30 Dhjetor, 2023 - 5:06 pm
Uranik Emini
Procesi i të bërit një sipërmarrës ose një “enterprenuer” siç njihet më së miri në gjuhën angleze, është një rrugëtim e proces i vështirë. Situatat nëpër të cilat duhet të kaloni, pa përfshirë akoma sfidat, nuk janë aspak të lehta. Njëri prej ndërmarrësve në Kosovë, Ermal Sadiku, i cili është drejtor menaxhues në kompaninë “LinkPlus”, e vetmja kompani e shërbimeve të ICT, ka ndarë shumëçka nga jeta e tij për të na futur në udhëtimin e një bote të mbushur me befasi. Rrugëtimi i tij nga një fëmijë adhurues i shkencës në një lider të suksesshëm biznesi. Reflektimet e tij ofrojnë një pasqyrë unike në kryqëzimin e suksesshëm të teknologjisë, sipërmarrjes dhe rritjes personale, shkruan KultPlus.
Ermali kujton fëmijërinë e tij me një afinitet të thellë për librin dhe mësimin, duke e përshkruar veten si “shumë i tërhekun dhe shumë i dhënë mas librave”, duke vënë në pah pasionin e tij të hershëm për dijen.
“Unë si fëmijë kam qenë shumë i tërhekun dhe shumë i dhënë mas librave, me thënë ashtu shkencës sepse pak po tingëllon palidhje me thënë shkencës si fëmijë, por i dhënë pas diturisë. Kam qenë nxënësi më i mirë në shkollën “Dardania”, syzat e mdhaja, floktë e rritura. Më kanë rritur dy prindër që e kanë vlerësuar diturinë, por në përgjithësi kam qenë njeri shumë i mbyllur. E kam paramenduar gjithnjë vetën si një shkencëtar, shkencë ose inxhinieri. Prindërit kanë ndikuar që unë gjithnjë do të vazhdoj biznesin e familjes sa i përket barnatores. E kam dashtë shkencë, e sot e kësaj dite nëse du të lexoj diçka kjo është pikërisht, astronomi, fizikë, kimi etj. Atëherë nuk e kam kuptu që Kosova të limiton në shumë gjëra, edhe pse ka shumë njerëz që punojnë nëpër MTI, NASA etj, numri është qaq i vogël saqë kaniher nuk është veç që i jep zorr, por është kapak që ke fat, kapak një të shtyrë dikun. Po unë kam qenë i dhënë shumë pas diturisë si fëmijë”.
Kjo prirje drejt mësimit i dha formë ekselencës së tij akademike në shkollën “Dardania”, ku shquhej si djaloshi me “syzat e mdhaja” dhe “floktë e rritura”.
“Më kujtohet një rast si fëmijë kur vendosa që të shkoj në ““Xhevdet Dodë”, ”, dhe motra ime më ka thënë: ki kujdes, se atje në “Xhevdet Dodë”, shkojnë të gjithë nxënësit më të mirë të Prishtinës dhe Kosovës, ti je mësu me qenë më i miri këtu dhe atje mundesh me taku njerëz dhe me e lëndu egon tënde, sepse në përgjithësi ajo donte të më thoshte se ka shumë njerëz atje që mund të jenë më të mirë se ti. Mu më kujtohet, sepse motrën e du tepër shumë, e kom marrë këtë fjali pak me një far inati dhe kom shku në “Xhevdet Dodë”, e jam bërë më i miri edhe atje. Kjo për mu është një gjë që më identifikon. Kur e definoj dhe e marrë pak me inati e personale ni diçka, tani jam në gjendje që malet me i ça për me mrri qaty. Por, problemi më të madh në botë, e kam që si marrë shumë gjërat me inati, nuk kam qenë shumë xheloz në jetë, por atëherë kur e kom marr një sen, kom mu bo më i mirë, tani e kom qasi vullneti saqë nuk shkoqem deri sa ta përfundoj”.
