22 Janar, 2020 - 3:17 pm
(Studimet ballkanike në Bullgari)
Bisedë me Ekaterina Tarpomanova, profesoreshë dhe udhëheqëse e Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme Indoeuropiane dhe Ballkanike.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana.: E nderuar profesoreshë Ekaterina, ju keni studiuar në Katedrën e Gjuhësisë së Përgjithshme, Indoeuropiane dhe Ballkanike pranë Fakultetit të Sllavistikës të Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit”, në këtë katedër ofrohen programe të gjera studimi edhe për gjuhë të tjera ballkanike, çfarë ju tërhoqi më shumë te gjuha dhe letërsia shqipe që zgjodhët për ta studiuar?
Ekaterina Tarpomanova: Kam studiuar në Universitetin e Sofjes, në degën e Ballkanistikës. Katedra është themeluar para shumë viteve, por studimet e Ballkanistikës që ofrohen në Universitet janë diçka relativisht më e re, që u themeluanë në vitin 1994 nga profesotërt tanë, Petja Asenova dhe Zhivko Bojaxhiev. Në qendër të studimeve të ballkanistikës vihet Bashkimi gjuhësor ballkanik, pra bullgarishtja, shqipja, rumanishtja dhe greqishtja – gjuhët, që në saje të kontakteve shekullore kanë zhvilluar karakteristika të përbashkëta gramatikore. Ideja e themeluesve të degës ishte që studentët të mësojnë tri gjuhët e huaja, me numër të barabartë të mësimeve. Këtë ide e respektojmë deri më sot. Kështu që studentët e Ballkanistikës nuk kanë për të bërë zgjedhje ndërmjet gjuhëve, i mësojnë të gjitha gjuhët. Për mua, mund të them se edhe unë nuk e bëra zgjedhjen time vetë, disi dhe më tepër e bëri fati, duke më takuar me profesoreshë Rusana Bejlerin. Asaj ia detyroj dashurinë që kam për gjuhën shqipe.
M.: Pas mbarimit të studimeve u angazhuat si profesoreshë, ndërkaq tani e drejtoni vetë katedrën, a mund të na flisni më shumë për programet që ofroni për studimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe?
E.T.: Universiteti i Sofjes ishte vendi i parë në Bullgari, ku ofrohej studimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pastaj edhe universitetet e tjera, duke ndjekur modelin tonë, ofrojnë studime të ngjashme. Që nga krijimi i progamit të degës së Ballkanistikës, ndërkaq janë bërë pak ndryshime, kemi ruajtur konceptin e profesorëve tanë. Lëndët e degës mund t’i ndajmë në tri pjesë – gjuhë (dhe gjuhësi), letërsi dhe histori. Mësohen tri gjuhët ballkanike – shqipja, greqishtja dhe rumanishtja. Studentët mund të formohen si përkthyes profesionistë me çdonjërën nga këto. Cikli gjuhësor përfundon me gjuhësi ballkanike, lëndë, e cila i njeh studentët me tiparet e përbashkëta të gjuhëve ballkanike, si dhe me shkaqet për zhvillimin e tyre. Studentët njihen me letërsitë kombëtare të Ballkanit dhe po kaq me kulturën e popujve ballkanikë. Në mënyrë të ngjashme, dituritë për letërsitë kombëtare, njihen dhe përgjithësohen me një lëndë të pasur krahasuese. E gjitha kjo, prezantohet në sfondin e ngjarjeve historike, që nga periudha antike deri në zhvillimet bashkëkohore. Krenohemi se studentët tanë bëhen specialistë me një pikëpamje shumë të gjerë për Ballkanin në kontekst europian dhe botëror.
M.: Të mbash gjallë dhe të thellosh studimet për një gjuhë të vjetër që flitet në disa vende të vogla europiane, siç është gjuha shqipe, sigurisht që nuk është e lehtë. Në raste të tilla na intereson më shumë që të dimë nëse keni mbështetje nga Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës, apo vetëm nga Qeveria Bullgare?
E.T.: Kemi kontakte shumë të mira me disa universitete në Shqipëri dhe Kosovë, veçanërisht me Universitetin e Prishtinës, por përgjithësisht na mungon mbështetja në nivel shtetëror dhe qeveritar. Më tepër shpresojmë te kontaktet tona personale me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova. Çdo vit, për shembull studentët tanë marrin pjesë në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe që organizohet nga Universiteti i Prishtinës. Disa vite me radhë kemi paraqitur studentë edhe në seminarin e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës, por për të aplikohet në Ministrinë e Arsimit dhe procedura e mundësisë për të qenë të pranishëm, është mjaft e komplikuar.
