Rama ndan pamje nga liqeni i Shkodrës

9 Shkurt, 2025 - 1:30 pm

Liqeni i Shkodrës, i cilësuar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës, i cili në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025 u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.

Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin./ KultPlus.com

Të ngjajshme