Balerina e gjeneratës së dytë në BKK, Sabrije Spahiu: Momenti më i rëndë, largimi me dhunë nga teatri në kohën më të artë krijuese

30 Dhjetor, 2024 - 11:00 am

Flonja Haxhaj

Në botën magjepsëse të artit të lëvizjes, emri i Sabrije Spahiut zë një vend të veçantë. E lindur në Mitrovicë më 1960, Spahiu do të niste që në moshë të re rrugën drejt baletit, rrugë kjo që që u shoqërua me shumë punë, sakrificë dhe mbi të gjitha, me ndjenjën e mohimit e të ndalimit, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, Sabrije Spahiu ka shpalosur mes emocionesh momente të rëndësishme të karrierës së saj, duke përfshirë sfidat e të qenit ndër artistet e para shqiptare në këtë fushë dhe ndikimin që arti i baletit ka pasur në jetën e saj. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë artistike dhe rolin që ajo vetë ka luajtur në krijimin e një baze të fortë për brezat e rinj të artistëve kosovarë.

Lidhja e saj me baletin filloi në qytetin e saj të lindjes, Mitrovicë, një qendër kulturore dhe artistike që ka nxjerrë emra të shumtë të artit shqiptar.

“Mitrovica ka qenë qendër e kulturës, dhe natyrisht, kjo ka ndikuar në zhvillimin tim si artiste. Hapat e parë të baletit i mora pikërisht aty, kur në vitin 1972 u hap një studio baleti, dhe aty filloi gjithçka. Fillimisht ishte një dëshirë e një fëmije, por kurrë nuk e mendoja se baleti do të bëhej pjesë e pandashme e jetës sime,” tregon Spahiu.

Ajo kujton momentet e para të përballjes me artin e baletit me një emocion të veçantë. Ishte e vetmja shqiptare në studion e baletit dhe momenti kur veshi këpucët e baletit, iu duk sikur po fluturonte. “Më kujtohet se në shtëpi njihesha si balerina e shtëpisë dhe gjithmonë duhej të improvizoja ato që mësoja në studio. Për familjen time, kjo ishte diçka e jashtëzakonshme”, thotë Spahiu, teksa ndan kujtimet e fëmijërisë dhe kontaktin e parë me baletin.

Kushtet dhe rrethanat e asaj kohe në Kosovë, në mungesë të një dege të veçantë të baletit, e detyruan atë që studimet drejt përsosmërisë së këtij arti, t’i vazhdojë në Qendrën e Baletit dhe Operës në Shkup. U diplomua në vitin 1978, me temën mbi “Vallëzimin e Karakterit Botërër dhe Vallëzimin Historik”, moment ky që do t’ia jepte fillesën e një karriere të ndritur, të bazuar në themele të forta profesionale.

“Gjatë studimeve të mija në Shkup, përveç lëndëve të tjera, i kemi pasur edhe pesë lëndë profesionale ku të gjithë valltarët dallohen me diçka. Profesorët e kanë vërejtur që jam më shumë valltare karakteri dhe në karakterin botëror mësohen të gjitha vallet karakteristike të botës. Unë kam qenë soliste në një valle moldave, pastaj edhe në vallet historike siç janë minuetat. Ndoshta për shkak se jam përshtatur më shumë këtij karakteri, edhe profesorët më kanë propozuar që të përzgjedh këtë lloj teme”, tregon Spahiu, teksa flet për temën me të cilën u diplomua.

E zhytur nën petkun e melankolisë dhe nostalgjisë që kujtimet e asaj kohe i dhanë, Sabrije Spahiu rrëfen se ndonëse periudha kur ajo vendosi t’i përkushtohej artit të baletit mund të kishte shoqëruar paragjykime, nuk e ka ndjerë kurrë peshën e tyre. Përkundrazi, ajo kujton me krenari se si vendimi i saj është pritur me admirim dhe mbështetje nga të rinjtë e asaj kohe.

“Unë nuk e kam ndjerë ndonjëherë idenë e paragjykimit, madje ishte e kundërta, jam parë me shumë admirim nga shumë të rinj dhe kam ndjerë përkrahje pothuajse nga të gjithë,” tregon ajo.

