18 Maj, 2019 - 11:35 am
Karl Marks, është një nga ata emra që nuk mund ta përmëndësh në një tryezë, pa shkaktuar një debat të ashpër. E kundërta është e vërtetë për presidentin amerikan Abraham Linkoln, një hero i pakontestuar nga të gjithë…përfshirë edhe vetë Karlin Marks.
Ai ishte një fans i madh i Linkolnit. Marksi i shkroi Lincolnit në emër të Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, për ta uruar për rizgjedhjen e tij, dhe për ta përgëzuar për “zhdukjen e skllavërisë”. Sepse nëse kishte një gjë që Marksi e urrente, ishte puna e papaguar. “Megjithatë, mjekra juaj nuk është fort e bukur”- e mbyll letrën e tij Marksi.
Ajo çfarë është më e habitshme, është se Linkolni u përgjigj. Presidenti, udhëzoi ambasadorin amerikan në Londër t’i kthente përgjigje Marksit dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Mbretërisë së Bashkuar, duke thënë se ai ishte mirënjohës që merrte mbështetje nga “miqtë e njerëzimit dhe progresit në të gjithë botën”.
Duhet pasur parasysh se në atë kohë Linkolni kishte nevojë për mbështetjen e klasës punëtore britanike. SHBA po përballej me mungesën e theksuar të pambukut, për shkak të rrënimit ekonomik të Jugut. Dhe nëse Anglia do të thoshte papritmas:”E dini? Ishim më mirë me skllavërinë në SHBA!”, Veriu do të zhytej në telashe të mëdha.
Ndërkohë, Linkolni mund ta ketë njohur emrin e Marksit nga shkrimet e tij për “The New York Daily Tribune”, një gazetë republikane. Në fakt, Marksi ishte aq i lidhur me SHBA-në, sa po mendonte seriozisht lëvizjen për të jetuar atje. Ai aplikoi për një vizë për të emigruar në Teksas, së bashku me një turmë gjermanësh, që do shkonin atje pas dështimit të revolucioneve të vitit 1848. / bota.al