9 Qershor, 2024 - 4:00 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Fierit.
“Beso a jo, Fieri i Rilindur”, shprehet Rama krahas videos të publikuar në rrjetet sociale me pamje nga shëtitorja, ku pemët e mbjella kanë çelur lulet e tyre në fillim të verës.
Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit.
Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.
Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.
Gjithashtu plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.
Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme. / KultPlus.com