30 Dhjetor, 2024 - 1:00 pm
Flonja Haxhaj
Granit Musliu, një tenor i ri nga Kosova, është një emër që po tërheq vëmendjen në skenën operistike ndërkombëtare. I lindur dhe rritur në një ambient ku muzika popullore shqiptare ishte pjesë e pandashme e jetës familjare, ai ka arritur të transformojë pasionin e tij në një karrierë të suksesshme ndërkombëtare. Nga hapat e tij të parë në muzikën folk deri te performancat në disa nga teatrot e mirënjohura të Evropës, udhëtimi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë i mbushur me punë të palodhur, sakrifica dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, shkruan KultPlus.
Me një talent të spikatur, Granit Musliu është sot pjesë e shtëpisë operistike “Bayerische Staatsoper” në Mynih, një nga teatrot më të njohura në botë. Në një intervistë për KultPlus, ai flet për fillet e tij në muzikë, përvojën e tij në këtë fushë, sfidat që ka hasur dhe planet për të ardhmen. Përmes një qasjeje inspiruese dhe frymëzuese, ai ndan mesazhe për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin karrierën në muzikën klasike dhe operë.
Për Granitin, bashkëpunimet me figura të mëdha të operës, si Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, kanë qenë gjithashtu momente të veçanta që kanë pasuruar karrierën e tij. Takimi dhe bashkëpunimi me Domingo ishte një moment përcaktues, jo vetëm për emocionet që kjo ngjarje i ofroi, por dhe për njohjen që artisti spanjoll kishte për Kosovën dhe për këngëtarët e saj. Po ashtu, ai tregon për ndarjen e skenës me Jahon, duke e cilësuar atë një figurë të shquar të kulturës shqiptare dhe një model frymëzimi për të rinjtë.
Në intervistën e tij, Musliu shpreh shpresat për të ardhmen e operës shqiptare dhe për mundësitë që ekzistojnë për të rritur prezencën e saj në skenat ndërkombëtare. Ai beson se Kosova ka artistë me potencial të madh dhe se është në rrugën e krijimit të një kulture operistike më të fuqishme, përmes festivaleve dhe aktiviteteve të ndryshme. Graniti ka gjithashtu planet për të sjellë një koncert solistik në Kosovë, për t’u rikthyer dhe ndarë me publikun e tij të ngrohtë atje. Së bashku me planet e tij për performanca të reja në disa nga teatrot më të njohura evropiane, ai dëshiron të vazhdojë të zhvillojë karrierën e tij dhe të sjellë më shumë artistë shqiptarë në vëmendjen ndërkombëtare.
Në vijim mund të lexoni intervistën e Granit Musliut, dhënë për KultPlus:
KultPlus: A mund të na flisni fillimisht për fillimet tuaja, si dhe se ku dhe si nisi lidhja juaj me muzikën? Kush ishte shtysa që ju shtyu të ndiqni këtë profesion?
Granit Musliu: E gjithë kjo ka filluar nga dashuria që babai im kishte për muzikën, duke qenë vetë performues i muzikës popullore shqiptare. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për mua, pasi muzika, me të gjitha rrymat e saj, ishte e pranishme thuajse gjithmonë në shtëpi. Kështu, unë vazhdova dhe thellova traditën që babai kishte kultivuar, kryesisht në muzikën popullore.
KultPlus: A keni pasur artist të zhanrit tuaj që mund të themi se ka qenë një frymëzim për ju për të vazhduar rrugën drejt zhvillimit në muzikë, dhe veçanërisht në muzikën klasike?
Granit Musliu: Fillimisht, nuk kisha shumë lidhje me muzikën klasike dhe operistike, por pas regjistrimit në Shkollën e Mesme të Muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, mësuesja dhe këngëtarja lirike Zana Abazi Ramadani më mori në klasën e këndimit operistik, ku dhe nisi rrugëtimi im si këngëtar lirike.
KultPlus: Duke ditur se tani karriera juaj numëron performanca në disa nga rolet më të njohura dhe të dëshiruara nga çdo artist, cilat janë disa nga sfidat që keni hasur gjatë rrugëtimit tuaj dhe si i keni përballuar ato?
Granit Musliu: Si artist i ri, por me ëndrrën për të pasur karrierën që kam tani, sfidat kanë qenë shumë të mëdha. Fillimisht, ka qenë shumë e vështirë kur mora vendimin për të studiuar në Universitetin e Muzikës në Hamburg, një hap jetik për mua, por që erdhi me sfidën e madhe të vetëfinancimit të këtij rrugëtimi. Pas dy vitesh mundimesh në studime, u ftova të jem pjesë e programit të artistëve të rinj në operën më prestigjioze të Gjermanisë, Bayerische Staatsoper në Mynih, ku edhe sot performoj dhe jam pjesë e ansamblit të solistëve. Për të përballuar çdo sfidë të botës së artit, kam punuar me një angazhim të jashtëzakonshëm, dedikim dhe dashuri.