Gjithashtu, ajo përmend edhe vështirësitë gjatë shkollimit në Shkup, ku plani mësimor zhvillohej në gjuhën maqedonase dhe integrimi në një shoqëri të re paraqiste një sfidë më vete. Në një moment dëshpërimi, kur ishte gati të dorëzohej, ishte këshilla e babait të saj që e frymëzoi dhe i dha forcë të vazhdonte.

“Ai më tha, ‘Ti duhet ta mbarosh, edhe atë me sukses, sepse ne duhet ta bëjmë shtetin, t’i kemi të gjitha profesionet’”, tregon ajo, duke shtuar se këto fjalë u bënë udhërrëfyese dhe jo vetëm që përfundoi me sukses këtë fazë të rëndësishme të edukimit të saj, por edhe kontribuoi në ndërtimin e një tradite artistike që sot është burim frymëzimi për brezat e rinj.

Pas studimeve, në vitin 1979 Sabrije Spahiu iu bashkua Teatrit Popullor Krahinor të Prishtinës, një periudhë plot sfida për artin dhe kulturën kosovare. Megjithatë, kjo nuk e ndaloi pasionin e saj.

“Në atë kohë, trupa e baletit nuk ishte e kompletuar, luheshin disa kolazhe, por jo ndonjë shfaqje shumë e madhe. Në vitin 1979 ju bashkëngjita trupës dhe për fat të mirë u dha edhe baleti i parë në skenën e teatrit e që ishte ‘Halili dhe Hajria’, e kjo ka qenë diçka madhështore për mua.  Njëkohësisht, kjo shfaqje na dha edhe vulën e e rrugës, të vazhdojmë më tutje. Ishte një balet shumë i vështirë, me pesë akte dhe teknikisht ishte shumë i vështirë, por punuan shumë koreografët, e ajo na dha  jetë për të vazhduar përpara”, tregon Spahiu.

Kur kujton përvojën e saj në baletin “Halili dhe Hajria”, Sabrije Spahiu shprehet me emocion: “Është një kujtim i jashtëzakonshëm, kujtim jetësor, sepse ne i njihnim gjithë baletët botërorë, por baleti shqiptar ishte diçka e veçantë për neve, se lidhej shumë me kulturën tonë, me karakterin. E njëjta ndjenjë ishte edhe në rishfaqjen e këtij baleti në 50-vjetorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, edhe më madhështore për shkak të trupës më të madhe të baletit,” përfundoi ajo

Gjatë karrierës së saj, Spahiu ka interpretuar shumë role, por disa prej tyre kanë mbetur të paharrueshëm. “Një ndër rolet që më ka pëlqyer më shumë ishte ai te ‘Bukuroshja e Fjetur’. Kam luajtur gjithashtu edhe role djemsh, në mungesë të balerinëve të rinj, që ishte shumë interesante për mua. Një rol që kujtoj me ëndje është roli i Gjonit në shfaqjen ‘Piter Pan’. Por një nga momentet më të vështira ishte kur roli kryesor i nuses në një shfaqje u ndërpre para premierës për arsye të okupimit serb,” rrëfen ajo.

“Ka qenë shumë e vështirë, sidomos për mua, sepse isha në moshën 32-vjeçare, në kohën kur kisha mundësi që më së shumti të jap për artin dhe aty ndërpritet gjithçka dhe ishte një dëshpërim i jashtëzakonshëm sepse është baleti një art që nuk mund ta mbash pa ushtrime çdo ditore edhe pse ne bëmë përpjekje maksimale që ta mbajmë gjallë, megjithatë, ishte e pamundur që të vazhdohet më tutje”, shprehet Spahiu duke rrëfyer dhimbjen që la pas periudha e okupimit serb, teksa ajo ishte në periudhën më të artë skenike.

Për Sabrijen, periudha e okupimit serb ishte një nga sfidat më të mëdha si artiste, mirëpo pavarësisht kësaj, ajo rrëfen se u riktheyen pas shumë përpjekjeve. Baleti u rikthye me shfaqjen ‘Fylltari’, e kjo sipas saj është e gjitha meritë e Ahmet Brahimaj.

 Pas largimit nga teatri në vitin 1992, Sabrije Spahiu mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Komiteti i Helsinkit në Stokholm, ku ndau përvojat e saj dhe dhimbjen e artistëve shqiptarë gjatë atyre viteve të vështira.

