11 Qershor, 2018 - 9:00 pm
Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prishtinë dhe Prizren nxori në pah gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët në të dy shtetet e tyre nga politikat kriminale dhe nga inferioriteti i elitës politike, vasale ndaj asaj politike.
KultPlus:140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përcoll me shumë probleme: nga ato organizative, politike dhe të tjera, me çka fitohet përshtypja se në shumë aspekte ajo edhe u nëpërkëmb?
J. Buxhovi: Shënimi i 14o vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, do të duhej të ishte ndryshe nga të gjitha aspektet, por ajo që ndodhi në Prizren pardje në të ashtuquajturin manifestim qendror, nxjerr në pah gjendjen e vërtetë në të cilën ndodhen shqiptarët sot në Shqipëri, Kosovë, po edhe në Maqedoni, që nuk mund të quhet ndryshe pos politikë që bie në kundërshtim me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Rilindjes Kombëtare në përgjithësi. Në Prizren, u demonstrua një anarki e paparë dhe një primitivizëm ofendues për një manifestim të tillë. Nëse, para dyzet vitesh, më 1978, në Prizren u demonstrua nacionalizmi shqiptar i një niveli institucional në kërkim të shtetit, në vitin 2018, u demonstrua kultura më e ultë kundër shtetit dhe shqiptarizmit, po edhe kundër vlerave të qytetërimit perëndimor!
KultPlus: Zini ngojë politikën që bie ndesh me idealet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ato të Rilindjes Kombëtare. Si mund ta arsyetoni këtë?
J. Buxhovi: Krahas bashkimit të etnisë shqiptare, nga katër vilajete sa përfshinte ajo në Perandorinë Osmane, në një vilajet autonom ose siç quhej edhe “Shqipëri osmane”, që do të kthehej në shtet të pavarur (Shqipëri evropiane), sapo të krijoheshin rrethanat, Rilindja Kombëtare kishte shpallur edhe disa kërkesa të tjera,që duhej ta përcillnin këtë projekt. Ndër të cilat më të rëndësishme ishin: përkatësia e qytetërimit evropian dhe kultura kombëtare (shqiptarizmi) si bosht që duhej t’i përkitnin asaj.
Nëse mund të thuhet se me Shqipërinë dhe Kosovën – shtete të pavarura dhe, faktorin shqiptar në Maqedoni, afër pozitës së faktorit shtetformues (po qe se barazinë do ta fokusojë te kjo çështje dhe jo te multietniciteti), në njëfarë mënyre, përmbushet kërkesa e njohur për përfshirjen e katër vilajeteve shqiptare në një tërësi shtetërore, megjithatë konfigurimi i përshtatshëm politik, që erdhi me shtetin e Kosovës si një projekt i Perëndimit si dhe tranzicioni demokratik në Shqipëri, nuk po përcillen me faktorët tjerë, në radhë të parë me ata politikë, që kanë të bëjë me rrumbullakimin e idealeve të Rilindjes Kombëtare.
Kur thuhet kështu, kihet parasysh se klasa politike në Tiranë, Prishtinë dhe ajo në Shkup përgjegjësinë e bërjes së shtetit në përputhje me këto ideale, ku përkushtimi për liri, demokraci, shoqëri të lirë dhe të emancipuar në përputhje me vlerat e një qytetërimi perëndimor, që do ta integronin në familjen e bashkuar evropiane dhe atë veriatlantike, e ka zëvendësuar me atë të interesave të ngushta personale për përfitime materiale me anën e metodave kriminale. Të etiketuara me të drejtë si “poligone rajonale të krimit të organizuar”, Shqipërisë i është vështirësuar anëtarësimi në Bashkimin Europian, ndërsa Kosovës thuajse i janë mbyllur që të gjitha dyert për andej. Në këtë aspekt, shpresëdhënës shfaqet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, por kjo nuk mjafton, ngaqë pa aspektin e integrimit politik, Shqipërinë do ta kthente në një bazë ushtarake dhe asgjë më shumë, ndërsa hapësirën tjetër në një poligon eksperimentues për interesa të ndryshme, “tretman” ky që do t’u shkonte për shtati strukturave kriminale të të gjitha ngjyrave si dhe qendrave të jashtme.
