10 Korrik, 2018 - 2:19 pm
Dua Lipa po vjen në Prishtinë për të qenë pjesë e festivalit të parë në Kosovë me përmasa të tilla sikurse është Sunny Hill Festival. Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës, njëherit organizator i këtij festivali, në intervistën e dhënë për KultPls ka treguar për shumë detaje të këtij festivali. Ai, edhe vetë këngëtar, për mbledhjen e yjeve në qytetin të cilin e do aq shumë, ka thënë se e kishte dëshiruar qysh herët, dhe sipas tij, sa më shumë që po afrohet data e këtij festivali aq më shumë ka filluar të besoj se kjo ëndërr më në fund po bëhet edhe realitet.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Pothuaj edhe një muaj na ndanë nga Sunny Hill Festival, për këtë kohë kur edhe ka filluar shitja e biletave, sa jeni duke e vërejtur që Kosova po vendoset me të drejte në hartën e botës?
Dukagjin Lipa: Që në ditën e parë të publikimit të lajmit për organizimin e Sunny Hill, ne kemi hasur në interesim të jashtëzakonshëm nga mediat e huaja sikurse: NME, BBC, Fader, CapitalFM e shumë të tjera, të cilat kanë raportuar për festivalin si dhe kanë shprehur interesimin e tyre që të jenë në mesin e mediave të akredituara për pjesëmarrje dhe mbulim direkt nga Prishtina. Të gjitha publikimet e kanë përmendur Kosovën në kontekst pozitiv dhe kanë dhënë detaje për vendin tonë me ton dhe sentiment pozitiv, i cili neve na ka munguar. Vetëm disa ditë pas zyrtarizimit të festivalit, ne e kemi bërë Kosovën temë trending në Tëitter dhe temë të ditës në Google, dhe kërkimet online për Kosovën janë shumëfishuar menjëherë.
KultPlus: Natyrisht që emri i Dua Lipës është edhe vula e këtij festivali, dhe pikërisht emri i saj a është duke ndikuar edhe në blerjen e biletave nga të huajt?
Dukagjin Lipa: Ne kemi pohuar që Sunny Hill Festival është festival me disa nga emrat më të mirë të muzikës në botë. Natyrisht se në këtë mes Dua ka peshë shumë të madhe si artiste dhe performuese, sikurse në çdo vend tjetër të botës natyrisht, mirëpo Kosova është vendi i saj dhe rëndësia dhe interesimi për të është edhe më i madh. Por për performancën e Duas, posaçërisht ka interesim nga të rinjtë nga e gjithë Evropa, të cilët tashmë kanë blerë biletat për festival.
KultPlus: Çfarë do të ketë të veçantë në këtë festival pos paraqitjes skenike të Dua Lipes, a ka edhe ndonjë agjendë tjeter nga ajo?
Dukagjin Lipa: Siç edhe e kemi paralajmëruar më herët, Dua do të vijë në Prishtinë në fillim të muajit gusht, dhe përveç performancës së saj në festival, ajo do të jetë këtu edhe për aktivitetin e shpërndarjes së fondeve të mbledhura nga koncerti i saj i mëhershëm në Prishtinë. Ky do të jetë një aktivitet publik, në të cilin do të ftohen edhe mediat.
KultPlus: Pastaj janë edhe dy emra shqiptarë me famë ndërkombëtare: Action Bronson dhe Stanaj, si e kane pritur ftesen tuaj për këtë festival?
Dukagjin Lipa: Në këtë edicion, Sunny Hill do të jetë posaçërisht interesant, sepse ne kemi arritur që ta konfirmojmë edhe pjesëmarrjen e Action Bronson dhe Stanaj, dy artistëve të jashtëzakonshëm shqiptar, të cilët për të parën herë do të performojnë në Kosovë.
KultPlus: Ndërkohë është bërë një përzgjedhje e këngëtarëve të Kosovës që do të jenë pjesë e këtij festivali, përpos paraqitjes së tyre, sa do të jenë gjasat që zërat e tyre të degjohen edhe nga ndonjë përfaqësuesi të ndonjë studio ndërkombëtare?
Dukagjin Lipa:Me kënaqësinë më të madhe të gjithë artistët tanë e kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e festivalit dhe unë e shfrytëzoj rastin që ti falennderoj të gjithë për kontributin e tyre që ky festival të jetë platforma më e madhe e muzikës që shqiptaria e ka pasë ndonjëherë. Ne do të kemi mysafirë të shumtë nga industria e muzikës botërore dhe do të isha shumë shumë i lumtur nëse Sunny Hill Festival do të ishe vendi ku artistët tanë zbulohen nga përfaqësues të studiove ndërkombëtare.
KultPlus: A keni të dhëna se nga sa persona mund të ndiqet ky festival?
Dukagjin Lipa: Duke u bazuar në interesimin e madh të njerëzve për të qenë pjesë e Sunny Hill, ne presim që për tre netë rresht të kemi disa mijëra njerëz pjesëmarrës në festival, një masë e konsiderueshme prej të cilëve do të udhëtojnë nga vendet e ndryshme të rajonit dhe Evropës për të qenë në Prishtinë më 10, 11 dhe 12 gusht.
KultPlus: Po mediet e huaja, sa nga mediet e huaja janë akredituar për këtë festival?
Dukagjin Lipa: Akreditimi i medieve, si atyre vendore gjithashtu edhe të huaja do të bëhet gjatë javës së ardhshme.
KultPlus: Sunny Hill Festival do të mbahet në Prishtinë, a ka gjasë që vitet e ardhshme të lëvizë në vendet e tjera?
Dukagjin Lipa: Dëshira ime është që Sunny Hill Festival të jetë festivali më i madh dhe më i përfolur në shqiptari, kështu që, nëse ndonjëherë ndrrojmë vend, atëherë me siguri se Shqipëria do të ishte vendi im i preferuar.
KultPlus: Ndërkohe, një festival me emra të mëdhenj po mbahet për herë të parë në Kosovë, si ndihesh për këte prurje?
Dukagjin Lipa: Kjo është dëshirë e imja e kahmotshme, edhe duke u afrur data e festivalit kam filluar të besoj se kjo ëndërr po bëhet realitet. Mburrem shumë me vendin dhe me qytetin tim, dhe me këtë aktivitet po mundohem që ti tregoj botës se prej nga jemi, cfarë jemi, edhe të bëjmë promovimin e vendit tonë në mënyrën më unike edhe më të mirë që mundemi. Prandaj ejani të gjithë të festojmë së bashku.
KultPlus: Dhe për fund, sa ka gjasa që në një këngë të vetme ti shohim Duan, Ritën, Beben e Era Istrefin?
Dukagjin Lipa: Ndoshta një ditë edhe kjo do të ndodhë, por deri në atë ditë shpresojmë që Rita, Bebe Rexha dhe Era Istrefi do të na gëzojnë me prezencën e tyre në edicionet e ardhshme të Sunny Hill Festival./KultPlus.com