21 Shkurt, 2025 - 6:05 pm
Koncerti kushtuar ikonës së Ansamblit Popullor, valltarit Rexhep Çeliku, u kurorëzua me duartrokitje të gjata nga publiku që tejmbushi mbrëmjes e së enjtes sallën e TKOBAP-së.
Koncerti “Kërcimtari Fluturues – Rexhep Çeliku” mblodhi artistë të shquar, familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës të valltarit. Ai erdhi si një homazh dinjitoz për “shqiponjën e valles” në skenë dhe për njeriun e thjeshtë në jetë. Përmes kësaj mbrëmjeje, u rikthyen në skenë shpirti dhe energjia që Rexhep Çeliku dhuroi ndër vite, në më shumë se tre mijë koncerte gjatë gjithë jetës së tij artistike.
Për të mbërritur në këtë koncert, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, orkestra, grupi vokal dhe solistët, grupi i valleve së bashku me solistët, punuan me mjeshtrin e valleve Genc Kastrati, si dhe artistë të ftuar, mes tyre e madhja Irini Qirjako, valltari i Ansamblit “Shota”, Besnik Grajcevci dhe këngëtarja Fiqirete Kapo.
“Artistët i mban gjallë arti i tyre, dhe Rexhep Çeliku do të jetojë për sa kohë të jehojë vallja shqipe”, shkruhet në faqen online të TKOBAP-së./atsh/KultPlus.com