Problemi është që nuk i qes vetes shumë synime të mëdha, edhe nashta pse jam emocional edhe lëndohem lehtë. Këtu bijnë në ndesh me njëra tjetrën, në momentin kur t’i vendosë pikësynime të mëdha, duhesh me i lonë emocionet anash, pasi ato mund të të shtrëngojnë e të ngulfasin. E unë jam pak si emocional, si i tërhekun kam qenë gjatë jetës. Kurrë se paramendoj sot që jam kështu. Me i pas thonë atij Ermalit të ri, që ti ki me dal në televizione, ki me fol para njerëzve, do të jesh me setër etj, kish me qenë seni më qesharak në botë. Ermali i kaluar ska mujt me thonë një vjerrshë para publikut. Më kujtohet si sot, kur si fëmijë më kanë zgjedhur që ta them një vjerrshë dhe nuk mund të përballoja presionin të jem para publikut.
Rrugëtimi i Sadikut nga një fëmijë i ndrojtur, që ndjehej i turpshëm për të recituar një poezi në publik, në një sipërmarrës të sigurt e stabil, është frymëzuese. Përvojat e tij në “Xhevdet Dodë” luajtën një rol të rëndësishëm në këtë transformim. Këtu, ai jo vetëm shkëlqeu akademikisht, por filloi të mendonte edhe lidershipin, duke u bërë kryetar i shkollës që në moshën 16-vjeçare.
Edhe në “Xhevdet Dodë”, kam qenë më i miri në gjeneratë dhe kam fillu që të punoj në gazetë të shkollës, dhe jam mësuar që të punoj në grupe, më janë hapur vizionet që të delegoj detyra. Aty ishte një “defining moment” ku fillova me marr një vetëbesim edhe një aspektin menaxherial. Në vitin e dytë të shkollës së mesme zgjedhem kryetari i shkollës, pastaj vazhdon edhe në vitin tjetër, në moshën 16 vjeçare dhe kjo ma jep një ide të të qenurit menaxher, ideja e parë që më ka ardhur. Momenti i parë ku një fëmijë i dhënë pas shkencës, fillon me përjetu edhe idenë e lidershipit”.
Ai e reflekton këtë si një moment përcaktues që e kaloi atë nga një entuziast i shkencës në dikë që mund ta shihte veten si lider.
“Shumë njerëz që nuk e përjetojnë këtë gjë në rini, kurrë nuk mund ta mrrijnë atë gjatë viteve të tjera. Këtu mund të themi se ka qenë një lloj tranzicioni që e kam pas, në mentalitet dhe synim, në dikë që mund ta shoh tani vetën edhe si udhëheqës. Aty kam thënë që unë po mujsha. Prej “Xhevdet Dodë-s”,pata vendos që të shkoj në Inxhinieri Elektrike”.
I rritur nga prindër që vlerësonin dijen, Ermali fillimisht parashikoi një të ardhme në shkencë apo inxhinieri. Megjithatë, biznesi i familjes së tij në farmaci ndikoi në rrugën e tij të hershme të karrierës. Pavarësisht kësaj, dashuria e tij për shkencën, veçanërisht astronominë, fizikën dhe kiminë, mbeti një burim i vazhdueshëm frymëzimi.
“Unë jam një djal dhe në Kosovë është ideja që djali e udhëheqë një biznes. Unë edhe para-pranimit në fakultet kam mësu biologji e fizikë se e kom ditë që shkoj në farmaci, por 2 javë para provimit pranus jom kon 100 për qind i sigurt që kom me shku në mjekësi. Dy gjëra kanë ndikuar te unë shumë, në 1996 kur prindërit e patën ble një kompjuter dhe më është ndryshu koncepti jem”.
