6 Shkurt, 2025 - 10:30 am
Veshjet tradicionale janë simbol i kulturës dhe dëshmi e traditave shekullore të popullit shqiptar.
Një prej kostumeve më të hijshme dhe elegante është ai i grave dardhare. Në Dardhë veshja tradicionale ishte e punuar me shajak për t’iu përshtatur klimës së ftohtë, ndërsa zbukurimet e saj reflektonin identitetin e zonës.
Veshja e grave të kësaj zone karakterizohet nga fustani në ngjyrë vishnje. Materiali është prej cope të plotë, në mënyrë që kur të vishet, të qëndrojë kreko.
Fundi i fustanit është i zbukuruar me shirita njëngjyrëshe kadifeje të zezë. Në pjesën e gjoksit ai është i zbukuruar me kadife të zezë dhe oje të bardhë, e cila është e qendisur me grep ose me gjilpërë duke i dhënë hijeshi. Ky fustan ka jakë të vogël kadife të zezë.
Një element tjetër kryesor është xibuna (një lloj jeleku i gjatë) në material të trashë të punuar me vegël ose ndryshe avlemend, e quajtur shajak. Xibuna përpara gjoksit është e kompozuar me shirita ngjyrë ari dhe me motive të thjeshta. Ndërsa më poshtë anembanë si dekor ka tertir të kuq.
Përparësja, ose mësalla, kryesisht është në ngjyrë të zezë ose vishnje dhe zbukurimet në të janë me tertir të zi. Mbi përparëse vihet edhe gajtani nga beli dhe mbahet me një kapëse.
Brezi është i dekoruar me kombinime në të zezë dhe ngjyrë floriri, dhe vishet mbi mësallë.
Një element tjetër është dhe shamija. Kryesisht në ngjyrë të zezë, dekoruar me lule të ndryshme dhe në fund me thekë të bërë me gjilpërë ose me grep. Tjetër element janë çorapet, kryesisht të zeza në material leshi dhe në fund kanë motive me ngjyrë të bardhë dhe pak bojëqielli, në të cilat kombinohen disa rombe. Dhe së fundmi, kostumi plotësohet me këpucët, që kryesisht janë të zeza dhe me pak takë./ KultPlus.com