25 Shkurt, 2019 - 1:30 pm
I
Bisedë me profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, arbëreshin Elio Miracco, i nderuar nga presidenti i Shqipërisë me çmimin “Naim Frashëri” dhe titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”
Bisedën e realizoi Mimoza Hasani Pllana
Sot, lexuesi shqiptar, Italinë e njeh si një nga qendrat që dha shumë për zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe, bazuar në kritere dhe vlera evropiane, që nga koha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Ky kontribut i çmuar u mundësua falë punës së madhe të profesorëve dhe hulumtuesve të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe në qytetet më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe artit. Aktualisht janë funksionale katedrat si në vijim: Katedra në kryeqytetin italian, Romën, pastaj në Venecia, në Palermo, në Napoli, në Leçe, në Kalabri dhe në Kosencë. Pra, Italia është shteti evropian me numrin më të madh të katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Përmes një bisede, do të kujtojmë dhe sjellim momente të veçanta nga jeta dhe puna e njërit prej profesorëve më të njohur që kontribuuan në zhvillimin e studimeve gjuhësore dhe letrare, në vendin ku arbëreshët ruajtën gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare për shekuj me radhë. Është fjala për profesorin e nderuar arbëresh z.Elio Miracco.
Mimoza Hasani Pllana: Profesor Miracco, tani ka kaluar gjysmë shekulli që kur keni nisur punën tuaj shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare në Universitetin e Romës “La Sapienza”. Në atë kohë udhëheqës ishte mësimdhënësi, autori i tregimeve moderne shqipe, poeti, dramaturgu dhe atdhetari i shquar Ernest Koliqi, i cili ishte edhe mentori juaj i temës së diplomës me titull “Historia e traditës gojore në Shën Sofi”, a mund të na kujtoni momente të veçanta të punës tuaj me Koliqin?
Elio Miracco: Që kur ndoqa leksionet e Koliqit rritej në mua interesi për letërsinë shqipe në një përmasë të re shkencore e kulturore, meritë e Mjeshtrit, që dinte t’i udhëhiqte studentët në zbulimin e Shqipërisë së panjohur nëpërmjet figurave të ndritura të poetëve e prozatorëve, pa folur kurrë për veten. Rreth tavolinës, që ruhet edhe sot, në krah të pasardhësit të tij, Giuseppe Gradilone, studentët, ndërsa ai pinte një cigare pas tjetrës (atëherë lejohej duhani), dëgjonin shpjegimet e tij mahnitëse. Kështu ne studionim autorët arbëreshë të letërsisë shqipe, nga e cila, sipas tij, nuk mund të shkëputej kjo diasporë e vjetër, ashtu si sot mendoj se nuk mund të shkëputet letërsia e Kosovës. Rreth asaj tavoline, me shpatulla nga dërrasa e zezë, thithnim ajrin e freskët të maleve shqiptare, mësonim qëndresën krenare të shqiptarëve ndaj pushtuesve të veriut ndërmjet Lahutës së Malësisë, ose poezinë e brishtë klasike të Mjedës, pa harruar Migjenin dhe poezinë rebele e realiste. Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk përziente politikën në gjykime, kështu, kurrë politika nuk ka ndërhyrë në problematikën letrare.
Ishte koha kur regjimi komunist fillonte të ftonte Arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë miq i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.