M.: Sa është sfidues procesi i plotësimit të nevojave me staf të plotë akademik për lëndët e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe në mesin e profesorëve a ka ndojë profesor/eshë që vjen nga Shqipëria dhe Kosova?
E.T.: Meqenëse gjuha dhe letërsia shqipe studiohen në kuadër të proceseve të Ballkanit, ne parapëlqejmë specialistë me profil më të gjerë. Aktualisht kemi një specialiste të shkëlqyer në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, profesoreshë Rusana Bejleri. Me mësimet e gjuhës merret gjithashtu kolegu Anton Pançev. Profesorë nga Shqipëria dhe Kosova na vizitojnë, kur kemi raste të veçanta, por nuk kemi mundësi të mbajmë profesorë të rregullt nga vendet e huaja.
M.: Sofja është e njohur si një nga qendrat që ka siguruar qëndrueshmëri në zhvillimin e programve dhe numrin më të madh të studentëve, të cilët janë të interesuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, si janë prirjet e fundit dhe cilat janë arsyet më të shpeshta që të rinjtë bullgarë zgjedhin për të mësuar dhe studiuar këtë gjuhë?
E.T.: Zakonisht pranojmë 15-20 studentë, sipas përvojës së deritanishme ky është numri i mundshëm për degën tonë. Dëshira jonë është që të tërheqim të rinj me interes të thellë ndaj Ballkanit dhe proceseve gjuhësore, kulturore, historike dhe politike në rajonin tonë. Pastaj gjatë studimeve çdonjëri orientohet dhe zgjedh atë fushë që i duket interesante ose e dobishme, për të thelluar njohjen dhe komunikimin e zgjeruar. Puna jonë është që t’u ofrojmë mundësi të ndryshme të rinjve. Pas mbarimit të studimeve në këto fusha, ata kanë rrugë të ndryshme profesionale si specialistë të shkolluar për çështjet ballkanike. Për gjuhën dhe letërsinë shqipe i motivojmë me argumentet se do të jenë specialistë të vlerësuar, sepse në kohët tona çdonjëri e di anglishten, por sa janë njerëzit që e njohin mirë një gjuhë të rrallë si shqipja dhe një kulturë interesante si kultura shqiptare?
M.: A mund të na njoftosh për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit për studentët jo bullgarë, meqë gjithnjë e më shumë kemi të interesuar nga Kosova që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit”, si një nga universitet më prestigjioze në Bullgari?
E.T.: Procedurat edhe për këtë universitet janë standard, si për çdo të huaj që dëshiron të aplikojë në një universitet bullgar, nuk ka diçka të veçantë për degën tonë. Por studentët e huaj duhet të kenë parasysh se tani për tani ne ofrojmë studime vetëm në gjuhën bullgare, pra atyre u ofrohen kurse të bullgarishtes, të cilat zakonisht zgjasin një vit. Një mundësi tjetër dhe shumë e mirë janë programet e mobilitetit të studentëve, për shembull programi Erasmus. Universiteti i Sofjes ka marrëveshje me Universitetin e Tiranës, por ndërkohë po përgatitet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës, e cila shpresoj se do të jetë gati vitin tjetër. Pra studentët e secilës hapësirë, që kanë dëshirë të aplikojnë, i pranojmë me kënaqësi.
M.: Gjatë studimeve tuaja, në cilën periudhë letrare dhe tek cilët autorë jeni ndaluar më shumë dhe pse?
E.T.: Përpiqemi t’i përfshijmë të gjitha periudhat e letërsisë shqiptare, me autorët më përfaqësues, që nga autorët e vjetër – Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, pastaj letërsia e Rilindjes me autorët më të rëndësishëm – Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Andon Zako Çajupi, Asdreni, etj. , deri në periudhën moderne me Ismail Kadarenë, Rexhep Qosjen etj. Prezantojmë gjithashtu vepra të prozës, poezisë dhe të dramës.
M.: Tani, për vendet e Ballkanit Perëndimor ofrohen programe të ndryshme bashkëpunimi (në nivelin e arsimit të lartë), sa jeni të përfshirë në këto programe, gjithnjë në funksion të bashkëpunimit rajonal?
E.T.: Nuk kemi programe të posaçme për Ballkanin Perëndimor përsa i përket arsimit të lartë. Bashkëpunimi, kryesisht realizohet ndërmjet marrëveshjeve midis universiteteve, kurse në nivel shtetëror veprohet përmes marrëveshjesh ndërshtetërore.
M.: Në gjuhën bullgare, krahasuar me gjuhët e tjera ballkanike, kemi të përkthyer një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh shqiptarë (rreth 100), falë kontributit të çmuar të pararadhësve tuaj në Universitet. Kjo traditë e mirë e përkthimit po vazhdon edhe nga studentët aktualë, por a mund të flasim për përzgjedhjen e autorëve vepra e të cilëve hyn në procesin e përkthimi, si bëhët përzgjedhja?
