Dardan Noka Selimaj: Është jo e pëlqyeshme që koncertet t’i organizojmë në salla dasmash

9 Mars, 2018 - 8:36 pm

Ka trembëdhjetë vite që Prishtina, dhe jo vetëm, të kumbojë nga tinguj të ndryshëm të instrumentistëve vendorë dhe të huaj, kanë dhënë emocione, përvoja por edhe bashkëpunime, që kanë nisë fillin pikërisht nga DAM Festival.
Dardan Noka Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, pikërisht në prag të hapjes së edicionit të trembëdhjetë ka treguar edhe për mesazhin e këtij edicioni.
Duke përkuar me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe në 10 vjetorin e shtetit të Kosovës, ky edicion do të sjellë vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. “Ky koncept vjen si thirrje për paqe”, ka thënë Noka Selimaj për KultPlus.
Por ai, nuk ka heshtë edhe për kushtet e vështira që punojnë për organizimin e festivaleve, sidomos duke pasë parasysh mungesën e një salle koncertale. Ai ka thënë se një sallë e tillë nuk do të ndërtohet edhe në dekadën e dytë të shtetësisë, nëse komuniteti artistik nuk bashkohet seriozisht rreth kësaj çështje.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Jeni në prag të edicionit të radhes se DAM Fest, me çfarë prurje do të vini këtë vit?
Dardan Noka Selimaj:
Në të 13-in vit, sikurse kemi tentuar të bëjmë çdo vit tjetër, pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohemi gjithmonë, kemi qenë tejet ambicioz për rrethanat në të cilat veprojmë.
Sivjet me një theks më të veçantë kemi tentuar të sjellim ansamble të përmasave më të mëdha. Kështu kemi disa orkestra që do prezantohen në festival si: Ëest Coast Sympnohy Orchestra, Vienna Ëorld Orchestra, Filharmonia e Kosovës dhe disa ansamble korale, mirëpo nuk do mungojë as literatura për instrumente solo dhe ansamble të vogla. Kjo na ka bërë që në kuadër të këtij edicioni edhe të organizojmë një tryezë në lidhje me menaxhimin e orkestrave, se si dhe a mund të mbijetojnë ato pa mbështetjen institucionale, e në të njëjtën kohë pse duhet të vazhdohet të ekzistojë një mbështetje për orkestrat kombëtare, jo vetëm tek ne mirëpo kudo në botë.


KultPlus: Secili edicion ka edhe vulën e tij, me cilën do të karakterizohet ky vit?
Dardan Noka Selimaj:
Në vitin 2018, në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe në 10 vjetorin e shtetit të Kosovë do sjellim vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. Ky koncept vjen si thirrje për paqe në kohën kur ka shumë vatra lufte në botë dhe kohën kur pavarësisht se kemi kaluar një luftë 2 dekada më parë, ende vazhdojmë t’i bartim pasojat e saj. Andaj, thirrja për paqen duhet të mos shterret kurrë.

E kur ajo vjen përmes artit është më e fuqishme e kuptimplotë. Kjo do arrihet edhe përmes diversitetit brendapërbrenda ansambleve, të cilat do të prekin skenën e Prishtinës këtë vit. Pastaj do të kemi edhe pianistin francez Armel Dupas që do të prezantojë projektin e tij “Upriver”, ndërsa pianisti dhe kompozitori amerikan Gregory Charette do të sjellë gjithë etydet e shkruara për piano nga Philip Glass në një mbrëmje të vetme.
Në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovë do të interpretohet edhe vepra ikonike e kompozitorit Terry Riley “In C” dhe kjo përbënë një shans të mirë që publiku të “prekë” nga afër një pjesë të literaturës së popullarizuar të muzikës minimaliste. Nga solistët vendor prezantime me peshë bartin edhe flautisja Enkelejda Zajmi – Gorani, pianistja Pranvera Hoxha, violinisti Visar Kuçi, kompozitori Artan Hasani, ansambli Zanat etj.
Ndërsa nuk kuadër të festivalit do të prezantohen edhe muzikantë më të rinj të Kosovës si: Arian Zherka, Fortesa Fejza, Ron Bakalli, Lisa Sahatçiu etj. të cilët në fakt po e dëshmojnë se janë e ardhmja e ndritshme e skenës muzikore të vendit. Me paraqitjen e tyre do të debutojnë edhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa në koncert pas mbylljes zyrtare të festivalit janë rezervuar dy mbrëmje me muzikës korale nga dy kore kroate në drejtimin e dirigjentit eminent kroat Josip degl’Ivellio dhe dy kore kosovare në drejtimin e Memli Kelmendit.

KultPlus: Trembëdhjetë vite prej se keni nisur këtë rrugetim, pse menduat se Kosovës i duhet DAM Festival?
Dardan Noka Selimaj:
Në kohën ku e kemi themeluar këtë festival ishim studentë të Fakultetit të Arteve – Dega e Muzikës. Atëbotë erdhi si nevojë për të krijuar një platformë të re për një klasë dhe frymë të re të muzikantëve të vendit. Që nga 2006 promovimi i të rinjve nuk është bërë për politika ditore, mirëpo ky ka qenë parimi bazë mbi të cilin është ndërtuar ky festival.

Kemi kaluar dhe vazhdojmë të kalojmë nëpër sfida banale, mirëpo nuk jemi ndalur dhe uroj e besoj se do të jetë kështu për shumë vjet në vijim, ani pse, gjithmonë gjendemi para dilemës nëse duhet vazhduar tutje apo t’i japim fund këtij rrugëtimi. Megjithatë, optimizmi, kontributi i shumë njerëzve, sidomos Rreze Kryeziut e cila tashmë është drejtoreshë e përgjithshme e festivalit dhe anëtarëve të rinj të ekipit: Arbnorit, Sidorelës, Melisës dhe Adelinës ka qenë shtysë për të vazhduar tutje.

KultPlus: E trembëdhjetë vite pas, e mendoni se ja ka vlejtë gjithë kjo sfidë për ta mbajtur këtë festival?
Dardan Noka Selimaj:
Për një moment mund të duket se gjërat kanë lëvizur pak. Mirëpo, nëse analizohet është bërë shumë. Urat që shumë muzikantë kanë lidhur përshkak të punës që është bërë në festival na bën të ndihemi mirë. Numri i veprave që janë promovuar dhe interpretuar për herë të parë. DAM-i ka qenë inspirim për shumë kë për të përcaktuar të ardhmen e shumë të rinjve. Sot, dëgjoj muzikantë të cilët në DAM kanë vendosur të zgjedhin të bëhen perkusionist, oboist, kornist etj. Sidomos në fushën e muzikës klasike depërtimi nuk është i kollajshëm, prandaj e shoh vlerë të shtuar organizimin e festivalit.

Në festival janë rikthyer praktika të së shkuarës të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë të pamundshme, prezantimi i solistëve të rinj me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, çmimi “Pianisti i Ri” të cilin në bashkëpunim me garën “Pianisti i Ri” dhe Filharmoninë e Kosovës e ndanë festivali duke i ofruar mundësi moshave të reja të përjetojnë paraqitjen në skenë me orkestër simfonike, rast që edhe në vende më të zhvilluara nuk ekziston si mundësi e shpeshtë. Mendoj se ia ka vlejtë 🙂

KultPlus: Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?
Dardan Noka Selimaj:
Nga institucionet nuk pres që të jenë falënderues. Nuk mund të jenë falënderues persona të cilët për kulturën dhe nëpër kulturë janë vetëm kalimtarë rasti. Natyrisht, brenda institucioneve edhe pse pak ka njerëz që japim kontributin e tyre në zhvillimin e politikave kulturore, mirëpo fatkeqësisht janë të pakët.

KultPlus: Në anën tjetër, nuk jeni të vetmit, pasi që në Kosovë është edhe Re Musica, Chopin, Kamerfest, me cka dallohet Dam Featival nga këto festivale të tjera! I duhen Kosovës katër festivale të tilla?
Dardan Noka Selimaj:
DAM-i ka misionin e vet. Të tre festivalet e tjera e kanë misionin e tyre. Chopin-i i cili është themeluar disa vjet më vonë ka fokus promovimin e literaturës pianistike. Remusica deri vonë ka pasur promovim muzikën e re dhe akusmatike dhe vazhdon ta ketë si një prej synimeve të veta e Kamerfest-i muzikën kamerale.
DAM-i ka qenë i hapur edhe për muzikën e re në zhanre të tjera si jazz, ëorld, blues dhe muzikës eksperimentale ose gjithçkaje që mund të ketë qenë tendencë e re pavarësisht se si dhe ku mund të jetë kategorizuar ajo muzikë.

Kjo duke mëtuar të shkrijmë “kategorizimet” brenda muzikës. Nganjëherë ato më shumë dëmtojnë dhe mund të kufizojnë imagjinatën e krijuesit. Kur muzika ka emocionin dhe atë publiku e pranon, atëherë e ka vendin në skenë, ani pse në qarqe të ngushta muzikantësh mund të cilësohet si jo mjaftueshëm me vlerë. Muzika që nuk përçon emocion e largon publikun dhe pa publikun koncertet nuk kanë kuptim. Secili festival e ka dhënë kontributin e tij, janë katër festivale që sjellin tjera gjëra para publikut. Secilin prej tyre e shoh si vlerë të shtuar për skenën dhe jo ndryshe.

KultPlus: Ndërkohë, nëse i refereohemi kohës së pasluftës dhe tashti, audienca është tepër më e madhe tashti se sa më herët, si ndiheni që pikërisht këto festivale kane krijuar edhe një audiencë po me këtë shije?
Dardan Noka Selimaj:
Festivalet besoj se kanë ndikuar në avancimin e shijes së një pjese të publikut, mirëpo ndodh kur edhe publiku avancon shijen e atyre që bëjnë programin. Mendoj që publiku i Prishtinës ka shije, e vlerëson artin, muzikën. Është përgjithësisht publik i edukuar. Këtë e kam kuptuar pasi që kam krijuar një eksperience në lëvizjet jashtë vendit. Mendoj se disa gjëra ushqehen, mirëpo disa arrihen. Publiku i Prishtinës është i tillë, kujdeset për kultivimin e shijes se vet.

KultPlus: Audiencën e rritët, por një sallë koncertale akoma nuk është ndërtuar, sa është injorante nga ana e institucioneve mosndëritimi i sallës?
Dardan Noka Selimaj:
Pavarësisht premtimeve për gjithë këto vite, vullneti politik nuk ka ekzistuar asnjëherë për ndërtimin e një salle koncertale. Edhe kur qe nisur projekti për ndërtimin e shtëpisë operistike “Dr. Ibrahim Rugova” dukej se më i rëndësishme ishte fakti se si do të quhej ky objekt, se sa funksionaliteti dhe rëndësia e ndërtimit të tij. Ne nuk do të kemi një objekt të tillë derisa nuk do të kemi një lider i cili do ta ketë vërtetë prioritet një gjë të tillë. Është jo e pëlqyeshme që koncertet madje edhe në data të rëndësishme për vendin i organizojmë në salla dasmash. Salla e koncerteve do t’i mungojë Prishtinës edhe në dekadën e dytë të shtetësisë, nëse komuniteti artistik nuk bashkohet seriozisht rreth kësaj çështjeje.

KultPlus: Dhe për fund, kur jemi te sallat, sivjet në cfarë hapësira do të mbahet Dam Festival?
Dardan Noka Selimaj:
Sivjet nuk do lëvizim nëpër hapësira dhe nuk do të eksperimentojmë me hapësirat sikurse vjet. Një ndërmarrje e tillë është e kushtueshme dhe për t’i adaptuar ato hapësira për mbajtje koncertesh ka shpenzime. Duhet krijuar komoditetin minimal, qoftë për artistin qoftë për publikun. Këtë vit nuk mund t’i futemi asaj aventure, andaj koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe kishën katolike “Shën Ndou”. Ndërsa do organizohen edhe koncerte në Prizren, Pejë e Klinë. E gjatë vitit, në kuadër të projektit “Jo vetëm tranzit” do të organizojmë edhe një koncert në Fushë Kosovë. /KultPlus.com

Të ngjajshme