Vendimi për të kaluar nga farmacia në inxhinieri u ndikua nga ekspozimi i Ermalit ndaj teknologjisë. Ardhja e një kompjuteri familjar në 1996 dhe një kurs Cisco në 2000 ishin momentet kryesore
“Kam hyrë në botën e kompjuterit ngadalë dhe në vitin 2000 prindërit më ndihmojnë të regjistrohem me një kurs të CISCO-s, ka qenë klasa e parë e këtij lloji në Kosovë, me një grup rreth 12 vetave. Edhe vet ideja që kisha kompjuter në shtëpi qe një kohë të gjatë, edhe ideja që shkova me një kurs të CISCO-s, e unë filloj edhe me lexu cka është duke ndodhë në botë”.
Këto përvoja i hapën sytë drejt botës së gjigantëve të teknologjisë si Google dhe Microsoft, duke e shtyrë atë të ndiqej në Inxhinieri Elektrike.
“I gjithë interneti në atë kohë fliste për Google, Microsoft, IBM, Siemens, BOSCH, Samsung. Dhe thash që unë me barnatore mund të bëjë, më së shumti hapjen e disa pikave në Kosovë, por nuk shihja diçka më shumë se financiare dhe nuk ishte aspak intriguese për ndjenjat e mia ndaj laboratorit e shkencës. Dy javë përpara, vendosa që ta ndryshoj drejtimin tim për fakultet edhe pse në fillim nuk i kam treguar prindërve, por megjithatë ata (edhe pse u ndjenë keq, jam i sigurt për këtë) e pranuan një gjë të tillë dhe më mbështeten tutje. Unë teknikisht kam qenë nxënës i mirë, por asnjëherë s’kam qenë pedant i madh. Hala nuk jam. Është një prej të këqijave që i kam në jetë, nuk jam i njohur si pedant. Funksionoj në formën me kaos, dhe kjo më bën që të jem i gjindshëm në shumë sene. Pasi që jam mësuar të funksionoj me kaos, tash mundem me u marr me shumë start-ups, me kompani, me dalë me fol në televizor, me shënu në Facebook, por edhe me i udhëheq dy-tri kompani të teknologjisë”.
Zhvendosja e karrierës dhe “vjedhja” e zantit nëpër kompani të ndryshme të teknologjisë. Sadiku rrëfen për KultPlus se kishte punuar edhe më herët në një kompani, megjithatë si punë të parë e konsideron atë kur iu desh të vishej me kat dhe të shkonte me kohë e orar në punë.
“Jam pranu i pari në listë dhe kom vazhdu me Inxhinieri Elektrike në FIEK, e paralelisht pata filluar edhe studiment në Shkenca Kompjuterike, por unë nuk munda të i përcjellja të dyjat dhe vendosa ta lë njërën, në këtë rast Shkencat Kompjuterike. Fakulltetin e kom pa në formën si një “derë” për të ardhmen. P.sh. me shku me bo një master jashtë, qysh me u sjellë me njerëz, qysh me kuptu forma të reja, etj. Pas FIEK-ut kom hi me punu në Kosovë, dy kompanitë më të mëdha në atë kohë, në ProNet dhe Cacttus, të cilët i falënderoj shumë. I kom pa shumë gjëra në këto kompani, si p.sh. qysh duhet stafi me pas kërkesa për me marr pushim, qysh është pjesa e një intervisteje, e unë kam vjedhur gjëra për të ardhmen. Kur i kom pa kompanitë në atë kohë, kam qenë i papjekun në aspektin e ndërmarrësisë, por gjithnjë kam pas andërr që me pas një Cacttus temin, një kompani sikurse “Rrota”. Megjithatë, një kompani që më ka ndezur një dritë është “Trecisi”, ekip që merrej me teknologji, që thjesht bijke pare në Kosovë, zhvillonte kuadro të reja që i trajnonin, teknologjia. Ideja e parë për me hap një kompani ka qenë aty”.
Qasja e tij ndaj kulturës së punës u formësua ndjeshëm nga koha e tij në Gjermani, ku mësoi rëndësinë e respektimit të punëtorëve dhe ekuilibrit punë-jetë.
