3 Mars, 2021 - 8:34 pm
Suada Qorraj
Për tre mandate udhëhoqi institucionin më të lartë të muzikës klasike, Filharmoninë e Kosovës, kurse ditën e djeshme, pas një procesi të gjatë përzgjedhjeje, Baki Jashari mori në duar drejtimin e këtij institucioni për të katërtën herë me radhë, shkruan KultPlus.
Por, historia e këtij institucioni dhe puna e ndërtuar ndër vite nuk kufizohet vetëm në mandate e numra, e shkuara, por dhe e ardhmja mbajnë në vete shumë më tepër se kaq. Rrugëtimin e Filharmonisë ndër vite e ka shpalosur në një intervistë për KultPlus drejtori i këtij institucioni, Baki Jashari.
“Në këto 15 vite, që nga viti 2006 kur unë për herë të parë kam ardhur në krye të këtij institucioni, ka ndryshuar shumëçka. Nëse krahasohet me kushtet në të cilat ka filluar puna atëherë, ky ndryshim ka ndodhur në disa sfera, duke filluar nga rritja e kapaciteteve interpretuese të dy njësive të Filharmonisë, ku një dekadë më parë numri i instrumentistëve ka qenë i vogël. Përgjatë këtyre viteve është avancuar edhe profilizimi programor i Filharmonisë”, ka thënë Jashari.
Ai kujton dhe kohën kur njësitë interpretuese të Filhamronisë, orkestra dhe kori, në fillet e punës së këtij institucioni duhej të kompletoheshin me një numër të madh të instrumentistëve, që kapnin pothuajse gjysmën e orkestrës, nga Shqipëria dhe Maqedonia. Por, sipas tij kjo gjë tashmë ka ndryshuar dhe Filharmonia sot është në një situatë më të avancuar.
“Publiku me kalimin e viteve është rritur vazhdimisht, madje në vitin 2019 për ne ka qenë një befasi, ku publiku që ka përcjellë koncertin tonë të mbajtur në sheshin Skënderbeu ishte me në numër tejet të madh, prej 2 mijë e 500 personave” pohoi tutje Jashari, teksa kujtonte vitet e tij të mëparshme në krye të këtij institucioni.
Ndonëse kanë kaluar njëzet vite që nga themelimi i saj, Filharmonia e Kosovës ka hasur në pengesa e ngecje, të cilat i kanë pamundësuar funksionimin adekuat që duhet të gëzoj një institucion i tillë. Ky institucion ende nuk ka një objekt në të cilën mund të mbajë prova e të prezantojë koncerte. Por, krahas kësaj, shqetësuese mbetet edhe infrastruktura ligjore, ngase ky institucion ende funksionon me ligjin e vitit 2006 që është i ndërtuar mbi rregulloren e UNMIK-ut.
“Ajo që ka mbete ngecje është mungesa e infrastrukturës ligjore, por dhe objektit. Që nga viti 2009, kur dhe ka filluar si projekt, nuk është ndërtuar objekti i Operas dhe Baletit të Kosovës, dhe ky projekt vazhdon të mbetet një projekt vetëm në letër. Njëkohësisht edhe kur flasim për strukturën ligjore, vlen të ceket se ne ende funksionojmë me ligjin e vitit 2006, edhe pse në vitin e kaluar ligji i ri kishte kaluar të gjitha fazat përgatitore, zhvillimet politike në vend ndikuan në pezullimin e këtij procesi dhe sollën infrastrukturën ligjore në pikën zero”, tregon Baki Jashari për KultPlus.
Tutje drejtori i Filharmonisë së Kosovës ka thënë se bashkëpunimin me Fakultetin e Arteve për këtë institucion është me rëndësi të veçantë, sidomos për plotësimin e kuadrove si me instrumentistë ashtu edhe me koristë. Krahas kësaj, qenësore përgjatë këtyre viteve ka qenë edhe bashkëpunimi me festivale ndërkombëtare muzikore, sepse, sipas tij, një bashkëpunim i tillë ka sjellë para publikut programe, dirigjentë, solistë me renome ndërkombëtare.
Për Jasharin, një ndër sukseset më të mëdha të Filharmonisë është struktura e publikut, por dhe përfaqësimit që bëhet në orkestër, sepse dominohet nga moshat e reja, që nëse krahasohet me vendet e tjera, atëherë mund të konsiderohet si një ndër pikat më pozitive të këtij institucioni.
“Edhe pse muzika që luhet në Filharmoni nuk është muzikë e estradës, muzikë e masave të gjera, prapë ka gjetur mbështetje të madhe dhe interesim të madh të publikut, dhe unë e konsideroj këtë një sukses të madh të Filharmonisë, sepse ne nuk jemi institucion për vetveten tonë, ne jemi institucion publik që duhet tu ofroj qytetarëve artin e vërtetë”, deklaroi tutje Jashari.
I pyetur se çka do të ndryshoj në mandatin e tij të katërt në institucionin më të lartë të muzikës klasike në vend, Jashari pohoi se do të avancohen përmbajtjet programore, do të bëhet kompletimi i stafit, që ndonëse ka pasur progres ka ende shumë punë për tu bërë. Tutje ai ka shtuar se në mandatin e tij të katërt do të punoj për të rregulluar edhe statusin e koristëve, sepse, sipas tij nuk përkon më të drejtat e tyre të përfaqësimit.
“Bashkërisht me menaxhmentin do ti bëjmë lëvizjet e duhura që gjatë këtij mandati të punohet sa më shumë që është e mundur në ndërtimin e objektit vetanak të Filharmonisë së Kosovës, pavarësisht se si do të quhet, objekt i teatrit, apo objekt i operës së baletit, ne duhet ta dimë që Filharmonia është institucion i pavarur, e ka ligjin e vet, e ka një infrastrukturë ligjore dhe duhet ti ketë edhe kushtet e punës që sot nuk i ka”, deklaroi ai teksa tregonte për punën që pritet të bëjë në tre vitet e ardhshme.
Baki Jashari deklaroi për KultPlus se Filharmonia tash e njëzet vjet funksionon në një objekt me qera, i cili po ashtu nuk posedon kushtet adekuate të punës, sepse rritja e kapaciteteve ka pamundësuar punën me dy turne.
Krejt në fund, Jashari ka folur edhe për rizgjedhjen e tij si drejtor i Filharmonisë, duke potencuar se ai ka konkurruar si çdo kandidat tjetër, me të vetmen përparësi, përvojën shumëvjeçare në këtë institucion.
“Rizgjedhja ime në këtë mandat shënon edhe mandatin tim të fundit, sepse në kuptimin e viteve unë jam afër pensionimit”, ka përfunduar kështu intervistën Baki Jashari./ KultPlus.com