1 Prill, 2019 - 4:50 pm
Chopin Piano Fest Prishtina këtë vit shënon edicionin e tij të 10-të. Në një intervistë për KultPlus, drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha ka treguar për risitë që do të ketë ky edicion, një rikapitulim i cili do të sjellë artistët të cilët lanë gjurmë në Prishtinë dhe në festival gjatë këtyre 10 viteve.
Alberina Haxhijaj
KultPlus: “Chopin Piano FEST Prishtina” këtë vit shënon një dekadë punë dhe angazhim për promovimin e muzikë klasike, veçanërisht instrumentistëve të pianos. Të rikthemi tek fillimi i këtij festivali dhe te fakti se sa kanë qenë të vështira këto 10 vite.
Besa Luzha: Kur e filluam edicionin e parë, thamë po e shënojmë ditëlindjen e Chopin, dhe disi me drojë filluam organizimin sepse kishte vështirësi organizative, infrastrukturore, financiare, por disi u mobilizuam dhe e organizuam edicionin e parë.
Shkoi aq bukur, e priten publiku aq mirë, sa që kjo na motivoi të vazhdojmë edhe vitin tjetër, edhe tjetrin, edhe tjetrin….
Vështirësitë për çdo vit janë ndryshuar, një vit ishte mungesa e sallës, një vit mungesa e pianos, e në një rast mungesa e financave. Por programin e kishim gjithmonë të mirë, interesant, që nxiti kuriozitetin e publikut shumë të interesuar të Prishtinës, Kosovës dhe përkrahjen e publikut që na falënderonte në çdo përfundim të festivalit për dhuratën e bukur muzikore që i kemi ofruar atyre në stinën e pranverës. Kjo ishte shtysa që ti harrojmë të gjitha pengesat dhe të përpiqemi të bëjmë punë edhe më të mirë, program edhe më të bukur, dhe më shumë masterklase, koncerte etj.
KultPlus: Ky edicion është i rëndësishëm për ju si organizatorë por edhe për publikun i cili ka 10 vite së bashku me ju, cilat do jenë risit e këtij edicioni?
Besa Luzha: Në kuptim të strukturës, mbetet formati i njëjtë, seri e koncerteve recitale pianistike me pianistë të shquar në nivel botëror, vendor, duete pianistike, mbrëmje vokalo pianistike dhe përfundimi me koncertin për piano e orkestër të realizuar në Bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës. Numri i koncerteve është rritur jashtëzakonisht shumë në këtë edicion. Kemi 16 koncerte, përpos aktiviteteve të tjera shtesë.
Po ashtu vazhdon programi i nxënësve, studentëve, dhe gara për çmimin Special Chopin Piano Fest. Kemi pasur dy fituese dhe mirëpresim fituesin e tretë me radhë.
KultPlus: Festivali veçohet për programin të cilin e sjellë, cilat janë veçantit e programit këtë vit?
Besa Luzha: Drejtoresha artistike e festivalit është më meritorja për programin e bukur dhe të pasur, Prof. Lejla Pula. Ajo vërtet ka punuar me artistë të ndryshëm për të sjellë sa më shume risi dhe nivel të lartë të performancës.
Meqë është 10 vjetori, kemi ftuar artistët më të shquar nga të gjitha edicionet për një rikapitulim të themi, disa nuk kanë mundur të vijnë në këtë kohë për shkak të agjendës së ngarkuar, por jemi të kënaqur për ata që iu kanë përgjigjur ftesës. Ka dhe artistë të rinj që për herë të parë do të performojnë para publikut të Prishtinës.
KultPlus: Festivalet në Kosovë mund të konsiderohen një pasuri kulturore, sa është e rëndësishme kjo për Chopin Pino Fest dhe ku zë vend në promovimin kulturor ky festival?
Besa Luzha: Mendoj se festivali e ka sjellë vërtet Prishtinë në qendër të vëmendjes së ngjarjeve kulturore të rëndësishme dhe shumë artistë, organizata, tashmë e njohin vlerën që ky festival ka krijuar. Është adresë, pikë referente dhe tregon potencialin tonë kulturor, të cilin po ta mbështesin institucionet edhe më fuqishëm, do të rrisim jehonën dhe do të rritet edhe më tepër interesimi për të.
KultPlus: Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?
Besa Luzha: Besoj se po, fakti që kemi mbështetje të vazhdueshme dhe ajo po bëhet më e sigurt, më e qëndrueshme, nuk kemi dyshim për mbështetje. Kjo siguri po na ndihmon në organizim sa më të mirë.
KultPlus: Akoma nuk kemi një sallë koncertale, sa po ndikon kjo në zhvillim e jetës kulturore, në mbajtjen e Chopin Piano FEST Prishtina dhe a e konsideroni neglizhencë të institucioneve?
Besa Luzha: Ah , plaga e vjetër. Salla, vërtet është pengesë, ne kemi gjetur alternativë për momentin duke u akomoduar në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, fal partneritetit tonë me Universitetin e Prishtinës, por po të kemi sallën adekuate, me piano edhe më të mirë, me më shumë ulëse, me shërbimin e biletarisë dhe gjithë infrastrukturën përcjellëse, mundi i organizimit do të ishte me i lehtë dhe oferta artistike muzikore do të ishte edhe më me vlerë dhe më interesante për publikun.
KultPlus: Kur jemi të salla koncertale, ku do të mbahet festivali sivjet?
Besa Luzha: Koncertet deri me 27 Prill do të mbahen në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare –RR. Eqrem Çabej, apo ndërtesa e ish-institutit të Historisë, ndërtesa me xhamat e kaltër. Koncerti me Filharmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe, ndërsa mastërklasat dhe garat për çmimin special të Chopin-it në Fakultetin e Arteve. / KultPlus.com