7 Qershor, 2019 - 11:41 am
Bujar Meholli
Përmes instalacionit “Rimarrje” portretet e 99 grave dhe vajzave u vendosën në monumentin e Newbornit, dhe do të qëndrojnë nga sot (7 qershor ) deri më datën 14 qershor. Kjo seri interaktive e portreteve feston forcën, këmbënguljen e kontributin e grave nëpër sektorë të ndryshëm për drejtësi e barazi, shkruan KultPlus.
20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë kosovare po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, artiste e atlete.
Në mesin e grave të portretizuara në ketë instalacion janë disa nga figurat e rëndësishme si: Vasfije Krasniqi Goodman, Atifete Jahjaga, Feride Rushiti, Jeta Xharra, Fëllanza Beqiri – Hoxha, Adelina Berisha etj.
E pranishme gjatë këtij aktiviteti ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila përgëzoi projektin të cilin e cilësoi si të domosdoshëm për rolin e gruas.
“Ky projekt është i domosdoshëm për rolin e gruas në Kosovë, rol të cilin e ka luajtur dekada me radhë dhe po inaugurohet në një moment shumë të rëndësishëm. Jemi vetëm disa ditë afër shënimit të 20-vjetorit të lirisë së Kosovës dhe ky projekt na pasqyron ne si shtet i ri. Jo rastësisht është vendosur përballë monumentit të Heroinave, që po ashtu ka rëndësinë e vet për rolin e gruas në Kosovë, për angazhimin e saj, përkushtimin, e kontributin në këto dekadat e fundit dhe kjo përfaqëson më së miri se sa ka dhënë gruaja për Kosovën sepse ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve në të cilat shteti ka kaluar, jo vetëm gjatë periudhës së rezistencës dhe luftës por veçanërisht edhe gjatë proceseve të shtet ndërtimit të Kosovës”, tha Jahjaga.
Ajo bashkëbisedoi me gratë dhe vajzat e pranishme në këtë ngjarje, derisa grupe fëmijësh bënë fotografi me të para monumentit të Ne7bornit, që gjatë këtyre ditëve do të ketë pamje të re dhe të veçantë./KultPlus.com