KultPlus: E dimë që tani jeni pjesë e “Bayerische Staatsoper”. Si u bëtë pjesë e kësaj shtëpie operistike dhe sa mendoni që ka ndikuar ky moment në zhvillimin tuaj si artist?
Granit Musliu: Bayerische Staatsoper është një nga qendrat më të mëdha të artit operistik në botë, me rreth 600,000 vizitorë çdo vit. Përvoja dhe cilësia që ky teatër më ka ofruar janë themeli i një karriere shumë të suksesshme.
KultPlus: Karriera juaj numëron edhe bashkëpunime me artistë të mëdhenj, ndër të cilët është edhe Placido Domingo. Sa mendoni se ka ndikuar ky bashkëpunim në karrierën tuaj dhe a mund të na ndani emocionet që keni përjetuar pas këtij momenti?
Granit Musliu: Në jetën time kam ëndërruar të kem mundësinë të takoj Placido Domingo dhe t’i tregoj kush jam. Për një këngëtar lirike, dhe veçanërisht për një tenor të ri si unë, që vjen nga një vend që nuk ka një traditë të fuqishme operistike, ky ka qenë një moment i jashtëzakonshëm. Emocionet ishin të përziera, por në bisedën me të, u ndjeva krenar që Domingo tashmë e njihte vendin tonë, pasi kishte bashkëpunuar me disa artistë të tjerë nga Kosova.
KultPlus: Gjithashtu, ju keni ndarë skenën edhe me artisten e mirënjohur Ermonela Jaho. Si ka qenë për ju të ndani skenën me një tjetër shqiptare të suksesshme?
Granit Musliu: Ermonela Jaho është një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare. Tek ajo, çdo njeri sheh vetëm art dhe dashuri. Jam shumë i lumtur që do të performojmë së bashku përsëri në muajin mars të vitit që po vjen.
KultPlus: Përveç angazhimeve me “Bayerische Staatsoper”, cilat janë planet tuaja të ardhshme si tenor? A ka ndonjë projekt të veçantë që po përgatitni?
Granit Musliu: Në sezonin që po vjen, do të performoj në disa skena të rëndësishme operistike me role të mëdha, si Alfredo në “Traviata”, Duka në “Rigoletto”, Fenton në “Falstaff”, etj. Do të debutoj në Hamburg, Lausanne, Kopenhagë dhe në disa qendra të tjera të rëndësishme evropiane.
KultPlus: Si e shihni të ardhmen e operës shqiptare dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar prezencën e saj në skenat ndërkombëtare?
Granit Musliu: E ardhmja e skenës kulturore shqiptare e shoh me shumë shpresë. Kosova ka prodhuar tashmë disa zëra magjikë dhe ka artistë me karriera të suksesshme ndërkombëtare. Po ashtu, është në procesin e krijimit të një kulture operistike më të fuqishme me festivale të ndryshme, masterklasa për të rinjtë dhe aktivitete të tjera.
KultPlus: A keni ndonjë plan për paraqitjen tuaj si solist në ndonjë projekt në Kosovë? A mund të na ndani më shumë informacione për planet tuaja?
Granit Musliu: Po, në Kosovë premtoj se do të kthehem së shpejti për publikun tonë të ngrohtë, me një koncert solistik, i cili do të jetë një rikthim pas disa vitesh në skenën europiane. Të gjitha informacionet dhe datat do të publikohen më vonë.
KultPlus: Duke e ditur se jeni akoma në zhvillimin e karrierës suaj, cili është një nga teatrot që ju ëndërroni që të performoni?
Granit Musliu: Teatri që është ëndërr e çdo artisti lirike dhe i imi gjithashtu, është ‘Scala’ e Milanos dhe ‘Metropolitan’ i Nju Jorkut. Por në fund, ëndrrat realizohen vetëm me punë dhe dashuri!
KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin karrierën në muzikën klasike dhe operë?
Granit Musliu: Në intervistën time kam provuar të bëj një paralele mes ëndrrës, sakrificës, punës dhe dashurisë për artin, duke nënkuptuar se çdo gjë është e mundur! Andaj, uroj që të shohim çdo ditë e më shumë këngëtarë dhe muzikantë shqiptarë në skenat ndërkombëtare, sepse kështu kontribuojmë në rritjen e standardit dhe kulturës të vendit tonë!/KultPlus.com