Pas diplomës universitare më ngarkoi me detyrën e vëzhgimit dhe të regjistrimit gjuhësor të pranisë së arbëreshëve në katundet e Kalabrisë dhe të Pulias. Bashkë me mua punonte edhe Vinçenc Malaj. Gjithë kjo punë bëhej për të kryer përmbledhjen e tregimeve popullore. Kërkimet e mia përfunduan me përmbledhjen e tregimeve popullore të provincës së Katanxaros, libri u botua dhjetë vjet pas vdekjes së tij me përkujdesjen e drejtorit të ri të Institutit Giuseppe Gradilone. Koliqi me kohë kishte vënë në dukje nevojën e mbledhjes së traditës gojore para se të zhdukej. Nuk duhet të ishte vetëm një dëshmi e pranisë së arbëreshëve, por edhe e ruajtjes së pasurisë shpirtërore e kulturore pas pesë shekujve jetese në Itali. Në këtë këndvështrim, mund të quhet ‘themeluesi i Rilindjes së Re arbëreshe’ nëpërmjet nismave që ai vetë, dhe revista „Shêjzat” ndërmorën në shumë katunde: lindën kudo qarqe kulturore, gazeta, përmbledhje me poezi e fjalë të urta të traditës gojore; nëpërmjet faqeve të revistës e njohu publikun me shkrimtarët e rinj, organizoi konferenca dhe sidomos përkujtimin e njëqindvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, duke bërë të mundur praninë e shumë katundeve arbëreshe nëpërmjet pjesëmarrjes së Eparkisë së Lungros, dhe të priftërinjve që kryen mjaft aktivitete në famullitë e tyre. Kishte nxitur kudo nëpër Itali këto kremtime që u mbyllën në Romë, në Vatikan, ku u pritën nga Papa, bashkë me të deleguar të tjerë nga Kalabria, pas kremtimeve pranë statujës së Skënderbeut. Një njeri në mërgim, që ndiente tek arbëreshët atë liri që mungonte në Shqipëri dhe që e shprehu letrarisht në poemthin Kangjelet e Rilindjes.
Mimoza H.P: Gjatë këtyre viteve, kontributi juaj në njohjen e letërsisë dhe kulturës shqipe në Itali përfshinë studimet për veprën e rilindasit të çmuar Jeronim De Rada e deri te shkrimtari me famë botërore Ismail Kadare, pastaj trashëgiminë gojore arbëreshe si dhe studime tjera albanologjike. Kjo punë e madhe na bën të kujtojmë se një jetë studimore ia kushtuat gjuhës dhe letërsisë arbëreshe, shqipe. Ky pasion i juaj për ta ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Itali, a mund të themi se i ka rrënjët në fëmijërinë tuaj apo u zhvillua gjatë studimeve?
Elio Miracco: Familja ime ishte arbëreshe. Kjo ishte gjuha që flitej në shtëpi. Në katund të gjithë flisnin arbërisht dhe, duke ndjekur shkollën në Liceun Klasik të kolegjit të famshëm të Shën Adrianit, mund të kuptohet se afrimi me letërsitë klasike si edhe italiane ishte bukë e përditshme. Por, të gjithë ne ndienim këto rrënjë të lashta e mundoheshim t’i fisnikëronim nëpërmjet rizbulimit të historisë dhe të letërsisë shqipe. Ishim krenarë për De Radën, Seremben, megjithëse nuk kishim mundësi t’u lexonim veprat ashtu siç na tërhiqte historia e Rilindjes italiane, ku kishin marrë pjesë Arbëreshët.
Ishim analfabetë në të folmen që përdorej në shtëpi, gjuhën vetëm e flisnim. Sot do të thoja se ishte një identitet që i kundërvihej identitetit të miqve, studentë italianë që nuk njihnin asgjë nga kultura jonë. Tani më kujtohet ndonjë shok italian që mësonte arbërishten për të luajtur me grupin tonë, kjo dëshmon gjallërinë që kishte ajo gjuhë e huaj, në vendin ku ruhej prej pesë shekujsh. Ndërsa sot, gjithçka ngadalë po zhduket ose duket se është destinuar të zhduket, po të lexohen shënimet e një mësuesi të shkollës fillore, i cili thotë se në klasën e tij vetëm pesë nxënës flasin arbërisht, megjithëse prindërit e nxënësve të tjerë janë edhe ata arbëreshë. Ky nuk është malli i kohës së shkuar, por vetëm një thirrje për të parë pasurinë e mirëfilltë të njohjes së një gjuhe të dytë, që përmban historinë e Arbëreshëve e që shpesh përjashtohet prej prindërve nga njohuritë e fëmijëve të vet me justifikimin e gabuar se i pengon në mësimin e italishtes.
