23 Mars, 2020 - 9:54 pm
Bisedë me Eriona Tartari Kërtusha, kërkuese dhe profesoreshë e asociuar në Universitetit Montpellier dhe korespondente shkencore pranë qendrës IESR, Sorbonne, Paris.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Mimoza Hasani Pllana: Eriona, jeni nga studiueset e reja të letërsisë shqiptare model i shkollës franceze. Në Universitetin Montpellier III, ndoqët studimet për letwrsi nga niveli bazik deri tek studimet postdoktorale. Përveç privilegjit që të jeni pjesë e këtij Universiteti, çka veçon nga shkolla letrare franceze?
Eriona Tartari Kërtusha: Modeli si koncept është tepër i kundërshtueshëm! Edhe duke qenë natyrshëm i ri modeli nuk është kurrë origjinal; mbetet një model nëse është i tillë! Ndoshta njerëzimi për të hequr ankthin që shkaktonin fenomenet e paprovuar më parë shpiku si referencë “modelin” i cili sot e përherë, mbetet në origjinën sistemeve dhe shoqërive imagjinare. Edhe ideologjitë që ushqehen me modele gjejnë terren në shoqëri me imagjinatë të modeluar kolektive! Por edhe termi “shkollë letrare” mbetet sipërfaqsor dhe fsheh në vetvete një koncept të pamjaftueshëm për të përfshirë brenda një kuadri të vetëm dhe të ngushtë korpusin e veprave, të autorëve dhe të kohëve të ndryshme. Për më tepër, edhe epitetet që e ndjekin këtë term – shkollë letrare franceze, shqiptare, gjermane, etj, – përveç ndarjes së gjuhëve si elemente bazike përcjellëse të çdo letërsie, na sugjerojnë tendencën e perceptimit, leximit dhe shkrimit të historive letrare kombëtare vetëm nëpërmjet këndvështrimit ndarës dhe ndryshimeve kulturore tek secili komb; ndarje dhe ndryshime të papërfillshme në krahasim me përbërësit e përbashkët dhe universalë që i mbruajnë këto letërsi. Vetë këto ndryshime specifike sipas hapsirave dhe epokave përbëjnë veçorinë e përbashkët universale të këtyre letërsive. Edhe shumësi i fjalës letërsi në këtë rast ka të bëjë me mungesën e referencave reale mbi atë që quhet “model” ose më mirë të themi me lëvizshmërinë e “modelit”.
M.: Letërsia franceze është e njohur nga ajo që u krijua në mesjetë dhe deri te letërsia që krijohet sot. Cila nga fazat e kësaj letërsie ju ka impresionuar më shumë dhe keni thelluar studimet?
E.T.K.: Nuk është një rastësi që kërkimet dhe njohjet i kam drejtuar për nga tekstet e periudhës së ashtuquajtur “Iluministe”. Intuitivisht dhe natyrshëm kam vijuar kërkimet me entuziazëm në një fushë aq shumë të përmendur por edhe aq shumë të panjohur e të keqinterpretuar në historiografinë e letrave shqipe. Ideja e leximit të teksteve në forma të ndryshme, sipas vendeve dhe kohëve të ndryshme, ka qenë më e prekshme intelektualisht dhe politikisht për tekstet e Iluminizmit në shqip. Vendet e Ballkanit, jo vetem Shqipëria që kishte një histori flirtuese me Perandorinë Osmane, por edhe vende si Greqia, Bullgaria, Rumania etj, ku ortodoksia e krishterë filtroi natyrshëm efektet kulturore fetare të pushtimit qindravjeçar turk, ndryshe nga sa shkruhet dhe si mendohet, e kanë zhvilluar dhe e kanë përjetuar frymën e ashtuquajtur “iluministe” – frymë, që në konceptin e “shkollës letrare” që përmendëm më lart do të lexohej si një “imperializëm kulturor perëndimor”-në forma të ndryshme sipas fazave dhe periudhave të tyre letrare. Në këtë rast, historiografitë kombëtare letrare, janë dominuar nga një frymë, qoftë edhe humaniste, por “sui generis”, e pashkëputur ende nga perceptimi i botës dhe universit sipas heronjve të Iljadës së Homerit dhe kreshnikëve të “bjeshkëve të namuna”, ku mbizotëron mbi gjithçka eposi dhe pathosi! Fryma kritike e letrave të periudhës së shekullit të XVIII-të, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan më tej, është përçuar dhe përjetuar me shumë filtra kulturorë e historikë, qoftë në periudhën e Rilindjes kombëtare shqiptare, qoftë në tekstet e ndritura letrare të periudhës së midis dy luftërave, me përjashtime të ralla tek Migjeni dhe Lazgushi. Në këto kushte, periudhat, rrymat, “shkollat” ndarëse të letërsisë shqipe, të perceptuara si në një enë lidhëse sipas një “modeli” europian, që u zhvillua në shekullin e XIX-të me lindjen e konceptit politik të referencës sipas gjuhës, fesë etj, dhe me studimin e konceptit të kombit, u farkëtuan politikisht gjatë Realizmit Socialist duke futur idenë e modelit kalk të një “Iluminizmi francez” në letrat shqipe. I vetmi Iluminizëm francez që u përçua në Letërsinë shqipe ishte nëpërmjet kanalit të bosforit ku në prag të rënies së Perandorisë Osmane hegjemonia franceze ishte në kulmin e saj. Kjo është arsyeja pse sot, ky terren apo fushë është edhe më komplekse, e pasur dhe interesante për studim. Ai që quhet “Iluminizëm” si rrymë, është shprehur dhe përfaqësuar në të gjitha format politike në Europë e më gjerë. Pikërisht format e ndryshme të këtij ndikimi i kanë rrënjët në brumin kulturor dhe historik të secilit territor. Duke kuptuar këtë mund të kuptojmë edhe rolin e ushqimit të këtyre rrënjëve në ndërtimin e sistemeve tona politike dhe sociale!
