4 Tetor, 2019 - 6:32 pm
Bajram Mjeku, ka publikuar një foto në llogarinë e tij personale në Facebook, ku shfaqen shqiptarët në varfëri të skajshme.
Fotoja është e realizuar me datën 4 Maj 1913 dhe zë vend në Prishtinë, ku protagonistë janë shqiptarët dhe dy xhandarë serb, shkruan KultPlus.
Statusi i plotë i Mjekut:
”Shqiptarët e uritur
Në maj të vitit 1913, bankieri francez dhe filantropi Albert Kahn vizitoi Kosovën, e cila sapo doli nga Perandoria Osmane dhe hyri nën okupim të ri të Mbretërisë serbe.
Askush më shumë se kjo fotografi e realizuar më 4 maj të vitit 1913 në Prishtinë, nuk dëshmon për mjerimin tonë. Shqiptarë të leckosur dhe të uritur, janë të “shoqëruar” edhe nga dy xhandarë serbë, të cilët janë dëshmia më e mirë e kërcënimit të radhës.
Fotografia mund të jetë realizuar në Qarshinë e Prishtinës, aty ku sot janë objektet e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të cilën regjimi komunist e pati rrënuar në fund të viteve ’60-të me moton: “Shkatërroje të vjetrën, ndërtoje të renë!”.
Në koleksionin e filantropit Albert Kahn, gjenden 94 fotografi me motive nga Kosova. Kahn veç Prishtinës, vizitoi edhe Prizrenin, Graçanicën e Lypjanin.
Fotografia është realizuar sipas sistemit të parë fotografik në botë me përdorim të thjeshtëzuar, i cili atëbotë quhej “true color”. /KultPlus.com