenj dhe shtigje alpine, Brezovica është ndër më të bukurat jo vetëm në Kosovë por në të gjithë Ballkanin.

Brezovica është një nga destinacionet më të preferuara për apasionantët e turizmit dimëror, por jo vetëm. Edhe në verë natyra e Parkut Kombëtar të Sharrit është ndjellëse për adhuruesit e natyrës, sepse bora qëndron dhe në këtë stinë.

Mëngjesi i sotëm zbardhi disa pjesë të vendit në lartësi më të larta mbidetare. Brezovica tashmë është mbuluar nga bora. Po ashtu, borë ra edhe në Brod të Dragashit.

Edhe “Prishtina Weather” ka publikuar dy fotografi nga kamerat e vendosura në Brod dhe Brezovicë, e ku shihet se në mëngjesin e sotëm kanë rënë shtresat e para të borës. / KultPlus.com

Të ngjajshme