M.: Studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë janë të lidhur me kulturën letrare franceze, nëpërmjet studimeve, apo krijimtarisë letrare që zhvilluan në këtë qendër të kulturës dhe civilizimit europian e botëror, po lexuesi francez sa mendoni se e njeh letërsinë shqiptare?
E.T.K.: Lexuesi francez njeh atë letërsi që i serviret. Letërsia shqipe ka dy mënyra për të depërtuar jo vetëm tek lexuesi francez por edhe më gjerë; nëpërmjet dygjuhësisë dhe nêpërmjet përkthimit letrar. E megjithëkëtë përkthimi letrar tek ne, rralle konsiderohet si pjesë të pandashme e zhvillimit dhe historisë së letërsisë, ndonëse ai është në zanafillën e vetë letërsisë së shkruar, ne, rrallë e pyesim veten mbi aktin e përkthimit që është larg të qenit një aktivitet i lehtë jo vetëm si veprimtari e thjeshtë teknike, kalimi nga fjala në fjalë e nga fjalia në fjali, por edhe si proces epistemologjik, pa të cilin, për ta shkruar me fjalët e Pol Valerisë (Paul Valéry): “nuk do të kishim letërsi që dashurohen me njëra-tjetrën” ose, për të kujtuar ato të Kadaresë: “nuk do të kishim atë që gjermani i madh Gëte (Johann Wolfgang von Goethe) do ta quante ‘Weitliteratur’. Në këtë kontekst, duke ftuar për të menduar epistemologjikisht mbi përkthimin në letërsinë shqipe, ftojmë të mos e paragjykojmë letërsinë shqipe si të izoluar, as edhe vetëm si të ndikuar, shpesh nëpërmjet një analize të përgjithshme e të përcaktuar në terma kohorë ose terminologji konceptuale të vakët e të paqartë. Çështja e përkthimit nuk është vetëm një çështje historike në letërsinë shqipe, një trajtesë kjo e konsumuar tashmë, por një çështje, një faktor dhe një qasje epistemologjike që duhet qartësuar, për të kuptuar më pas realisht, ku dhe kur mund të flitet për ndikim, ku dhe kur mund të flitet për qarkullim tekstesh dhe idesh, për përshtatje, ose edhe për rikrijime të mirëfillta në letërsinë shqipe. Të kuptuarit e një epistemologjie përkthimi do të na ndihmonte të kuptonim fenomenin estetik dhe ideor të çdo teksti letrar, artistik apo përfaqësues mendimi dhe idesh. Njohja e letërsive dhe gjuhëve të vogla është në raport me përkthimin e tyre në gjuhët e mëdha europiane. Të kujtojmë ketu rastin e shkrimtarit çek Milan Kundera.
M.: Në studimet tuaja vërehen tematika nga Iluminzimi europian, komunikimi ndërkulturor, Rilindja Kombëtare, diskurset letrare, poltike, etj. Nga një dije gjithëpërfshirëse pse veçuat këto fusha kërkimore dhe si e vlerësoni komunikimin ndërkluturor të vendeve shqiptare dhe atyre europiane?
