10 Maj, 2019 - 5:39 pm
Shkelja e të drejtave të autorit po shihet me përparësi nga qeveria shqiptare, e cila përmes paketës së ndryshimeve në Kodin Penal, parashikon burgim deri në 3 vjet.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë një bashkëbisedimi sot në Tiranë, me grupet e interesit mbi ndryshimet e Kodit Penal, që përfshijnë një nen mbi ashpërsimin e sanksioneve për shkeljen e të drejtave të autorit, u shpreh se Ministria e Kulturës e ka parë gjithnjë me përparësi këtë çështje dhe tani vjen me kornizë të re ligjore, që i përgjigjet kërkesave dhe nevojës së këtij sektori.
Margariti tha se, “përfshira e të drejtës së autorit në Kodin Penal, vjen si rrjedhojë e reflektimit të domosdoshëm. Kodi aktual ka disa parashikime të pamjaftueshme për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, apo riprodhimin e paautorizuar të veprës së tjetrit”.
“E drejta e autorit nuk mund të jetë e pambrojtur dhe ata që abuzojnë me këtë pasuri duhet të ndëshkohen. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu ngritjen e mekanizmave për ta bërë atë funksional në çdo drejtim”, – tha ajo.
Neni i shtuar në Kodin Penal parashikon që “shpërndarja, komunikimi në publik, shitja, ofrimi për shitje, furnizimi, eksportimi ose importimi për qëllime të tërthorta apo të drejtpërdrejta përfitimi, i veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit pa pëlqimin e autorit ose e mbajtësit të së drejtës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.
Me ndryshimet e reja, kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Përfaqësues nga grupet e interesit të pranishëm në këtë takim u shprehën në mbështetje të ndryshimeve ligjore që forcojnë masat për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe u bënë pjesë e bashkëbisedimit me propozime konkrete, për mekanizmat funksionalë të ligjit/ATSH./KultPlus.com