Pastaj kam studiuar letërsi klasike në Universitetin e Romës, ku kam takuar Koliqin dhe Gradilonin. Kështu qenë këta dy kolosë, një poet e një filolog, që më kanë udhëhequr në studimet e letërsisë shqiptare, duke kaluar nëpërmjet traditave popullore arbëreshe, moment i rëndësishëm për formimin shkencor e të vetëdijes së kulturës popullore, deri aty i nënvlerësuar si kulturë fshatare. Këta kanë qenë hapat e parë në letërsinë shqiptare, duke përfshirë edhe atë arbëreshe.
Mimoza H.P: Gjatë përvojës si profesor universitar, a mund të na thoni cilat ishin motivet e studentëve për të mësuar dhe studiuar shqipen, vetëm për të njohur një gjuhë apo ata tërhiqeshin nga letërsia shqipe?
Elio Miracco: Gjatë punës sime si profesor në universitetin Sapienca, kam pasur rastin të takoj studentë italianë që kishin vetëm informacione të përgjithshme mbi Shqipërinë, por duke ndjekur leksionet, apasionoheshin me kulturën e atij populli, kaq afër Italisë. Midis tyre kishte studentë arbëreshë që zbulonin origjinën e tyre, dhe ndër ta duhet pasur parasysh që kishin vetëm gjyshin ose gjyshen arbëreshe. Midis shqiptarëve duhen dalluar ata që vinin nga Shqipëria dhe përforconin shkencërisht njohuritë që kishin marrë në Atdhe. Fëmijët e të mërguarve që kishin frekuentuar vetëm shkollën fillore në Shqipëri, dhe pastaj ishin transferuar në Itali; takova fëmijët e të mërguarve që kishin studiuar vetëm në Itali, pra analfabetë të gjuhës së vendit nga erdhën. Kohët e fundit janë afruar në Institut, studentë shqiptarë të lindur në familje të përziera, italo-shqiptare. Pra, problematikat janë të ndryshme, dalëngadalë po dilej nga izolimi social, në kuptimin që nuk kishin frikë të tregonin se ishin shqiptarë, meqenëse në fillim, sipas tregimeve të tyre, nuk arrinin të gjenin shtëpi me qira, sepse pronarët e shtëpive, kur dëgjonin se ishin shqiptarë, nuk ua jepnin dhomën. Interesante ka qenë ndjekja e kursit të shqipes si afirmim i identitetit vetiak nga studentët e fakulteteve të tjera, edhe të shkencave të sakta. Gjatë asaj periudhe studentët shqiptarë kishin krijuar një shoqatë, që njihej nga Universiteti, e cila organizonte edhe konferenca. Por në Itali, kishte kaluar periudha e frikës ndaj të huajit, veçanërisht ndaj shqiptarëve. Një faktor tjetër kyç i rëndësishëm ishte vizita e presidentëve të Republikës shqiptare, Moisiu e Topi, në Fakultetin e Letërsisë. Numri i madh i studentëve të pranishëm, të ardhur nga të gjitha fakultetet e Sapiencës, i habiti të gjithë pjesëmarrësit e delegacionit.
Mimoza H.P – Tanimë, në mbarë botën letërsia shqipe njihet më së shumti përmes emrit të autorit Ismail Kadare, për veprën e të cilit keni bërë punë studimore. Po në Itali, ku arbëreshët njihen si një nga komunitetet më të mëdha dhe më të organizuara brenda hapësirës italiane, sa është e njohur dhe vlerësuar letërsia shqipe dhe cilët janë autorët tjerë shqiptarë që gëzojnë famën në Itali?
