31 Maj, 2019 - 7:09 pm
Bajram Kafu Kinolli është një ndër këngëtarët më të suksesshëm kosovarë, i cili me muzikën e tij ka bërë që të prezantohet me koncerte edhe në shumë shtete evropiane. Me Kafun kemi biseduar për racizmin, për përvojën e tij si fëmijë, për periudhën e pasluftës, por edhe për ditët e sotme. Kafu në këtë intervistë të dhënë për KultPlus ka thënë se racizmi është shumë i shprehur në Kosovë, dhe kjo vjen si pasojë e mosedukimit të mirë në familjet kosovare.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Tash e dy herë është duke u sulmuar një grua nga komuniteti rom, njëherë në Lipjan dhe tash në Ferizaj, cili është reagimi i juaj mbi këtë dhunë, e vlerësoni racizëm, apo sulm nga grupe të rrugëve që janë ndikuar nga mediet?
Bajram Kafu Kinolli: Çka ka rëndësi nga cili komunitet është ajo grua! Ne duhet ta perceptojmë se në këtë rast është sulmuar një grua, se nëse bëjmë keso ndasi racore, shumë keq për ne! Sulmet e tilla duhet të dënohen shumë rënd! Nuk mendoj që veç një lajm i rrem mund të ndikojë që një racist ta rrafë dikend publikisht. Ky mllef vjen nga injoranca dhe kultura familjare në gjithë Kosovën. E dijmë shumë mirë që racizmi në Kosovë është mjaftë i theksuar, dhe mendoj se 99% e njerëzve shfaqin racizëm, dhe është për të ardhur keq që kjo nuk vjen vetëm prej të moshuarve, por edhe nga të rinjtë.
KultPlus: Ju jeni një ndër këngëtarët e sukssesshëm në Kosovë dhe me gjerë, por racizmin si fëmijë padyshim që e keni përjetuar, a mund të na tregoni kur ka qenë situata më e rëndë kur jeni ballafaquar me këtë fenomen?
Bajram Kafu Kinolli: Jo që jam ballafaquar, por edhe sot për çdo ditë ballafaqohem! Gjithmonë ka qenë po kjo situatë dhe nuk di qysh do të zgjidhet ky problem, apo edhe racistët ndoshta duhet dënuar brutalisht. Sikurse shqiptarët, edhe nga komuniteti rom janë vrarë në luftë, por neve na vranë edhe pas lufte. E këtë e dijnë të gjithë, por kurrë nuk figurojmë, as në statistika. Dhe shtrohet pyetja pse, ndoshta nuk ka se kush e mbron komunitetin rom, apo thjeshtë, vetëm nuk i kanë regjistruar në lista. Ne jemi dëshmitarë se shumë rom të Kosovës janë dëbuar në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni, por edhe për këtë çështje nuk e ngre zërin askush. Edhe ky fenomen është një pjesë e historisë së dhunës. Pastaj, shumë shpesh kam dëgjuar aso komente se “romët kanë qenë me serb”, kjo është njësoj kur provon me e la mu… me shu..(thenie e njohur popullore)
KultPlus: Na trego për fëmijërinë tuaj, cili ka qenë raporti me fëmijët shqiptarë, dhe çfarë qasje kanë pasë ata në raport me ty?
Bajram Kafu Kinolli: Fëmijëria ime ka qenë si e gjithë fëmijëve tjerë, sepse si të vegjël nuk kemi ditë të gjykojmë, edhe pse, tash e di që ka pas shumë ndarje, racizëm. Por këtë fakt, unë thjeshtë e kam kuptuar shumë vonë. Por atëherë, si fëmijë, më shumë më ka preukopu varfëria se sa racizmi.
KultPlus: Të kanë rrahur si fëmijë, pikërisht për faktin se jeni nga komuniteti rom?
Bajram Kafu Kinolli: Po, ka pasë raste kur na kanë rrahur për këtë fakt, por edhe sot vazhdon të jetë i njëjti fenomen. Dhe ne nuk na kanë rrahur vetëm fëmijët, por edhe të mëdhenjtë, edhe profesorët. Dhuna në shoqërinë tonë është problem kyç, dhe vjen për shkak të komunikimit jo të mirë në familje.
KultPlus: E mendoni se racizimi ka qenë më i theksuar para apo pas luftës në Kosovë?
Bajram Kafu Kinolli: Mund të flas vetëm për periudhën e pas luftës, sepse mendoj që kam më shumë të drejtë të flas për këtë periudhë. Ka racizëm, bile edhe shumë, në çdo skaj të kësaj shoqërie, në çdo të dytën fjalë, çdo lajm, çdo këngë, çdo libër! Dhe është një situatë për të ardhë keq, dhe një situatë e tillë nuk është vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin.
KultPlus: Ju jeni angazhuar shpejt nëpër organizata të ndryshme dhe jeta juaj duket të jetë më e lehtë për dallim nga shumë qytetarë të komuniteti rom, a mendon se shteti është duke bërë mjaftueshëm për integrimin e tyre?
Bajram Kafu Kinolli: Shtetin e bejnë njerëzit! Kjo përgjegjësi më shumë bie mbi barrën e qytetarëve, ata duhet së paku ta kujtojnë se agresorin e kemi pasë pranë për 100 vjet, dhe tash, po shumica e kësaj kohe po bëhet agresorë i ditëve të sotme. Marre.
KultPlus: Sidomos në Prishtinë, supozohet se shoqëria ka ndryshuar sa i përket qasjes me racizmin, e ndjen si të vërtetë, apo është një lloj maske që të paraqitet nga njerëzit që duan të tregohen më të civilizuar?
Kafu: Prishtina ka pasë afro 5000 romë! Ku janë tash ata? Cfarë ndryshimi??? Veç pse nuk përballen për çdo ditë me ta të mendojmë se ka ndryshim, apo ndoshta i paskemi harruar.
KultPlus: Dhe për fund, çfarë do të duhej të ndryshonte që jeta të bëhet më e lehtë për komunitetin rom?
Bajram Kafu Kinolli: Romët në Kosovë janë mësuar tash që për ti ndihmuar, gjithmonë duhet të vij dikush. Pikërisht ky fakt më së shumti më vret.
Njeriu duhet të bëjë çmos që mos të jetë në pozitë të diskriminuesit, e kjo fitohet me edukim, miqësi dhe vullnet të çdo individi. Krejt çka po flas, po flas në vetën e parë. Viktimizmi është sëmundje e rëndë, e cila është istaluar nga sisteme dhe dhunë të ndryshme ndaj ketij populli./KultPlus.com