Pra, shikuar nga kjo pikëpamje, oligarkët nga radhët e politikës shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, shoqërinë shqiptare po e largojnë nga qytetërimi evropian dhe integrimet në të. Rilindasit tanë, sidomos ata që morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, jo vetëm që derdhën dhe shkrinë mendjen për qëllimet e saj, por edhe pasurinë dhe gjakun madje. Drejtuesit kryesor të Lidhjes, Abdyli, Haxhi Prizreni, Sulejman Vokshi, Mehmet Korenica e shumë e shumë të tjerë si dhe ata që u përfshinë në kryengritjet e viteve 1908-1912 (Hasan Prishtina dhe të tjerët) mund të shërbejnë vazhdimisht si shembull i sjelljes patriotike në shërbim të lirisë dhe të pavarësisë si dhe shtetit dhe jo të shfrytëzimit të tij për qëllime personale, siç ngjet me pjesën më të madhe të politikanëve tanë, të cilët “luftën” e kthyen në një mjet përfitues. Rilindasit tanë, ndonëse patën vështirësi me kapërcimin e mentaliteteve nga ai oriental në atë evropianë si dhe me përballimin e ndasive fetare, duke i kthyer ato në faktorë integrues të shqiptarizmit, siç ndodhi me sloganin “feja e shqiptarit është shqiptarizmi”, ia dolën që Shqipëria të përballojë sfidat e jashtëzakonshme si dhe vështirësitë e shumta që i vinin nga kundërshtarët e saj të shumtë, që bënin çmos që të jenë mentalitet e tejkaluara historikisht (logjika fisnore, mungesa e kulturës për shtetin) dhe diveristeti fetare ato që ta dështojnë shtetin shqiptar që të shkëputet nga trashëgimia osmane.
Ndërsa sot, kur po shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një shekull i shtetit shqiptar si dhe dhjetë vjet të shtetit të Kosovës, në saje të politikave të papërgjegjshme në Tiranë dhe Prishtinë, karakteri laik i shtetit, që fetishohej nga rilindësit, nëpërkëmbet duke ia hapur dyert religjionit, jo si e drejtë e patjetërsueshme e individit për besim të lirë, por si përcaktim politik. Kështu që shqiptarët, në këtë gjendje, ndodhen në një udhëkryq antihistorik, që mund t’ua rrezikojë jo vetëm shtetet, por edhe qenien, ngaqë hipoteka e “mbetjeve të rrezikshme radikale islamike në Europë”, i kthen te programet e Çubrilloviqi dhe ngjashmet me të cilat janë ushtruar gjenocidet e njohura mbi ta.
Është për t’u habtur se si diskursi i rikthimit të religjionit mbi atë kombëtar,i ndihmuar nga elitat politike shqiptare në pushtet, që prek edhe identitetin kulturor dhe atë qytetërues duke e zëvendësuar atë nga dita në ditë, shikohet me inferioritet nga qarqet intelektuale, shkencore dhe akademike, ndonëse ajo prek shtyllat kryesore të identitetit historik për të cilin është derdhur aq shumë dije, mund dhe gjak?!
KultPlus: Nga punimet e dy sesioneve shkencore, ai nga Akademia e Shkencave në Prishtinë si dhe në Prizren dy ditë më vonë i organizuar nga Institutet e Historisë të Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit fitohet përshtypja se bota shqiptare thuajse i ka përballuar sfidat, që ju po i quani në kundërshtim me idealet kombëtare, ngaqë aty u tha se shqiptarët gjenden në një rrugë kur po i realizojnë ato në përputhje me linjat globale të natyrës gjeostrategjike dhe gjeopolitike?
J. Buxhovi: Ato që i quani “sesione shkencore” në Prishtinë dhe Prizren, përkundër firmave “akademike” dhe të instituteve të historisë, më së paku ishin shkencore. Në Prishtinë dhe Prizren u mblodhën “akademikë” dhe historianë për t’u shërbyer dekorit të politikës së papërgjegjshme në Prishtinë dhe Tiranë, me ç’rast, u bë përpjekje që gjendja e rëndë në të cilën gjendet dy shtetet shqiptare, ku grupet mafioze dhe ato kriminale diktojnë politikën antishqiptare, ta paraqesin “të arritur historike në frymën e Lidhjes Shqiptare”! Nëse kalohet kalimthi nëpër ato që u thanë dhe u lexuan në këto “simpoziume shkencore”, bie në sy se aty kishte vetëm mbllaçitje të stereotipeve të njohura ideologjike dhe folklorike nga e kaluara, pa asnjë përpjekje që ato të tejkalohen. Madje, në ato kumtesa, serish, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit flitet me “argumentet” e historianëve të Beogradit rreth Kongresit të Berlinit, që dihet se çfarë janë.
Kështu, edhe në këto “simpoziume” folësit treguan se janë pjesë e kësaj politike si dhe në shërbim të tyre dhe jo të shkencës, gjë që as që mund të ishte ndryshe kur shumica prej tyre është akomoduar si aktivistë të partive politike, me diploma të kurdisura dhe tituj “shkencor” nga kruzhoqet politike!
Të tillët jo vetëm që nuk janë në gjendje të flasin për sfidat e ardhshme me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare, por as të jenë kritik ndaj faktorëve që bien ndesh me idealet e Rilindjes Kombëtare dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rrezikimin e shteteve shqiptare (koketimi me islamin politik) dhe fenomenet tjera.
Të tillët, madje, nuk janë në gjendje, që së paku të thonë ndonjë fjalë se si Prizreni, kryeqendra e nacionalizmit politik prej ku nisën fillet e rikthimit të shtetit shqiptar në histori, në katalogjet që ka përgatitur Komuna e Prizrenit, të aprovuara nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Kosovës para katër vitesh, paraqitet si “qendër e kulturës mesjetare sere” dhe “e shtetit mesjetar serb” dhe “qendër e kulturës turke dhe islame”!/KultPlus.com