“Gjermania më ka ndryshu shumë si person në çasje, atje kam shku në Master nga viti 2007. Gjermania më ka mësuar shumë gjëra interesante që ja vlen me i cek, siç ka të bëjë me sjelljen ndaj punëtorit, i cili është pa si koleg, si bashkëpunëtor e as si skllav e as si shok. Ju ke përmbajt të gjitha rregullave, dhe nuk është konsideru sukses në qoftë se i ke qitë rrogat me kohë, ajo ka qenë diçka normale dhe obligative. Sjellja ndaj punëtor ka qenë ndryshe atje. Puna në festa zyrtare atje nuk bëhej, e shumë gjëra të tjera të cilat akoma janë të pranishme te ne. Unë këto gjëra i kam ndaluar në fillim, kur kam vendos me bo kompani temën, kom thonë që edhe nëse bëhet ndonjëherë ulja e rrogave, le të bëhet nga lart e poshtë, jo nga punëtori, por nga drejtori etj. Ligji i punës respektohet 100 për qind, rregullat, pushimet, e gjëra respektohen 100 për qind. Këto i kom vendos nga dita e parë dhe nuk jom dorëzu ndaj presionit”.
Një aspekt domethënës i rrëfimit të Ermalit është besimi i tij në ekuilibrin punë-jetë dhe të mos mbytet nga puna. Ai flet për qasjen e tij ndaj punës, ku vlerëson fleksibilitetin dhe efikasitetin mbi orët e ‘rrepta’ të zyrës, një filozofi të cilën e ka zbatuar në LinkPlus që nga viti 2013.
“Seni i dytë që e kom bo është me e heq orarin e punës, në vitin 2013, nuk ka orar të punës por vlerësohet nëse po i kryn detyrat me kohë. Në po atë vit, e kom hek edhe pjesën që me punu nga zyrja obligativisht, kush dëshiron me ardhë mundet, kush nuk don ka mujt me punu nga shtëpia që nga viti 2013. Unë nuk mendoj që shqiptarët janë dembela, mendoj që shqiptarët janë paguar pak dhe kjo i ka bërë dembela. I kom qëndru stoikisht mbrapa këtyre vendimeve, hala nuk ka rëndësi në sa ora vjen në punë, me rëndësi është me u kry punët me kohë. Nuk muj me duru dikë që nuk vjen në ora 09:00, atëherë kur vendoset takimi, nëse teknikisht je tu e kry një punë vetë, kryje nga cilido vend. Por, kur ka punë, duhet të përfundohen. Kualiteti dhe puna është primare, administrata dhe operimi është diçka sekondare. Edhe pse në fillim ka qenë shumë e çuditshme për kompanitë e tjera, tani është implementuar në shumë prej tyre. Kjo ka ndiku që pothuajse asnjë kompani këtu në Kosovë nuk na merr punëtorët neve”.
Rrugëtimi i Ermalit në sipërmarrje filloi me ZagApps dhe përfundimisht çoi në themelimin e LinkPlus.
“Hapja e LinkPlus është pak e rastësishme, por është kombinim i dy gjërave: punë dhe fat. Fillimisht, ZagApps është një kompani në të cilin e kemi pasur së bashku me disa djem. Atje kam pas detyrën që me gjet punë e klienta, një business development. Kam fillu me i shkru njerëzve, duke fillu prej shqiptarëve të suksesshëm në LinkedIn. I kam shënu në atë kohë një drejtorit shqiptar me një kompani diku në Kanadë. Më pas, një reagim ka ardhë edhe nga ky person dhe kemi rënë në dakordim që të fillojmë bashkëpunimin. E dyta ka qenë “fati” kur ZagApps fillon me ra si kompani dhe unë largohem prej aty. Pastaj, unë kam vazhdu bashkëpunimin me këtë personin që i kam shënu dhe kam punu së bashku me të. Më pas, kam filluar me u taku me njerëz, me intervistë kolegë të rinj, me gjet klienta të ri. E më pas, prej një punëtori unë kam fillu edhe me emërtim si LinkPlus”.