“Në vitin 1995, pas largimit nga teatri, mora një ftesë nga Komiteti i Helsinkut në Stokholm për të folur për situatën kulturore në Kosovë dhe aty gjatë bisedës kur e sheh, kur del jashtë dhe e sheh se ku ka arritë bota dhe ti kur je i ankohesh për punën tënde elementare ishte e dhimbshme dhe shpërtheva në vaj, e kjo la përshtpje shumë të fortë tek organizatorët. Gjatë fjalimit u shpreha se unë sot do të doja të isha mysafire e skenës dhe fatkeqësisht jam mysafire e tavolinës. Kam menduar se arti i lëvizjes është arti më i fuqishëm njerëzor, por ne largohemi vetëm pse jemi shqiptarë, e kjo la impakt të fortë tek ata”, tha mes emocionesh Spahiu.

Sabrije Spahiu, së fundi pati edhe shfaqjen përshëndetëse me rolin e nënës në shfaqjen ‘Arrëthyesi’. Ajo shprehet se ky ishte një moment tejet i veçantë i karrierës së saj, dhe sigurisht, falënderoi drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, që sipas saj dha një shembull se si duhet vlerësuar puna e një figure që ka kontribuar shumë për një institucion.

“Kur më telefonoi Sinani që unë të luaja rolin, u habita, ndonëse roli i nënës nuk ishte teknikisht shumë i vështirë dhe e pranova. Vërtet ishte një ndjenjë shumë e mirë, me një provë 10-ditëshe, luajta më pas në premierë. Vërtet e ndjeva veten në rolin e nënës, sepse të gjithë balerinët u gëzuan shumë dhe më trajtonin si të tillë, një ndjenjë e jashtëzakonshme, e për këtë e falënderoj shumë Sinanin. Më erdhi shumë mirë sepse sot njerëzit po largohen nga institucionet pa përshëndetje”, tha mes tjerash ajo.

Sot, Sabrije Spahiu ndjen krenari për trashëgiminë që ka lënë në baletin kosovar dhe vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e talentëve të rinj përmes studios së saj të baletit. Kjo studio ka tash ed 22 vite në funksion, e që sipas Spahiut, më shumë ka qëllim që të krijojë një njësi mbi këtë art fisnik se sa të zbulohen talentët e rinj.

“Pas hapjes së shkollës së gjeneratës së parë, nuk ishim të gjthë të angazhuar sepse ishte vetëm një paralele dhe unë e pashë të nevojshme që ta hapi vetë një studio. Fillova me studion e parë. Me studio është më vështirë të punohet sepse nuk ka seleksionim dhe të gjithë ata që e duan baletin mund të bëhen pjesë. Fillova e para dhe të them të drejtën programet tona kanë qenë shumë origjinale. Ndër vite kemi pasur edhe paraqitje të shumta, ndër to është edhe shfaqja ‘Thirrja për paqe’ që edhe sot e asaj dite e kam në repertor. E vërteta është se jo të gjithë kanë talent apo do të bëhen balerinë, mirëpo rëndësi ka që të krijohet ndjesia e këtij arti fisnik, elegant e domethënës.”

Gjithashtu, ajo vlerëson lart potencialin e trupës së baletit, megjithatë sipas saj, institucionet duhet të punojnë më shumë në infrastrukturën e baletit.

“Është e ditur që Kosova ka shumë talentë, megjithatë e gjitha kjo varet edhe prej institucionet tona, se sa po punojnë ato për këtë trupë të baletit. Trupa jonë e baletit nuk ka një sallë adekuate, bëjnë provat sa një vend sa një vend tjetës. U bënë 25 vite që kur u kthye funksioni i teatrit dhe sot nuk e kemi një teatër të operës së baletit. Ka ide, por asnjëra nuk po përkthehet në praktikë.  Megjithatë kjo gjeneratë ka një potencial shumë të fortë, megjithatë e gjitha varet nga infrastruktura”, pohoi Spahiu, duke shtuar se sot patriotizëm është që të krijosh kushte për artin.

E krejt në fund, Sabrije Spahiu ka një mesazh të qartë për brezat e rinj: “Shfrytëzoni potencialin tuaj rinor sa më mirë që të jetë e mundshme dhe mos e lini pasionin të zbehet përballë sfidave. Arti është një thesar që duhet kultivuar dhe mbrojtur./KultPlus.com

Të ngjajshme