26 Nëntor, 2023 - 1:30 pm
4 vjet pas tërmetit të fortë që preku vendin në orët e para të 26 nëntorit, e që la pas 51 të vdekur, me qindra të plagosur, ku mijëra familje u gjendën në rrugë, zonat e shkatërruara janë rindërtuar nga e para.
Kryeministri Edi Rama publikoi pamjet nga Thumana, zona më e prekur nga tërmeti, sot e rindërtuar nga e para.
26 nëntorin e vitit 2019, kur ora shënonte 03:54, një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi vendin tonë.
Lëkundjet e tokës, të cilat u ndjenë në disa qytete, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.
Qeveria mori përsipër rindërtimin e banesave për të prekurit nga tërmeti. Kosto e rindërtimit u llogarit mbi 1 miliardë euro.
Në zonat më të prekura nga tërmeti janë ndërtuar lagje të reja me qendra shëndetësore, shkolla dhe gjithë infrastrukturën mbështetëse.
Me përjashtim të 500 apartamenteve në Laç dhe lagjes së re në Spitallë, të gjitha banesat e tjera janë ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit.
Më shumë se 200 mijë qytetarë u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe 17 mijë njerëz u zhvendosën për shkak të humbjes së shtëpive të tyre. / KultPlus.com