Ekspozita lëvizëse “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar, u çel pasditen e djeshme në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Ekspozita fotografike “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” solli për vizitorët 60 fotografi të realizuara nëpër qytete dhe fshatra të Shqipërisë nga oficerë e ushtarakë austro-hungarezë. Nëpërmjet fotografive paraqiten aspekte nga jeta e përditshme ekonomike dhe shoqërore e shqiptarëve të atyre viteve.
Tematika e fotografive të ekspozitës është e ndryshme. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur fotografi nga qytetet e mëdha të Shqipërisë, 15 fotografi nga Tirana, 14 fotografi nga Shkodra, 2 fotografi nga Berati, 2 fotografi nga Fieri, 2 fotografi nga Durrësi dhe një fotografi nga Vlora. Ata kanë realizuar fotografi nga jeta e përditshme.
Në to gjejmë fshatarë me veshje popullore, por edhe zotërinj fisnikë si Prenk Bibë Doda nga Shkodra. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe fotografitë familjare siç është familja e Osman Beqirit nga Peqini. Fotoreporterët austro-hungarezë kanë shkrepur 4 fotografi nga Peqini, 2 fotografi nga Kruja, një fotografi nga Rrogozhina etj.
Të gjitha fotografitë janë realizuar gjatë viteve të administrimit austro-hungarez të Shqipërisë 1916-1918. Ky administrim politik, ushtarak e kulturor përvijoi impakte të shumta në sendërtimin e mëvonshëm të shtetit shqiptar, duke pasqyruar zhvillime pozitive në aspektin e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimimit si edhe në jetën social-politike të Shqipërisë së pas Luftës së Parë Botërore.
Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Arkeologjik të Durrësit, Alban Ramohitaj, në praninë e qytetarëve të shumtë të Durrësit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 09 korrik 2019 në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit.