31 Dhjetor, 2021 - 7:00 pm
Uranik Emini
Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.
Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.
Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.
“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.
Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.
Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.
“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.
Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.
“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.
Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.
“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.
Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.
“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.
Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.
“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.
E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.
“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.
Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.
“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.
“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.
“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.
Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.
“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.
Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.
“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.
Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.
“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”
Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.
“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.
Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.
“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.
Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.
“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.
Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.
“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.
Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.
“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.
Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.
“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.
Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.
Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.
“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.
Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com