7 Maj, 2019 - 4:36 pm
Arben Llapashtica, fitues i garës së fotografisë të organizuar nga BERZH-i.
Kameramani, Arben Llapashtica, është shpallur fitues i garës së fotografisë të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), me bazë në Londër.
Llapashtica në këtë garë ka konkurruar me një fotografi të shkrepur në Malet e Rugovës.
“Fotografia është shkrepur nga fshati Shtupeq derisa isha në një aventurë të hikingut. Rugova është e pasur me shpella, ujëvara, liqe të ndryshme, pika të larta malore dhe tunele. Është një nga destinacionet më të mira për hiking, skijim, paraglajding dhe për piknikë”, ka thënë Llapashtica kur e ka sqaruar motivin e fotografisë së përzgjedhur në këtë garë, fotografi e cila doli të jetë fituese, raporton Koha.net.
BERZH-i, në thirrjen për pjesëmarrje në garë, ka thënë se Ballkani Perëndimor është një nga rajonet më të bukura ku kjo bankë punon. Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia veriore dhe Serbia janë përplot befasi.
Aty përmendet Nikola Tesla, si zbulues dhe matematikan serb (i lindur në Smiljan gjatë Perandorisë Austriake, tani në atë që quhet Kroaci) dhe Nëna Terezë (apo Mari Tereza Bojaxhiu), fituese e çmimit Nobel për paqe, e cila ka lindur në atë që tash njihet si Maqedonia e Veriut.
Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjës, që ishte nikoqir i sivjetmë i Takimit Vjetor dhe i Forumit të Biznesit të BERZH-it, ishte një prej qyteteve të para që kishte sistemin e vet të tramvajit.
Lord Bajroni kishte lavdëruar veshjet shqiptare në letrat dërguar nënës së tij. Ndërsa druri më i vjetër në Evropë – Stara Maslina (Ulliri i Vjetër) – rritet në Tivar të Malit të Zi dhe është mbi 2 mijë vjeç.
Fituesi i garës u shpall në bazë të pëlqimeve që kishte marrë në platformat Instagram dhe Facebook.
Kujtojmë se të drejtë pjesëmarrjeje në këtë garë kishin të gjithë pasionantët e Ballkanit Perëndimor nga mbarë bota./KultPlus.com