E.T.K.: Veprat e Iluminizmit, francez apo gjerman, kanë mbërritur në hapësirën kulturore shqiptare rreth shekullit XIX. Nëse përjashtojmë rastet e intelektualëve që flisnin frëngjisht – disa jetonin e punonin jashtë territorit të Shqipërisë së atëhershme, dhe, pothuajse të gjithë intelektualët shqiptarë jo vetëm të kësaj periudhe, por edhe të periudhave të mëparshme, flisnin dhe shkruanin më shumë se dy gjuhë – pjesa më e madhe e lexuesit shqiptar nuk kishte kontakt me këtë shprehje filozofike dhe politike deri në periudhën e Rilindjes Kombëtare, e cila sipas burimeve shqip konsiderohet si një lëvizje e «frymëzuar» prej të ashtuquajturit Iluminizëm europian. Mendoj se në kontekstin e një rilindjeje të konceptit të kombit u krijuan dy rryma paralele të kësaj lëvizjeje politike, të cilat, më pas, prej aktivitetit të saj, u quajtën edhe letrare; rryma që përfshinte autorët arbëreshë të Italisë dhe që qëndronte kah lëvizjes Risogimento duke shfaqur elemente të estetizmit romantik europian, dhe rryma e autorëve që u formuan dhe vepruan brenda territoreve gjeografike gjuhësore, kulturore, administrative dhe politike të Perandorisë Osmane, të cilët, për shkaqe fare të qarta të marrëdhënieve dhe fillesave në atë kohë të një hegjemonie franceze postiluministe, zhvilluan një tipar ideor politik letrar të tipit “iluminist”. Rusoi, për shembull, si i pari iluminist i shqipëruar, lexohet pothuajse i cituar nga Sami Frashëri tek “Histori e Skënderbeut”.
«Njeriu lind i lirë,
Pastaj do t’a pengojnë.»
Kjo simbiozë, që ne e quajtëm «rrymë paralele» midis Iluminizmit dhe Romantizmit, përbën origjinalitetin e asaj që jemi mësuar ta emërtojmë Rilindje Kombëtare Shqiptare. Bëhet fjalë për një letërsi, e cila në termat e influencës, mendohet gjerësisht të jetë ndikuar nga Iluminizmi europian dhe në veçanti ai francez, por nuk ekzistojnë edhe sot analiza të mirëfillta mbi ngjashmëritë dhe zhvendosjet estetike të këtyre Iluminizmave në letërsinë shqipe. Ndikimi mendohet në rrafshin ideor, kulturor dhe politik; por për të kuptuar këtë fenomen, që disa e quajnë «ndikim», dhe që ne propozojmë ta quajmë qarkullim, zhvendosje tekstesh kulturore – sepse cila gjuhë dhe cili tekst nuk do të ishin kulturorë, dhe nuk do të gjendeshin të zhvendosur e në lëvizje nga njëra kulturë në tjetrën? – do të duhet të kuptonim kontekstin politik dhe ngjashmëritë sociale e historike që lidhen me shoqëritë tek të cilat qarkullojnë këto tekste, ide, koncepte. (Shënim: shih mbi këtë: Eriona Tartari, « La Renaissance albanaise entre les circulations culturelles et la réappropriation nationale des Lumières » dans Les langages culturels au carrefour des cultures, Rachel Monteil, Laurence Denooz, Florence Fix (dir.), éd. Orizons, Séries « Comparaisons », Université de Lorraine, 2018). Letërsia e Rilindjes Kombëtare, zhvillohet në një frymë të veçantë siç e përmenda më lart dhe sigurisht interesi për filozofinë iluministe zgjat nëpërmjet lëvrimit të koncepteve të ndryshme deri në vitet ’30, ku, nuk bëhet më fjalë për citime dhe frymëzime të tërthorta, por për citime dhe përkthime të mirëfillta tekstesh, të cilat mbeten të pakta. Në këtë rast, natyrshëm lind pyetja: Si krijohet ideja e Iluminizmit në letërsinë shqipe nëpërmjet vetë leximit të teksteve iluministe? Ndërkohë që Iluminizmi si ide, por edhe Rilindja Kombëtare, të konsideruara dhe të interpretuara teorikisht si kategori historike, trajtohen në lidhje me njëra-tjetrën vetëm nëpërmjet interpretimit, në çdo rast i varur ky nga kontekste të ndryshme kulturore; ose prej burimeve të dyta. Trajtimi i teksteve konkrete të shqipëruara dhe përplasja e burimeve të para të gjendura, përpara çdo riinterpretimi të mundshëm mbi të ashtuquajturin «ndikim», do të na çojë natyrshëm në rimendimin e këtyre përkufizimeve dhe kategorive të vendosura.
Eriona Tartari është kërkuese dhe profesore e asociuar pranë Universitetit Montpellier. Ajo është korespondente shkencore pranë qendrës IESR, Sorbonne, Paris. Ka kryer studimet për letërsi të krahasuar në Universitetin Montpellier, dhe studimet për filozofi në Centre Sevres, Paris. Ka shkruar libra dhe artikuj kërkimorë në fushë të letêrsisë së krahasuar./KultPlus.com