29 Shtator, 2017 - 3:30 pm
Regjisori Bekim Lumi njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”. Tashmë është rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku po punon për vënien në skenë të shfaqjes “Arturo Ui”. Në një intervistë për KultPlus, Bekim Lumi tregon se në këtë shfaqje, për shkak të aktualitetit, të universalitetit e të paraleleve të çuditshme, sa ndodhitë po aq edhe personazhet e saj mund të kontekstualizohen më shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. “Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende me shumicë në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit”, thotë ndër të tjera regjisori, i cili vazhdon të thotë se të tillë i kemi me shumicë, sidomos në politikë dhe në krim, aty ku ata janë së bashku. Arturo Ui tek Bekim Lumi do të jetësohet nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, ndërsa kjo shfaqje përpos aktorëve në skenë do të sjellë një numër të madh artistësh nga fusha të ndryshme.
Sarandë Selimi
KultPlus: “Arturo Ui”, me tekst të autorit gjerman Bertolt Brecht, do të jetë shfaqja më e re në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku ky tekst do të inskenohet nga ju. Krejt si fillim, na tregoni pak për ndjesinë që e keni duke u rikthyer në teatër me një premierë tjetër pas dy vitesh?
Bekim Lumi: Thjesht, ndjehem mirë. Kjo është një nga ato ndjesi të këndshme, që të krijohen kur je në shtëpinë tënde, aty ku i njeh mirë, deri në cikërrima, të gjithë njerëzit dhe të gjitha gjërat dhe ku, për shkak të natyrës së punës, për shkak të afërsisë fizike dhe emocionale, me aktorët mund të sillesh si në një familje, apo si në shtëpinë tonë të përbashkët, e cila quhet teatër. Natyrisht, ndjehem, gjithashtu, i ngarkuar dhe nën trysni për shkak të përmasave, të kompleksitetit e të barrës së madhe të kësaj shfaqjeje, krijimi i të cilës kërkon kohë, durim, guxim, kreativitet dhe përkushtim të gjithanshëm.
KultPlus: Të flasim pak për përrallën e shfaqjes “Arturo Ui”. Çfarë përmban ajo?
Bekim Lumi: “Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.
KultPlus: Çka ishte ajo që ju mori me vete apo që ju bëri më shumë përshtypje tek ky tekst?
Bekim Lumi: Thjeshtësia dhe thellësia e dialogut, mjeshtëria me të cilën janë krijuar personazhet (sidomos kryepersonazhi Arturo Ui), aktualiteti dhe universaliteti i ngjarjeve, paralelet e çuditshme me shumë nga ndodhitë e pasluftës e këndej në Kosovë, si dhe mundësia që mbi një tekst të këtillë kaq të veçantë ta krijosh një shfaqje të madhe, të gjitha këto, pra, ishin të mjaftueshme për ta tërhequr vëmendjen time krijuese. Si një tekst i shkruar nga një dramaturg dhe regjisor i shquar i teatrit, “Arturo Ui”, si me fabulën ashtu edhe me personazhet e tij, e ruan gjithmonë freskinë, universalitetin dhe aftësinë për komunikim me lexuesit, me krijuesit dhe me spektatorët e teatrit. Sa ndodhitë po aq edhe personazhet e kësaj drame, përmes leximit, përjetimit dhe trajtimit regjisorial, mund të kontekstualizohen me shumë nga rrethanat dhe episodet tragjikomike politike e historike në Kosovën e pasluftës e këndej. Për fat të keq, kipcin e gangsterit dhe të kriminelit Arturo Ui e të vetave tjera të kësaj drame i gjejmë ende në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Të tillët i kemi me shumicë sidomos në politikë. Në politikë dhe në krim. Ata janë aty së bashku. Ndoshta një arsye më shumë për vënien në skenë të këtij teksti është edhe kjo. Natyrisht, edhe fakti që “Arturo Ui” nuk është inskenuar deri tani asnjëherë në asnjërin nga teatrot tona në Kosovë. Si i tillë, jetësimi i kësaj shfaqjeje ka më shumë se veç domethënie artistike për mua dhe për Teatrin Kombëtar të Kosovës.
KultPlus: Roli i Arturo Ui-së është një nga kryerolet e mëdha antologjike të dramaturgjisë botërore. Kujt ia keni besuar këtë rol?
