Protagonist i komedisë dhe ikonë e kinematografisë, Fatmir Spahiu: Filmat e mi janë prezantuar aty ku diplomacia nuk ka shans të depërtojë

30 Dhjetor, 2024 - 3:00 pm

Era Berisha

Humori është elementi kryesor që ia ka hapur çelësin drejtë dyerve të suksesit në jetë. Për të shkuar drejtë atyre dyerve, njerëzit bëjnë çmos, por ka mjaftuar humori i mirëfilltë që ka shoqëruar gjenerata të ndryshme në trevat shqiptare, për të përmbushur brendësinë shpirtërore të Fatmir Spahiut. Aktor i ekranit, teatrit dhe producent kosovar, ai është një figurë e veçantë, pas së cilës qëndrojnë shumë role e shumë prodhime të jashtëzakonshme. I shquar për rolin e tij si protagonisti Orhan Bobaj në serialin e mirënjohur, ‘Kafeneja jonë’ e deri tek roli i tij si producent që ka rezultuar në themelimin e shtëpisë filmike “Buka Production”, ai ka dhënë një kontribut të lartë në fushën e artit, kulturës dhe kinematografisë.

Me pseudonimin “Bufi”, ai qysh nga seriali “Kafeneja jonë” (2004), ka qenë një magjistar i humorit, magjitë e të cilit janë shfaqur shumë lehtë. Nuk është zhveshur nga pëlhura e dikujt tjetër për të hyrë në rolin e “Orhanit”, por brendësia e tij është shfaq në pah, duke i shndërruar momentet e përditshmërisë në jehona të qëndrueshme kualitative që janë përcjellë nga familje të shumta shqiptare. Bufi vjen si një mjeshtër i zgjuar, karakteri i të cilit ka balancuar shpirtin, zemrën, dinjitetin dhe humorin. Humori i tij ka rezonuar shumë me audiencën, dhe kësisoj është arritur një formë kënaqësie në kaosin e përditshëm të jetës. E qeshura e tij të bënte të qeshje edhe vetë. Ai nëpërmjet rolit të tij ka krijuar një urë lidhëse me audiencën e serialit “Kafeneja jonë”, mbi të cilën rrinin zgjuar shumë familje shqiptare.

Por, që ky serial do të kishte jehonë kaq të madhe, nuk e ka menduar as vetë ai. Për hir të sinqeritetit, ai nuk e ka paramenduar që për këtë projekt do të flitet kaq gjatë. Ky fakt e bën atë që të ndjehet tepër mirë dhe për më tepër, ndjen një lumturi shtesë kur edhe fëmijët që janë lind pas serialit, vazhdojnë akoma ta shohin atë.

“Secili prej nesh ka edhe shumë projekte tjera, të suksesshme e mjafte prezente, por ‘Kafeneja jonë’ kishte një magji tjetër. Ne kemi fillu me kriju komedi dhe është pranuar mirë, njerëzit kanë qeshë me ne dhe ne jemi kënaq me këtë fakt”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur shumë reagime prekëse, por veçanërisht reagimet nga fëmijët janë më të paharrueshmet, sidomos vizitat në spitale.

“Takimet në spitale janë diçka që kur më kujtohen, mua akoma më dhemb zemra. S’kam bërë më vizita të tilla, nuk mundem.”

Si aktor dhe producent, relativisht aktiv nga paslufta, ai ka përjetuar edhe mënyrën konvencionale të të berit serial apo film, edhe këtë mënyrën sot, pra të bërit diçka për internet. Këtë ai e cilëson si diçka që ka mundësuar promovimin e punës së bërë para dekadash duke e bërë prezente dhe të paharrueshme.

Para pjesëmarrjes në serialin ‘Kafeneja jonë’, Bufi ka pasur edhe shumë role në teatrin Dodona dhe atë Kombëtar, por pastaj ai kaloi edhe në fushën e filmit dhe televizionit. Por, roli i Orhanit mbetet roli që i ka dhënë prezencën më të madhe në jetë.

Familjet kosovare ditën e hënë, pas lajmeve e kanë identifiku me serialin ‘Kafeneja jonë’, kjo tregon mjaftueshëm”, thotë ai, i cili tutje tregon se skena në Kosovë është e vogël, e kultivuar dhe marrëdhënia me publikun është shumë e afërt andaj dhe publiku nuk pranon gjithçka.

“Atëherë kur pranohesh do të thotë se nuk të largojnë lehtë”.

Një nga “meme-t” e preferuara të tij është “Shkallt shkallt..”, por ai beson që më të mirat janë ato që patën ndodhur nëpërmjet improvizimit e në të cilat përfshihet edhe politika, biznesi dhe estrada. Çdo ditë, çdo moment ka qenë i jashtëzakonshëm për të.

