22 Qershor, 2019 - 9:17 pm
Driton Kuka duket se i është gëzuar shumë suksesit të Majlinda Kelmendit dhe Nora Gjakovës në Minks të Bjellorusisë.
Kosova ka fituar një medalje të artë dhe një të argjendtë në xhudo në Lojërat e dyta Evropiane, e që padyshim se është një moment historik.
Kelmendi u stolis me medaljen e artë, pasi në finale mposhti xhudisten ruse, Natalia Kuziutina, ndërsa Gjakova fitoi të argjendtën në përballjen ndaj Daria Mezhetskaia.
Trajneri Kuka ka postuar një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet së bashku me kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe dy xhudistët tona.
“Trepça prodhon ari edhe argjend! Majlinda e artë. Nora e argjendtë. Lojërat Olimpike Evropiane 🥇🇽🇰. Kosova mbi të gjitha …”, ka shkruar ai në Facebook e Instagram.
Kjo është medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt. /Telegrafi/