Elio Miracco: Do të ishte vërtetë shkurajuese nëse letërsia shqipe të përfaqësohej vetëm nga Kadareja. Ju më pyesni për përhapjen e letërsisë shqipe midis Arbëreshëve. Meqenëse jam interesuar për letërsinë shqipe, pavarësisht faktit që lexohet pak, do të thoja se autorët që njihen janë të paktë, e sidomos janë ata që citohen nga mediat kombëtare, por që jo gjithmonë lexohen. Lexuesi italian i kushton vëmendje: Zhitit, Agollit, Lubonjës, Shehut, Ahmetit, Kongolit, Markos, Kokalarit. Përfundimet e mia nuk i kam me provë, por i nxjerr nga njohja e ambientit kulturor, jo nga të dhëna statistikore për të cilat më saktë do të shprehej shtëpia botuese Rubettino, e cila prej vitesh i përkushtohet përhapjes, me përkthime italisht, të letërsisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë ose shtëpi të tjera botuese që botojnë letërsi shqipe. Ndërsa mbeten pak të njohur ata shkrimtarë shqiptarë që nuk shkruajnë në gjuhën italiane.
Mimoza H.P: Çfarë mendoni për letërsinë dhe kritikën letrare në Kosovë dhe Shqipëri, sa është e zhvilluar në raport me letërsinë evropiane?
Elio Miracco: Që në vitet shtatëdhjetë, kur gjatë verës ndiqja kurset universitare të gjuhës pranë Universitetit të Prishtinës, konstatoja se letërsia kosovare ishte më e përparuar se letërsia shqipe, e fosilizuar në realizmin socialist me hapësira risie fare të pakta. Në Kosovë mund të lexoje një roman modern si „Oh” të Anton Pashkut ose poezitë simbolike të Ali Podrimes, sa për të cituar dy autorë që ndiqen më shumë nga publiku dhe lexuesit, ndërsa kritika ishte e hapur ndaj shkollave evropiane lindore e perëndimore.
Mimoza H.P: Përveç punës në Universitet dhe punës studimore, vlerësoheni lartë edhe për mbështetjen që u keni dhënë studentëve shqiptarë që vijnë për të studiuar në Itali, a mund të veçoni ndonjë ngjarje që ju sjell nostagji?
Elio Miracco: Shpesh të merr malli për studentët dhe pyes: ç’bëjnë sot? Punojnë? Janë në Itali apo janë kthyer në Shqipëri? Kanë familje? Me shumë prej tyre krijohej një marrëdhënie e përzemërt miqësore. Më kujtohet diploma e një studenti, që filloi të qante nga gëzimi që ia doli të përfundojë studimet pas shumë sakrificash pune për të përballuar shpenzimet e studimit. Të duket se edhe ti merr pjesë në suksesin e atij djaloshi që u rrit e u burrërua në Itali. Ose ndonjë student tjetër, i turpshëm e fjalëpak në fillim, që e kaloi atë drojë dhe sot punon si historian në Shqipëri. Të gjithë studentët punonin për të mbajtur veten. Janë dy shembuj domethënës të vështirësive dhe të sakrificave për të studiuar në Romë, ku sot është sistemuar ndokush prej tyre. Mall për t’i parë të gjithë, sepse secili prej tyre ka lënë tek unë një shenjë. Qoftë edhe vajza që nuk ndiqte leksionet e shqipes për t’u mimetizuar me italianët, qoftë djaloshi shqiptar për të cilin nuk kam më lajme ose djali që shkoi të punonte në veri të Evropës, pasi punoi si barist në një ndër kafenetë më të njohura të Romës. Djali që më thoshte se i flisja si i ati, apo grupi i studentëve që kishte nevojë të kalonte provimin se i duhej për të rinovuar lejën e qëndrimit. Çdo student ka qenë për mua zbulim i botës shpirtërore me humanitetin e secilit.