Bekim Lumi: Personazhet antologjike të kësaj drame, të tillë si gangsteri Arturo Ui dhe vartësit apo të nënshtruarit e tij, gangsterë, politikanë, tregtarë, kriminelë, prostituta, ndërmjetësues (sekserë), viktima etj, që të gjithë këta janë karaktere të gdhendura me mjeshtëri dhe që, si të tillë, me veprimet e tyre dhe ndodhitë nëpër të cilat kalojnë, e formësojnë mozaikun e plotë të karrierës dhe të historisë së bujshme e të dhunshme të një gangsteri politik e të bandës së tij. Vënia në skenë e kësaj shfaqjeje është gjakim i çdo regjisori me pretendime të mëdha artistike. Ndërkaq, për shkak të natyrës impulsive, të ngjyrimeve të tij emocionale, të origjinalitetit e të përmasave që i ka, roli i Arturo Ui-së është ëndërr e çdo aktori. Por, jo secili aktor mund ta luajë këtë rol. Jo rastësisht, kryerolin e këtij gangsteri ia kam besuar aktorit të talentuar, Bujar Ahmeti, me të cilin që prej disa vitesh kam punuar edhe në disa shfaqje tjera. Ai i ka të gjitha cilësitë e nevojshme, qofshin ato të lindura, të formësuara apo profesionale, për ta krijuar dhe luajtur këtë rol. Ndërkaq, personazhet e tjera, dytësore apo tretësore, luhen nga disa aktorë të tjerë të njohur të skenës tonë teatrore, si dhe nga disa aktorë të tjerë të rinj.
KultPlus: Ju i keni filluar provat që prej disa ditësh. Si kanë qenë këto ditë me aktorët?
Bekim Lumi: Ashtu si çdo fillim, ditët e para të provave po i përdorim për t’u njohur me rolet dhe me fabulën e shfaqjes, me analizën e gjithanshme të tekstit dhe me aspekte të tjera të natyrës krijuese e artistike, por, gjithashtu, edhe me vlerësimin e cilësive, kapaciteteve, afiniteteve dhe mundësive të aktorëve për t’i përvetësuar dhe interpretuar sa më mirë këto role. Unë nuk jam regjisor i frazeologjisë boshe, i pseudoanalizave e i teorizimeve të kota. Përkundrazi, jam regjisor i veprimit konkret e i asociacioneve të drejtpërdrejta. Po përpiqem që këtë energji dhe këtë përvojë krijuese ta transmetoj dhe ta zbatoj edhe në punën e tanishme me aktorët e kësaj shfaqjeje. Në shërbim të krejt kësaj, gjithashtu po përpiqem që, me sqarimet, indikacionet, këshillat, kërkesat dhe idetë e mia, të krijoj atmosferë sa më të përshtatshme për frymëzimin e aktorëve dhe për prova kreative.
KultPlus: A mund të na tregoni diçka më shumë për përzgjedhjen e ekipit prapa skene, apo të bashkëpunëtorëve tjerë kreativë në këtë shfaqje?
Bekim Lumi: Krahas aktorëve, bashkëkrijues të kësaj shfaqjeje do të jenë edhe disa artistë të fushave tjera artistike. Një nga këta është kompozitori dhe dirigjenti Hajrullah Syla, si dhe disa muzikantë (instrumentistë), të cilët do të performojnë në këtë shfaqje. Pjesë përbërëse e ekipit kreativ është edhe skenografi, piktori dhe animatori Mentor Berisha. Me kompozitorin dhe me skenografin jam duke punuar vazhdimisht. Zgjidhjet, gjetjet dhe kreacionet artistike muzikore dhe skenografike, për të cilat po punojmë bashkërisht, do të fillojnë të zbatohen gjatë provave në skenë. Në ndërkohë, pas përcaktimit për zgjidhjen përfundimtare skenografike, do të përcaktohem edhe për kreatorin e kostumeve. Zgjidhjet skenografike, përkatësisht forma, madhësia, ngjyrat dhe aspektet tjera të natyrës funksionale, figurative e metaforike të skenografisë, do të ndikojnë shumë edhe për përcaktimin e kostumografisë. Një formacion tjetër plotësues i shfaqjes mund të jenë edhe disa balerinë dhe një koreograf, i cili do të merrej me kreacionet koreografike të shfaqjes. Por, puna me këta të fundit mund të fillojë në një fazë të mëvonshme krijuese, përkatësisht atëherë kur së bashku me aktorët ta nënshtrojmë dhe ta përvetësojmë plotësisht materien tekstuale të shfaqjes.
KultPlus: Dhe për fund, kur planifikoni të dilni me premierë?
Bekim Lumi: Meqë bëhet fjalë për një shfaqje të madhe, me një numër të madh jo vetëm aktorësh por edhe artistësh të fushave tjera, kjo shfaqje kërkon kohë dhe durim. Vetë përmasat e shfaqjes dhe natyra e saj komplekse kërkojnë prova dinamike, gjurmim artistik dhe krijim intensiv, por edhe kujdes dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për sendërtimin e saj. Unë njihem si regjisor i cili shfaqjet e tij, sidomos ato me karakter eksperimental, i krijon në një periudhë më të gjatë kohore, madje deri në një vit apo më shumë. Ndërkaq, kur është fjala për shfaqjen “Arturo Ui”, meqë bëhet fjalë për një shfaqje e cila është produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës, për shkak të natyrës së punës në këtë teatër, ajo do të punohet pak më shpejt. Krahas punës artistike, çdo gjë do të varet edhe nga aspektet e tjera të natyrës teknike. Nëse gjithçka shkon si duhet, shfaqja mund ta ketë premierën e saj diku pas tre muaj provash, apo më së largu në gjysmën e parë të dhjetorit të këtij viti./ KultPlus.com