Nën drejtimin e Ermalit, LinkPlus ka parë një rritje të jashtëzakonshme, duke u ofruar klientëve nga rreth 20 vende të ndryshme shërbime të ndryshme.
Është e vështirë me gjet klienta kur ti nuk shet diçka, por zhvillon një gjë të tillë, inxhinieria softuerike është një gjë shumë e re dhe shumë e ndishme. Sot të gjitha platformat dhe çdo gjë tjetër mbahen me sisteme të inxhinierisë softuerike, një gabim i vogël mund të shkaktojë shumë probleme të mëdha. Për këtë arsye është vështirë që me u rrit. Edhe njerëzit që merren me këtë fushë, nuk janë të mjaftueshëm. Klientin e dytë e kemi gjet me një konferencë në Gjermani, ku e kam prezentu kompaninë më të vogël dhe më të rejën prej 10 njerëzve që kanë qenë aty, aty ishin edhe disa kompani të tjera, megjithatë ndoshta për shkak që jam duk më bindës edhe prezantimi, një kompani më përzgjodhi mua që të vazhdojmë tutje. Edhe pse janë bërë 8 vite bashkëpunim, ne vazhdojmë që të kemi bashkëpunim”.
Ai shpreh krenarinë për marrëdhëniet afatgjata me klientët e kompanisë dhe është optimist për të ardhmen e saj.
“Pas kësaj ka vazhdu rritja, kemi fillu me bashkëpunu me klienta të rinj, nga e gjithë bota, rreth 20 shtete të ndryshme. Shumica e klientëve janë afatgjatë, kjo për shkak të punës që e kemi ofru. Kjo e tregon një krenari të punës. Gjithnjë me klientat mundohemi me i mbajt një hap më shumë se vendet e tjera, kjo për fatkeqësinë që gjendet Kosova. Ne nuk njihemi si vend që merret me IT, që ka brand të mirë, ose diçka tjetër. Megjithatë, ne i japim shumë rëndësi sjelljes ndaj klientit”.
Një nga sfidat më të mëdha të Sadikut me LinkPlus ka qenë përshtatja me tregun evropian dhe trajnimi i stafit të tij për të përmbushur kërkesat e klientave. Ai gjithashtu thekson një çështje më të gjerë në industrinë e TI-së në Kosovë, duke vënë në dukje numrin e ulët të programuesve në krahasim me vendet fqinje dhe mungesën e prioritizimit të IT-së në rajon.
“Programimi në Kosovë është shumë ma pak i rëndësishëm sesa që duhet me qenë. Kosova nuk i ka as 5 mijë programera, e vendet e rajonit kanë shumë më shumë se ne. Kjo ka ardhë si rezultat që vendet e tjera e kanë pa këtë trend në rritje dhe kanë vepru përpara neve. IT nuk është as prioritet në Kosovë. Paret që hyjnë në IT janë tepër të vogla, ndihma është e vogël dhe nganjëherë hiç. Kjo ndikon që populli mos me e marr shumë seriozisht këtë punë”.
Për Sadikun, fëmijët e tij janë arritjet e tij më domethënëse dhe ai vlerëson momentet me familjen e tij mbi mundësitë e mundshme të biznesit. Kjo filozofi shtrihet në qasjen e tij ndaj suksesit; ndërkohë që është i shtyrë dhe ambicioz, ai nuk i lë këto tipare t’i lënë në hije jetën dhe vlerat e tij personale.