Në anën tjetër, është pikërisht Bufi ai i cili shpesh krijon humor dhe në llogari të vetvetes, duke e përdorë edhe fizikun e tij si shembull, gjë që jo çdokush mund ta bëjë. Kjo dëshmon për faktin se ai nuk krijon komedi vetëm për ekranin, por edhe për skenën e jetës. Roli i tij ka gëzuar zemrat e mijëra njerëzve, por qenia e tij ka mbushur shpirtërisht edhe zemrat më të thyera në rrjetet sociale. Bufi shpesh mishërohet me një humor sa të guximshëm, aq edhe të vetëdijshëm. Shakatë i kthen në diçka vetëpërçmuese dhe bart mbi supe papërsosmëri që gjenden edhe brenda plotë njerëzve të tjerë të cilët nuk e kanë forcën për t’iu bë ballë komenteve. Nëpërmjet të qeshurave, qofshin ato për ekran apo jo, Bufi ka krijuar një hendek në shpirtin e atyre që zë nuk kanë por zërin e gjejnë tek statuset e tij në rrjetet sociale. Bufi na rikujton se humori është art, dhuratë e dhënë e jetës që duhet shfrytëzuar në mënyrat më të bukura.

“S’ka si bëhet ndryshe. Nëse bën humor në llogari të vetës, të jepet një të drejtë të vogël që të bësh edhe në llogari të të tjerëve. Nuk kam dhe nuk kam pasur ndonjë individ, humorin e të cilit e kam ndjek ose diçka të tillë. Unë në çdo punë që e bëjë, inspirohem nga përditshmëria, jeta. Nëse puna ime ka arrit me thye ndonjë stereotip, atëherë më vjen mirë. Publiku gjithmonë e ndjen energjinë time dhe në këtë kohë kur kemi një krizë gjigante televizive në Kosovë, komunikimi përmes rrjeteve mbetet një zgjidhje kompromisi”, thotë Spahiu.

Sipas tij, e “meta” e vetme që njerëzit mund të kenë është pjesa e trurit dhe çdo gjë tjetër mund të jetë vetëm vetëkufizim.

“Është në natyrën time toleranca dhe baraspeshimi në çdo gjë, pos në ushqim. Prej krejt gjallesave në tokë, i vetmi është njeriu që është zhvilluar mjaftueshëm për të bërë baraspeshë dhe për të ndarë të saktën nga e gabuara. Shpesh më vjen të shprehem rëndë, për tema të rënda, por kur ndalem e mendoj, them se ndoshta më mirë ta lë ‘nesër’”, thotë Spahiu.

Ekziston një lloj dashurie që kanë fëmijët kur Bufin e shohin në rrugë apo kudo. Dhe kjo pjesë e përmbushë atë më së miri.

Asnjë reagim pozitiv nuk më përmbushë më shumë sesa ai i fëmijëve. Edhe pse, dorën në zemër, s’kam punuar shpesh ndonjë gjë që bëhet enkas për ta, por serialet kanë bërë që të kem një prezencë edhe tek kjo moshë, dhe kjo më bënë të ndihem shumë mirë”, tregon Spahiu, i cili njashtu ka marr pjesë në spektakle të ndryshme që për bazë kanë pasur kauzë bamirësie, ndaj të cilave është munduar të dhurojë një kontribut përmes përfshirjes dhe angazhimit. Ai ato i quan “mirëpërdorim i popullaritetit”.

Nga roli i aktorit, ai kaloi në rolin e producentit. Spahiu dikur ka gdhendur buzëqeshjen me fytyrën e tij, ndërsa tani ai e gdhend nëpërmjet artit të produksionit. Ai ka evoluar zanatin e tij, duke e kthyer një faqe jetësore tutje me kalimin e tij nga para kamerës në pas saj. Spahiu u bë një arkitekt i historive të treguara por edhe të patreguara. Ai, tani, nëpërmjet shtëpisë filmike “Buka Producion” orkestron ëndrrat ndryshe, duke i quar ato në një shkallë më të lartë. Gërsheton narrativa që kapërcejnë kufijtë. Udhëtimi i tij artistik tregon shumë për transformimin e nevojshëm jetësor për një artist.

Spahiu tanimë është një vizionar dhe ai ka prodhuar disa nga filmat më të mirë si: “Distant Angels”, “Cold November”; film i cili pati rrëmbyer çmimin e audiencës në Zurich Film Festival dhe është prezantuar në shumë festivale ndërkombëtare të filmit të cilat kanë rezultuar me dy çmime dhe tre nominime, e po ashtu është filmi i parë i prodhuar në këto troje që mund të shihet në platformën Netflix, “Illyricvm”; filmi i parë për ilirët ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë e që pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Pula, “Sirin”; filmi kandidat i Malit të Zi për Oscar-in e 96-të të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit në kategorinë e Çmimit Ndërkombëtar të Filmit në vitin 2023, “Escort”; premierën botërore e pati në Festivalin e Filmit në Pula.

