17 Mars, 2024 - 11:00 pm
Pioneri i muzikës pop ishte i mahnitës para kamerës, aq sa ishte edhe pas një mikrofoni. Laura Studarus ka biseduar me ata që e fotografuan David Bowien.
Edhe pse muzikant me profesion, David Bowie ka lënë trashëgimi të madhe – sa vizuale aq edhe muzikore.
Kalimi nëpër zhanre – rock, funk, industrial e avangardë … – gjithmonë shënohej me imazh të ri. Stili i tij evoluues – nga alieni me flokë të kuqe Ziggy Stardust e deri tek i verbëri me kostum në kopertinën e albumit “Heathen” më 2002 – është deklaratë e fuqishme sa edhe muzika e tij, duke krijuar kështu një model për ata që mund të bëhen nesër të famshëm.
Gjatë gjithë karrierës së tij, këto ndërrime eksperimentale të personit lanë gjurmë para një kamere. Siç është dokumentuar në librin e porsabotuar, “David Bowie: Icon” – që përmban foto të yllit nga 25 fotografë të ndryshëm – Bowie e kuptonte fuqinë që fotografia kishte në botën e tij. Edhe fotografët e dinin se po bëjnë diçka të veçantë me të.
Markus Klinko, i cili disa herë e fotografoi Bowien, e përshkruan atë si një subjekt ideal.
“Ishte shumë bashkëpunues, por gjithçka niste me një ide të fortë që ai e kishte”, thotë Klinko. “Kur e sheh kopertinën e albumit ‘Heathen’, ai është njeri i verbër me sytë e zbardhur. Është ky një efekt special. Por, edhe ashtu donte që këtë ide specifike ta vinte në këndin e duhur e sytë të jenë ashtu të zbardhur. Ishte një si frymëzim i marrë nga Man Ray. E, kostumi i stilit të viteve 1940 ishte diçka që po ashtu e donte … Kur punon ndonjëherë me artistët tjerë, që janë të bukur e tërheqës, ata nuk i kanë mendimet e tij. Janë mësuar të duken mirë, pa marrë parasysh se si … Por, Bowie ishte krejt ndryshe”.
Përshtypja e Kinkos për vendosmërinë kreative të Bowiet ka jehonë te fotografët e shumtë që kanë punuar me të. Bowie ishte i qartë për imazhin e tij dhe për mënyrën se si donte ta paraqiste atë . Por, ishte po aq i zgjuar që t’i zgjidhte bashkëpunëtorët që mund ta arrinin këtë. Mick Rock ishte një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
“Nuk bënim shumë diskutime”, thotë ai. “Kjo sepse, siç mund ta shihni te të gjitha fotografitë, ai e shijonte procesin. Ai vinte të luante”.
Por, teksa Bowie e përdori aftësinë për ta treguar një histori përmes fotografëve, Janet Macoska beson se ai gjithashtu e dinte efektin që e kishte tek njerëzit. Kur e ka parë për herë të parë Bowien duke performuar më 1974, thotë se fillimisht ishte e frikësuar nga intensiteti i pranisë së tij në skenë dhe nga sytë me dy ngjyra. Por, kur më 1976 ishte në një turne që nuk i lejonte fotografët, asaj iu dha mundësia ta fotografonte skenën e tij. Në këmbim të kësaj, u lejua të futej në shfaqje e të rrezikonte ta thyente rregullin e vendosur nga menaxhmenti.
“Dilja kohë pas kohe, për të shkrepur disa fotografi, por Davidi kishte dy djem të trupmëdhenj në skenë, një në secilën anë”, kujton ajo. “Nëse do ta shihte një aparat fotografik, do të bënte me gisht dhe ata do të vinin e do ta merrnin filmin. Kështu, më zuri. E tundi dorën me një ‘jo mos e bëjë këtë, turp të kesh’! E pastaj buzëqeshi dhe i largoi ata tipat. E fotografova tërë koncertin! Ndjehesha si të isha e bekuar”
Historia e Macoskas është e zakonshme, sepse shumica e fotografëve të koncerteve i shkelin rregullat e për të bërë një fotografi të përsosur. Sidoqoftë, rrëfimit të saj i shtohet një pjesë tjetër, gjatë turneut të Bowiet me grupin Nine Inch Nails, më 1995, kur ajo mundi t’ia dhuronte një foto në kornizë nga nata kur ai e shpëtoi të mos hidhnin jashtë. Disa javë më vonë, ai u përgjigj.
“Erdhi një letër nga Zvicra e unë nuk e njihja askënd në Zvicër”, thotë ajo. “Ishte nga Davidi që u falënderua për dhuratën time. ‘Ju lus të më falni për vonesën time për t’u përgjigjur’ … Ishte diçka e mrekullueshme. Një letër e shkruar nga David Bowie, që më falënderonte për dhuratën”.
Teksa shumë fotografë e kanë fotografuar ikonën, Geoff MacCormack thjesht po i bënte foto mikut të fëmijërisë. Shoku i shkollës luajti shumë role në rrethin e gjerë të Bowiet. “Jam një mashtrues, nuk e meritoj të jem në këtë libër”, shkruan ai në parathënien e veprës, meqë më 1976 ai e kishte humbur interesimin për fotografi.
Imazhet e tij mbulojnë banalitetet e turneve. MacCormack thotë se nuk kishte skemë në punën e tij, përveç të kapte atë që kalonte para objektivit të tij.
“Kurrë nuk kam thënë: ‘Oh, më duhet të zgjohem herët në mëngjes. Nuk duhet të pi shumë sonte, se duhet të çohem herët në mëngjes për të bërë foto”, konfirmon ai.
Ai qeshet kur i thonë se Bowie ishte subjekt perfekt fotografik. “Kam foto ku nuk duket shumë mirë, kështu që nuk do t’i përdori”, thotë ai. Por, duhet cekur se MacCormack i pëlqente fotot e papërsosura, të stilit dokumentar. E, po ashtu edhe Bowie.
Pesë vjet pas vdekjes së tij, statuti i Bowiet po rritet edhe më shumë në kulturën pop.
“Gjithmonë e kam pasë një nevojë për të qenë diçka më shumë sesa njerëzor”, ka thënë dikur ai.
Fotot e lëna pas, shumë nga të cilat janë në galeri të arteve, flasin për suksesin e projektit të tij artistik. Duke e parë punën e tij, është e vështirë të kuptosh se ku mbaron ikona e ku fillon njeriu. Siç thekson Klinko, kjo është çështja!?
“Albumi i tij i fundit ‘Blackstar’, e gjithë mënyra se si u lansua, mënyra se si vdiq një ditë më vonë, e gjithë jeta e tij ishte orkestruar në një mënyrë të bukur e shumë artistike”, thotë ai. “Ai ishte shumë i vetëdijshëm për ato që po bënte” / KultPlus.com