Fotografia që ngjalli emocione të mëdha në botë: Vajza e vogël ngushëllon nënën, kur serbët dëbuan shqiptarët

29 Prill, 2021 - 10:27 pm

Andrew Testa është një fotograf anglez që ka kapur momentet më të vështira të shqiptarëve të Kosovës, gjatë kohës së luftës në fund të viteve të 90-ta, shkruan KultPlus.

Historia dhe përjetimet e këtij vendi, e kanë përcjellur për shumë vite këtë fotograf, i cili që nga ajo kohë është kthyer shpesh herë për ta vizituar Kosovën.

Thuhet se “Një fotografi vlen sa një mijë fjalë” dhe ky fotograf ka përdorur imazhet e fotografive për të treguar historinë e njerëzve të këtij vendi, në përudhen më të vështirë.
Ai ka kapur disa momente të refugjatëve kosovar që në fund të muajit mars ishin nisur për në Maqedoni. KultPlus ju sjellë një fotografi të asaj kohe.

Kjo fotografi më shumë se gjithçka tjetër tregon fatin e fëmijëve në luftë, që mbi vete marrin përgjegjësitë dhe dhimbjen që në rrethana normale do duhej të mbahej larg syve të tyre. Në rrethanat e asaj kohë, ata bëhen personazh i fatit të dhimbshëm. Kjo fotografi paraqet një vajzë të vogël e cila shihet e ulur shumë pranë nenës së saj dhe përpiqet që ta ngushëlloj atë.
Lidhur me këtë fotografi, autori Testa kishte shkruar se fotoja është shkrepur atëherë kur refugjatët janë ndalur për të pushuar pas kalimit në Maqedoni përmes rrugës hekurudhore. Fotografia është shkrepur më 31 mars të vitit 1999.

“Ushtarët serbë i kishin detyruar ata të largoheshin nga treni dhe kishin konfiskuar pasaportat e burrave dhe kartat e identitetit. Një vajzë e re përpiqet të ngushëllojë nënën e saj”, shkruhet në përshkrimin e fotografit./ KultPlus.com

Të ngjajshme