E.T.: Kur fjala është për studentët, përkthimi ka dy qëllime – nga njëra anë të popullarizohet letërsia shqiptare para publikut bullgar, pra të njihet sa më gjerë, por nga ana tjetër përkthimi është një fushë e veçantë, e cila është e dobishme për vetë studentët. Studimi i çdo gjuhe në degën e Ballkanistikës përfundon me një provim, i cili në mes të tjerash përmban përkthimin e një vepre origjinale. Zgjedhja e autorit, zakonisht bëhet nga studentët. Të rinjtë me talent të shfaqur, të cilët kanë dëshirë të merren me përkthim artistik, pa e vënë në dyshim, kanë mbështetjen tonë. Frymëzimin e marrin nga pedagogët e tyre, Rusana dhe Antoni, ne si institucion përpiqemi që të sigurojmë botimin e librit dhe prezantimin e tij para publikut.
M.: Bazuar në mendimet e kritikës letrare, por edhe interesimet e studentëve, cilët janë shkrimtarët më të vlerësuar?
E.T.: Në Bullgari, pa dyshim autori më i njohur është Ismail Kadareja, ai njihet si nga kritikët letrarë, ashtu edhe nga lexuesit. Fatkeqësisht letërsia shqiptare nuk është aq e njohur tek ne, por ne përpiqemi ta ndryshojmë këtë. Mendoj se pas dështimit të regjimeve komuniste, lidhjet midis vendeve të Ballkanit kaluan në një nivel të ndryshëm. Ne dalëngadalë po hapemi për njëri-tjetrin, e zbulojmë njëri-tjetrin, kapërcejmë dyshimin, indiferencën, konfliktet. Jam optimiste për të ardhmen e Ballkanit në Europën e bashkuar. Besoj se rruga më e mirë është njohja e gjuhës, letërsisë dhe kulturës. Ja këtu e sheh rolin e madh të studimeve që ne ofrojmë.
M.: A mund të na thoni se me çfarë jeni duke u marrë aktualisht në fushën e filologjisë dhe albanologjisë?
E.T.: Unë jam gjuhëtare dhe merrem me analizën e proceseve në situatën e bashkimit gjuhësor ballkanik, me theks të veçantë mbi studimin krahasues të bullgarishtes dhe shqipes. Vitin e kaluar me disa kolegë nga universiteti fituam financim për një projekt të madh shkencor me titull “Gjuhët ballkanike si thelbi i bashkësisë etnike dhe kulturore të Ballkanit”. Përveç punës sime shkencore po merrem me përthime të romaneve të autorëve bashkëkohorë shqiptarë. Bashkë me pronarin e shtëpisë botuese “Izida”, Plamen Totev, një njeri i dhënë shumë pas letërsisë, kemi në plan të popullarizojmë romanin modern shqiptar. Vitin e kaluar botuam dhe prezantuam librin e Ben Blushit “Otello, Arapi i Vlorës”, tani jam duke përkthyer romanin “Mëria e zanave” të Grigor Banushit, kurse për vitin tjetër kemi përgatitur për ta përkthyer një roman të Rudi Erebarës. Këta shkrimtarë i zgjodhëm, sepse janë nominuar ose janë mbajtës të çmimit të Komisionit Europian. Pra, përpiqemi ta mbajmë të gjallë shpirtin e kulturës dhe letërsisë, sepse kjo është rruga e njohjes së vërtetë midis popujve, midis kulturave të tyre.
Ekaterina TARPOMANOVA, studioi në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” në dy degë, Ballkanistikë dhe Filologji Franceze. Më vonë doktoroi në po këtë universitet, nën mentorimin e profesoreshës Petja Asenova. Punoi më shumë se 10 vjet në redaksinë shqipe të Radios Kombëtare Bullgare, njëkohësisht vazhdoi të merrej me punë shkencore në Seksionin e Gjuhësisë Kompjuterike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave. Në Universitetin e Sofjes u kthye si profesoreshë gjatë vitit 2011 dhe iu përkushtua punës me studentët, duke mbajtur ligjërata të gjuhësisë së përgjithshme. Ka përkthyer disa krijime autorësh shqiptarë në gjuhën bullgare. Në kohën e lirë i përlqen të përkthejë libra dhe të udhëtojë.
Intervista u shkëput nga libri: Shtegtimi i shqipes në Europë. Autore: Mimoza Hasani Pllana. Boutes: OLYMP, Prishtinë, 2019./KultPlus.com