“Unë kaosin e kam pasur të “lindur” dhe ashtu funksionoj, por megjithatë është shumë e vështirë. Unë para se të bëhem ndërmarrës jam baba, dhe kjo është më e rëndësishmja dhe primare në jetë. Shumë ndërmarrës kanë dëshirë që të bëjnë unicorns (kompani që vlejnë mbi një miliardë) por unë i kam dy të tillë, dy fëmijë në shtëpi, një djalë dhe një çikë. Ata i kam më të vlefshmit në botë. Nuk jam i etur pas suksesit aq sa mund të dukem në internet, por në anën tjetër e kam një zjarr brenda vetes që më vlon dhe bëjë produkte të ndryshme. Një prej tyre është HR Bee, një tjetër Coders Lab, produkte që i kam maru, i kam shitë e vazhdoj prapë me provu gjëra të tjera, edhe nëse dështojnë. Teknikisht, nuk jam që e sakrifikoj gjënë primare në jetë për këto gjëra. Suksesi profesional ka me qenë me mua gjatë gjithë jetës, por nuk jam shumë i etur që më i lon gjërat tjera anash. Mes leximit të një libre dhe takimin me ndonjë klient të mundshëm potencial, unë do ta lexoj librin sepse më përmbush si njeri. Mes një kafesë me nënën tem, dhe mes një takimi ne ndonjë klient, unë gjithmonë do ta zgjedhja një kafe me nënën. Paraqitja në studio televizive më bën të ndihem i përmbushun dhe jo diçka shumë e madhe. Mendoj që nëse i ke prioritetet e qarta, me rregull e me rend, atëherë në këtë formë shkon”.
LinkPlus ka evoluar nën udhëheqjen e Sadikut, me pritshmëri për rritje të vazhdueshme në vitet e ardhshme. Ai flet me krenari për suksesin e HR Bee, një dëshmi e lidershipit të tij efektiv. Njoftimi i tij për lançimin e dy produkteve të reja në vitin e ardhshëm, një në ushqim dhe një tjetër në teknologji, tregon mentalitetin e tij për të vazhduar përpara dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë në krijimin e gjërave të reja dhe të dobishme te audienca, pa pasur frikën e dështimit.
“Kompania ka ardhur me një moment që është një tren ose lum që lëviz dhe janë klientat, mid-level managementi që dinë ta udhëheqin kompaninë pa ndikim të madh temin, po shpresoj që vitin e ardhshëm ka me u rritë, siç e kemi zakonisht 10-15 për qind. HR Bee është bërë një super start-up, 500 për qind rritje kemi pas gjatë këtij viti. Dy produkte të tjera do t’i lansoj gjatë vitit tjetër, njëra ka të bëjë diçka me ushqim dhe tjetra më shumë me teknologji”.
Ermali thekson rëndësinë e leximit dhe të menduarit jashtë kutisë. Ai inkurajon të rinjtë që të zgjerojnë horizontet e tyre përtej fushave të tyre profesionale, duke theksuar se njohuritë e përgjithshme dhe interesat e ndryshme mund të kontribuojnë ndjeshëm në suksesin në biznes dhe jetë.
“Unë kisha thonë sa ma shumë me lexu. Shumë shpesh ki nevojë me marr me lexu gjëra që s’kanë të bëjnë me profesionin tënd ose industrinë tënde. Mënyra e vetme me pas sot sukses, kur ki kaq shumë konkurrenc, është me mëndu jashtë kutisë, out of the box dhe del një problem nuk dinë si me iu qas. Unë kisha pas qef me ju thonë njerëzve me lexu libra që janë romane të dashurisë, të jetës, të Hugos, të Dostojevskit, një gjë e tillë do t’iu ndihmojë shumë përpara. Më të qasshëm nëpër botë. Njohuria e përgjithshme është e mirë edhe në zhvillimin e bizneseve specifike, por edhe të bën të dallueshëm nga të tjerët”.
Historia e tij, e shoqëruar nga momente dhe vendime kryesore, nxjerr në pah rëndësinë e ndryshimit dhe ndjekjes së interesave tua personale, edhe kur ato devijojnë nga rruga e pritur. Përvojat dhe njohuritë e tij nuk janë vetëm një tregim i arritjeve personale, por edhe një udhëzues i vlefshëm për sipërmarrësit aspirues dhe individët në çdo fushë që përpiqen për rritje dhe sukses. Pasioni për punë, dhe ideja për të qëndruar sa më shumë në “kaos”, në mënyrë që të krijoi e të bëjë gjëra të tjera, janë disa tipare që i japin kuptim mënyrës se si ai jeton.