28 Korrik, 2017 - 4:47 pm
Fotografitë: Ilir Rizaj
“Hollywood World Magazine” para disa ditëve ka bërë përzgjedhjen e dhjetë restoranteve më të mira për momentin në Evropë. Kjo renditje është bërë në bazë të restoranteve më të vizituara, cilësisë, mikpritjes e shumëllojshmërisë së kuzhinës. Në këtë listë ndodhen restorantet në Paris, Londër, Berlin, Athinë, por nuk mungojnë edhe në Prishtinë e Tiranë. Në vendin e tretë është renditur restauranti “Mullixhiu” në Tiranë, vend ky ku ju pret kuzhinieri i talentuar shqiptar, Bledar Kola. Ky restorant i cili është hapur në mars të vitit 2016, është njëri ndër më të mirët në vend, duke ofruar ushqim shumë të mirë. Bledar Kola, kryekuzhinieri i talentuar i restaurantit ‘Mullinxhiu’ ka shpalosur në një intervistë për KultPlus shumë gjëra rreth restaurantit të tij dhe veçantisë së gatimit. Ai ka folur rreth rëndësisë së ushqimit tradicional i cili sipas tij ka filluar të pakohet, sepse në trend ka hyrë kuzhina evropian. Ky restaurant është një koncept unik që integron mullinj të vërtetë, enët novatore që riinterpretojnë kuzhinën shqiptare me dashuri dhe respekt të madh.
Restauranti i juaj është renditur në mesin e dhjetë restauranteve më të mira në Evropë, çfarë ndjesie ju sjellë ky vlerësim?
Bledar Kola: Renditja në atë listë, për ne si Mullixhi është një përgjegjësi shumë e madhe dhe ne duhet të punojmë më shumë seç kemi punuar dhe të perfeksionohemi në çdo lloj forme për të arritur pritshmërinë e miqve tanë.
Emri i restaurantit që e udhëhiqni, është “Mullinxhiu”, na përshkruani fillimisht emërtimin e këtij restauranti?Bledar Kola: Mullixhiu është një rest i vogël i cila ka 10 tavolina, kemi 3 mullinj guri me korent ku bluajmë 5 lloje drithërash si elb, grurë, tërshërë, thekër dhe misër dhe me këto miellra bëjmë bukën, domethënë një pjesë e vogël e hapësirës është dyqan ku shërbejmë prodhimet e bukëve dhe lakrorëve.
Edhe interieri i këtij restauranti qëndron shumë afër emërtimit, sa të përmbushë krejt kjo ndërlidhje, duke pas parasysh se ky restaurant nuk gjendet në ndonjë vend më të thellë të Shqipërisë, por pikërisht në mes të Tiranës?
Bledar Kola: Traditat tona janë një vlerë e cila duhet vënë në qendër të vëmendjes dhe ruajtur me dinjitetin më të madh dhe prandaj e kemi vendosur Mullixhiun pikërisht tek zona më e pasur e Tiranës. Dashuria thonë se vjen nga stomaku, kjo është e vetmja mënyrë për të rregulluar imazhin e Shqipërisë në rangun ndërkombëtar dhe për të fituar dashurinë për këtë vend kaq të bukur dhe me vlera. Kartëvizita që kemi formuar në rangun ndërkombëtar është mikpritja.
Dhe çfarë nga ushqimi tradicional ofrohet në këtë restaurant?
Bledar Kola: Tek ‘Mullixhiu’ shërbejmë një kuzhinë tradicionale të azhurnuar le të themi, duke sjellë receta të vjetra në kohë me produkte të stinës dhe lokale. Duke filluar nga brumërat deri tek mishi, rosnicat, petkat, dromsat, mishi i kecit e shumëçka tjetër.
Po ndonjë ushqim që karakterizon punën e juaj, dhe që nuk mund të shijohet në ndonjë lokal tjetër?
Bledar Kola: Ne kemi një karakter në përgatitjen e gjërave dhe tre mullinjtë na bëjnë unik, por nuk mund të themi që nuk munden t’i gjeni në ndonjë restaurant tjetër.
Në mesin e dhjetë restauranteve më të mira në Evropë, është përfshirë edhe një restaurant i Prishtinës, e keni vizituar ndonjëherë?
Bledar Kola: Fatkeqësisht nuk kam qenë por e kam në plan për ta vizituar dhe ju uroj edhe atyre shumë suksese dhe përgëzime për këtë arritje.
Po dallimet në mes restauranteve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, në çfarë pika i vlerësoni?
Bledar Kola: Akoma nuk jam në gjendje të bëjë vlerësim ngaqë nuk i kam vizituar ato në Kosovë. Jam i sigurt që restaurantet atje po bëjnë një punë të përkryer. Kosovarët janë një popull shumë punëtorë dhe kur i futen punës i shkojnë vertikalisht e jo horizontalisht.
Kur jemi te ushqimet, mendoni se jemi një popull që jemi të pasur me menu tradicionale, nëse po, çfarë do të veçoje?
Bledar Kola: Ne jemi një popull që kemi shumë vlera, ca të huazuara ca të inspiruar dhe shumë shumë të tjera të konservuara. Flija është një që më vjen në mend tani që është një teknik shumë e veçantë dhe shumë e vjetër.
Mendoni se ushqimi tradicional nëpër restaurantet shqiptare është duke e humbë kuptimin, duke iu lënë vend kuzhinës evropiane?
Bledar Kola: Për fat të keq po dhe kjo është arsyeja pse njerëzit duhet të marrin një shembull nga ‘Mullixhiu’ dhe ‘Mrizi Zanave’ në Fishtë të Lezhës. Vlerat e një vendi tregohen nga ushqimi dhe nëse ne i humbim këto jemi drejt globalizmit dhe zhdukjes së identitetit dhe kjo është arsyeja pse ne jemi tek kjo listë sepse jemi krenar për vlerat tona dhe u japim vëmendjen e duhur.
Dhe për fund, ju sapo keni marrë një shtytje nga kjo renditje, ku padyshim që do të reflektojë në investim të mëtutjeshëm në biznesin e juaj, a ka diçka më konkrete që do të mund të ndaje me lexuesin?
Bledar Kola: Ne jemi restaurant motër i ‘Mrizit të Zanave’ në Fishtë, ata e kanë dhënë shembullin më të mirë të mundshëm të një restauranti në zhvillim por gjithmonë edhe në përmirësim. Kështu që e kemi një model për të ndjekur. / KultPlus.com