Mimoza H.P: Duke qenë se arbëreshët për shekuj me radhë tejkaluan sfidat dhe ruajtën gjuhën shqipe, çfarë u sugjeroni familjeve të reja shqiptare që jetojnë jashtë kufijve etnik lidhur me ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare?
Kush jeton jashtë shtetit integrohet pashmangshëm dalëngadalë, prandaj humbasin disa elemente të gjuhës. Fillon të mos kujtosh disa fjalë, pastaj pjesë të gramatikës dhe shpesh kjo humbje quhet emancipim drejt modernes, drejt ambientit ku jeton. Ndonjëherë, në kushte të veçanta, mund të flasim për mimetizim në shoqërinë e re, sepse ke turp të rrëfesh origjinën tënde. E them këtë nga përvoja: një çift i ri shqiptarësh, dy vjet pas rrëzimit të diktaturës, kthehej me traget në Durrës, dhe fëmijëve dy a trevjeçarë u fliste italisht. Ç’këshillë mund të japim? E vetmja mënyrë për të shpëtuar gjuhën është të folurit e saj dhe leximi shqip. Arbëreshët, analfabetë në gjuhës shqipe, e kanë ruajtur gjuhën në shekuj. Por edhe midis tyre kushtet kanë ndryshuar, dhe gjuha dalëngadalë po bjerret.
Mimoza H.P : I nderuar profesor Miracco, a mund të na thoni çfarë jeni duke lexuar apo punuar aktualisht?
Elio Miracco: Po, lexoj pak letërsi shqipe, por veçanërisht italiane.
Elio Miracco, lindi më 1944, më 1967 mbaroi studimet për Letërsi klasike në Universitetin e Romës, La Sapienza, me temën Historina e traditës gojore në Shën Sofi , nën mentorimin e Ernest Koliqit dhe më pas filloi bashkëpunimin në Institutin e Studimeve Shqiptare, në atë kohë të udhëhequr nga Ernest Koloqi dhe më vonë nga Giuseppe Gradilone.
Nga viti 2001 deri 2014 ishte profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Romës, “La Sapienza“. Nga viti 2014-2015 vazhdoi mësimdhënien në Departamentin e Shkencave Gjuhësore, Filologjike dhe Gjeografike. Ka qenë anëtar i Kolegjit të Doktoraturës “Hisori e gjuhësisë dhe histori e gjuhës italiane” me seli në Romë. Për një periudhë trevjeçare, ka kryer detyrën e udhëheqësit të kursit të Studimeve Gjuhësore dhe Filologjike (deri në vitin 2014) dhe më pas detyrën e presidentit të Studimeve të nivelit Master në Gjuhësi.
Hulumtimet shkencore të profesor Miraccos përfshijnë letërsinë dhe gjuhësinë, duke filluar nga studimet për metrikën te vepra e Jeronim De Radës, Këngët e Milasaos dhe për Këngët e Serafina Topias deri te studimet për veprën e Ismail Kadaresë, duke përfshirë edhe hulumtimet mbi traditën gojore të arbëresheve. Ndërsa, sa i përket përkthimeve të veprës letrare, profesor Miracco përktheu në gjuhën italiane nga gjuha shqipe pjesë të veprës së Fatos Lubonjës, poetit Visar Zhiti, etj.
Porfesor Elio Miracco në vazhdimësi, ka publikuar punime studimore në revista të specializuara, ka marrë pjesë në konferenca shkencore në Itali dhe Shqipëri, ku përveç prezantimeve të punimeve personale ka qenë edhe pjesë e komisioneve vlerësuese në nivel akademik.
Për veprën dhe për kontributin e dallueshëm në studimet shqiptare, Profesor Elio Miracco në vitin 1997 u nderua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, me çmimin “Naim Frashëri”, ndërsa në vitin 2016 me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Sot, profesor Miracco, është i njohur si njëri nga studiuesit e shquar të albanologjisë që një jetë studimore ia kushtoi zhvillimit dhe promovimit të gjuhës, letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare në Itali. /KultPlus.com