2 Shkurt, 2022 - 8:21 pm
Uranik Emini
Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.
E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.
E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.
“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.
Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.
“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.
“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.
Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.
“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.
“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.
Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com