“Është një moment interesant që kalova në produksion. E vërteta është se unë qysh në fillim kam pas një dëshirë ndërmarrëse. Qysh në studime i blija shfaqjet e mija pastaj organizoja turne të tyre nëpër qytete. Por në vitin 2008 pata vendos me hapë produksionin Buka. Dëshira dhe nevoja për të dalë jashtë kufijve shqipfolës ka qenë njëra prej arsyeve. Por, natyrisht edhe pjesa biznesore që kryesisht vjen nga punët audiovizuale siç janë reklamat etj”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, aktrimi dhe prodhimi janë dy gjëra që lidhen shumë me njëra-tjetrën.

“Ka shumë aktorë në botë por edhe regjisorë që dikur bëhen edhe producent. Si aktor ti kënaqesh më pak me suksesin kolektiv, kënaqësia e aktorit shpesh është “egocentrike” kurse nga pozicioni i producentit, ti ke një kënaqësi më të përgjithshme. Të kënaq loja e aktorit, performanca e drejtorit të fotografisë, të kënaq edhe shoferi i mirë në set. Pra, është diçka më madhore, më kolektive”, tregon ai.

Ai tutje ka thënë se e ndjen veten se nuk është tamam një producent konvencional dhe i saktë. Ai mendon se nuk është as një producent nëse flitet se si funksionin një i tillë.

“Unë jam pra një artistoproducent intuitiv, ku marrëdhënia njerëzore në mes të regjisorit dhe producentit është në plan të parë. Dashuria për skenarin është në plan të parë dhe asnjëherë numrat.”

Ajo se çka e tërheq atë më së shumti drejt një projekti të caktuar është skenari dhe ëndrra e përbashkët me regjisorin dhe pjesën tjetër të ekipit. Dhe, të qenit një aktor, do të thotë se ke mësuar një perspektivë tjetër brenda artit të produksionit.

Në çdo punë pra edhe në prodhim, nëse ti nga një projekt nuk del me një mik më shumë sesa që kishe para tij, atëherë nuk ke bërë asgjë. Në anën tjetër, unë realisht besoj në brezin e ri, edhe pse në Kosovë jemi të gjithë brez i ri. Por, së fundmi kam lexuar disa skenarë mahnitës dhe me shpresë që do t’i shoh tek realizohen”, tregon tutje Spahiu, i cili pastaj thotë se i vetmi problem për të luajtur një rol tani si aktor, tanimë mbetet tek pjesa konsumuese që ka roli i producentit mbi të.

Sipas tij, nuk ka asnjë përfitim nga kjo fushë përpos honorarit si producent i filmave të llojit që bëhen nga shtëpia filmike ‘Buka’.

Ka lavdi dhe vetëpërmbushje. Shembull si producent; disa nga filmat e mi janë prezantuar atje ku diplomacia nuk ka asnjë shans për të depërtuar. Ka pasur momente kur shtetet mosnjohëse na kanë prezantuar si: Fatmir Spahiu nga Repbulika e Kosovës, e shumë gjëra të tjera që nuk maten me të hyra materiale”, tregon ai.

Gjithashtu, filmi “Luna Park” është projekti më i fundit që vjen në bashkëprodhim me shtëpinë filmike ‘Buka’ (producent Fatmir Spahiu Bufi), derisa në rol kryesor është edhe aktorja nga Kosova Adriana Matoshi së bashku me Orion Jolldashin.

Filmi është dhënë Premierë Rajonale në Festivalin e 65-të Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, dhe po ashtu ka qenë pjesë e edicionit të 55-të të Festivalit të Filmit Ndërkombëtar në Indi, GOA.

“Filmi ‘Luna Park’ është filmi i fundit i shfaqur në të cilin unë jam bashkëprodhues me Shqipërinë si shteti kryesor prodhues i këtij filmi. Jam jashtëzakonisht i lumtur sepse ky bashkëpunim ka sjellë një super aktore kosovare në një rol kryesor të një drame të jashtëzakonshme e emotive të cilën audienca mbarëshqiptare do ta dashuroj. Rolin kryesor e luan Adriana Matoshi kurse Florenc Papas është regjisori dhe skenaristi. Besoj në fund të muajit Janar, ky film do ta ketë premierën e vetë në Kosovë”, shpalos Spahiu.

Së shpejti, pritet edhe premiera e radhës së një bashkëprodhimi tjetër filmik, të titulluar “Vidra” me skenar të Stefan Boskovic e regji të Srdjan Vuletic, në të cilin luan edhe vetë aktori Fatmir Spahiu. Përkatësisht, premiera pritet të jetë në fillim të vitit 2025 dhe në këtë projekt merr pjesë edhe shtëpia filmike ‘Buka’ nën petkun e Fatmir Spahiut.

Krejt në fund të kësaj interviste, aktori i ekranit, teatrit dhe producenti kosovar, Fatmir Spahiu, ka thënë se viti 2024 për të ka qenë një vit i mirë, i qetë dhe i shëndetshëm. Ai lexuesve të KultPlus-it u ka uruar një vit të mbarë, ndërsa ka falënderuar ekipin e KultPlus për punën e madhe që bëhet për kulturën./ KultPlus.com

Të ngjajshme