14 Qershor, 2020 - 7:30 pm
Ungrej është një zonë shumë pak e njohur, por mjaft interesante për t’u eksploruar në Lezhë.
Natyra ka krijuar në Ungrej të Lezhës një ansambël vlerash natyrore, kulturore e historike që po kthehen një një destinacion të turizmit malor. Rruga gjarpëruese drejt majës së Kreshtës nuk mund të lihet jashtë vëmendjes, pasi ballkoni i saj thuajse në krye të rrugës jep një panoramë drejt Kallmetit dhe gjithë fushës së Zadrimës.
Tani rrugëtimi është i orientuar nëpërmjet disa tabelave ekologjike të vendosura nga Zyra e Turizmit në Bashkinë e Lezhës. Kjo është një fazë fillestare, pasi po vijohet me sinjalistikën orientuese drejt shtigjeve për t’i dhënë sa më shumë siguri vizitorëve. Këto tabela tregojnë për destinacionet historike dhe kulturore, ndërsa vendosja e shigjetave që tregojnë rrugën po vijon pasi po hartohen edhe shtigjet që përshkojnë thuajse të gjithë zonën dhe çdo vlerë të saj.
Zona e Ungrejit shtrihet në një pjesë të sheshtë ku bashkohen disa lugina të përrenjve malorë, njëri prej të cilëve është edhe përroi i Ungrejit. Nga bregdeti i Shëngjinit dhe deri në Ungrej udhëtimi zgjat rreth 50 minuta duke kaluar nga një zonë e ngrohtë në një klimë më të freskët dhe mjaft atraktive. Ky udhëtim kalon përmes fshatit Kallmet që në vetvete është një tjetër destinacion i turizmit kulturor.12 nga 15
Në anën e djadhtë të rrugës hyrëse në një faqe shpati ndodhet një pyll me gështenja, një aset për banorët e zonës.
Në afërsi të zonës së Kalurës gjendet bima e Bushit (busus sempers virens). Megjithëse është shkurre, ka një dru të ngjeshur shumë me ngjyrë të verdhë në të bardhë dhe është përdorur për punime druri artistike, llullat, pipat, krehërat për flokë, lugë për kuzhine, bosht për të tjerr lesh etj. Duke qenë luginë karateristike ka favorizuar zhvillimin e drurit të arrës e lajthizës. Janë kultivarët autoktone si gushtaku që bëhen për periudha të shkurtra.
Banorët kanë nisur të rikthehen këtyre anëve. Shtëpitë e tyre karakteristike në formën e kullave janë mjaft interesante dhe gjenden thuajse në të gjithë rrugëtimin për të eksploruar këtë zonë turistike malore.1 nga 15
Në kodrën e Sukaxhisë në fshatin Ungrej është vendi ku ka qënë kisha dhe qela e priftit. Pyjet e Planës në fshatin Kalivaç, fushat e Mdhona (e mëdha), pyjet e fshatit Zimaj, kroi i Lugjeve apo kroi Ballas janë bukuri natyrore që duhen eksploruar, ndërsa duke vijuar më tej shkohet drejt bjeshkës.
Zona ka dhe pasuri kulturore e historike qindravjeçare që tregon për ekzistencën e hershme të kësaj zone.
Kështjella e Kastrit në majën e Komlikut, mbi Fregen gjenden gjurmët e një objekti të lashtë vrojtimi. Nëse udhëtimi juaj përkon me festën e zonës Shen Mëhilli apo darkën e djathit në dhjetëditëshin e fundit të gushtit, atëherë përgatituni sepse do të jeni miqtë e tryezës së tyre të bollshme me prodhime lokale.1 nga 15
Gatimet janë tipike të zonës dhe sipas mënyrës së tyre, por janë gjithmonë me produkte lokale nga kopshti që kanë pranë shtëpisë.
Frutat e stinës do të kenë një shije të veçantë. Ato janë të shumëllojshëm por gjithmonë me vlera ushqyese të larta, kjo edhe për shkak se ato rriten në natyrë pa trajtime me elementë të jashtëm, ndaj mos u shqetësoni asnjëherë për sigurinë e tyre ushqimore.
Për t’u vizituar:
1. Kisha, në Kalivaç
2. Kështjella e Kastrit
3. Tumat në qendër të Kalivaçit
4. Lagjja “Kodër” e Kalivaçit;
5. Suka e Kastrës, në Kalivaç;
6. Kulla e Përgjonve, në Kalivaç;
7. Masivi pyjor ndërmjet Kalivaçit dhe Zimajve;
8. Hurdha e Mushkut, Kalivaç;
9. Mullini i Preng Markut, Kalivaç;
10. Kulla e Dodë Zefit, Kaftall;
11. Kulla e Pjetër Marka Ndrec Pjetrit, Kaftall;
12. Kulla e Ndue Gjin Picës, Gjobardhaj;
13. Kulla e Përpalajve, Gjobardhaj;
14. Kulla e Preng Zef Nikollit, Gjobardhaj;
15. Hurdha e Valanecës, Gjobardhaj;
16. Qela e Kashnjetit;
17. Pylli i Kishës, Kashnjet;
18. Kulla e Gjon Preng Kolës, Kashnjet;
19. Rezervuari i Kashnjetit:
20. Kodra e Fizve, Sukaxhi;
21. Kroi i Kuçajve, Sukaxhi;
22. Masivi pyjor i Qafës së Pazarit;
23. Kulla e Kolushëve, në Ungrej;
24. Qela në Ungrej;
25. Kulla e Marka Preng Dodës, në Ungrej;
26. Kulla e Gjin Lushit në Rras (Vomë);
27. Kulla e Ndue Zef Dedës, Rras (Zimaj);
28. Tumat Ilire në Kaluer;
29. Kulla e Marka Kolë Simonit /ATSH /KultPlus.com