30 Dhjetor, 2024 - 5:00 pm
Era Berisha
Një pëshpëritje e lëvizjeve që gdhend rrëqethet në trupat njerëzorë dhe një vulosje emocionesh ndodh brenda qenies njerëzore kur përjetohet një balet i veçantë që shpalos një histori, një tregim apo ndjenjë. Nën petkun e këtij arti madhështor qëndron një balerin dhe koreograf i cili skenën e pushton me krijime teksa edhe hija e tij bëhet një me skenën. Bëhet fjalë për Blenard Azizajn, balerini dhe koreografi shqiptar që sfidon gravitetin e vallëzon me një hijeshi të bukur. Krahët e tij shndërrohen në mullinj të erës teksa në atmosferë lëshohet një balet, ritmi i të cilit shkakton të dridhura nga koka e deri në pjesën e poshtme të këmbëve. Jehonat e rrahjeve të zemrës dëgjohen qartazi kur jetësohet brishtësia emocionale dhe estetike e krijimeve të Azizajt. Nëse supozojmë që shpirti qëndron gjithmonë në heshtje, atëherë tek baletet e Azizajt, shpirti del në pah, përkulet, përshpejtohet, çlirohet njëlloj si lëshimi i një pllake muzikore në gramafon.
I lindur në Shqipëri, ai nisi karrierën fillimisht si balerin në Shkollën Shtetërore Kombëtare të Kërcimit në Greqi, për të prekur pastaj shumë skena të tjera botërore si në Gjermani, Francë, Zelandën e Re, Meksikë, Hong Kong e Brazil. Për t’i shkelur dërrasat e teatrove të këtyre vendeve, normalisht duhej shumë punë, përkushtim, dashuri, pasion e sakrifica, gjëra këto që na vijnë të rrëfyera nga vetë balerini dhe koreografi Blenard Azizaj në një intervistë të veçantë për KultPlus.
Baleti është himni i voshtrës që rritet brenda njeriut. Hiri i saj transformon mishin dhe shpirtin njëlloj. Ata që ia kushtojnë trupin e tyre kësaj forme të artit, kanë përballë një fushëbetejë ku balancimi i disiplinës, teknikës dhe emocionit duhet të jetë i vizatuar me precizitet. Kufizime nuk duhet të ketë, as edhe në ëndrra. Gllabërimi i këtij arti duhet të bëhet qysh në fillim e më pastaj pasojnë edhe netët e pafundme me dhimbje nga piruetet e shumta, tendosjet e muskujve e thurjet e tregimeve. Por, kësisoj bëhet shpalosja e një gjuhe përtej fjalëve që mbështjellët në mëndafshin e limiteve.
Koreografi Blenard Azizaj ka një fëmijëri të cilën e ka dorëzuar brenda dhomave të praktikës me një përkushtim për përsosmëri. Pjekuria e tij reflekton në rimet e tij. Në çdo plié, çdo kërcim, ai mban prejardhjen e tij duke lënë një gjurmë në historinë e baletit shqiptar. Ky zanat për të është diçka që kërkon gjithçka nga ai, mirëpo ai i dhuron ato pa asnjë mëdyshje.
Dashuria për kërcimin i ka lindur si një gjë e heshtur dhe e fshehtë që e ka thirrur nga brenda që fëmijë. Gjithçka nisi me admirimin për Michael Jackson-in, atë që ishte heroi i tij dhe për të, një magjistar në lëvizje. Kur ai e ka parë atë duke kërcyer ka ndjerë diçka që as vetë nuk mund ta përshkruan, njëfarë zjarri që i është ndezur pa fjalë, një frymëzim që i është shtrirë përtej muzikës dhe ndjenjës, drejt vetë shpirtit.
Nga sporti, ai kaloi te kërcimi, fillimisht si autodidakt, duke zbuluar çdo hap e çdo ritëm përmes përjetimit personal, pa rregulla e pa kufij. Edhe pas studimeve, ai ende e quan veten autodidakt. Për të, arti nuk është diçka që mësohet plotësisht nëpër shkolla; është diçka që lind, që vjen nga brenda me një forcë të papritur, si një fllad që shndërrohet në stuhi brenda shpirtit. Çdo lëvizje që krijon, ai dëshiron që të bëhet një dëshmi e ndjenjave që e përshkojnë, një udhëtim që e çon gjithnjë e më afër thelbit të tij të vërtetë.
Të nisesh drejt një rruge e cila kërkon që në moshë të re të mbjellësh farat e qëllimit në tokën e butë të rinisë, është diçka e vështirë, megjithatë, arrihet nëpërmjet një qetësie në të cilën hidhen zaret e fatit. Themeli qëndron tek pafajësia dhe e atillë ka qenë edhe historia e koreografit Azizaj. Kur ai shkoi për herë të parë në Shkollën Shtetërore Kombëtare të Kërcimit në Greqi, ka ndjerë një përzierje emocionesh – një lloj drite dhe peshë që e ka mbuluar atë tërësisht.
“Ishte sikur të hyja në një botë të re, një vend ku ëndrrat dhe sfidat bashkëjetonin, ku çdo hap do të ishte një provë dhe një mësim për shpirtin tim. Ishte ndjenja e një fillimi të madh, një udhëtim që e dija se do të më ndryshonte përgjithmonë. Këmbët e mia e ndien tokën ndryshe atë ditë, si të thirreshin për një qëllim më të lartë – një ftesë për të zbuluar kufijtë e artit dhe të vetes sime”, thotë ai.
Ai i dha të gjitha provimet dhe u pranua në atë që quhej Seksioni Përgatitor. Më pas, u bë emigrant ligjor, mori dokumentet dhe vizën studentore. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm, por thellë brenda vetes, ai ende nuk po e kuptonte plotësisht çfarë po ndodhte me të.
“Kohët ishin të ashpra, të egra. Nuk kisha një punë të përhershme, as një shtëpi ku të gjeja prehje; netët i kaloja në shkolla kërcimi dhe teatro, nën ritmet e një përkushtimi që nuk më linte të flija. Punët që gjeja teksa studioja, ishin të vështira: kamarier, barman, çdo gjë që mund të më siguronte gjërat bazike. Gjumi ishte i pakët, lodhja – pafund. Kishte çaste kur ndihesha i thyer, sikur çdo barrë e lodhje nuk mund të përballohej më. Vështirësitë ishin të pafundme, si dallgë që vinin pa pushim”, shpalos ai.
Në këto vite të hershme, pasioni i gjen rrënjët, ndërsa koha bëhet edhe mësuese edhe shoqëruese e heshtur. Udhëtimi kërkon durim – si të ushqesh një flakë që duhet kujdesur që të mos lëkundet shumë shpejt ose të digjet shumë shpejt. Andaj, Shkolla Shtetërore e Kërcimit dhe jeta brenda saj, i dhuruan atij një mësim të çmuar, një lidhje të thellë me artin e kërcimit dhe me ritmin që buronte brenda tij. Çdo profesor ishte një burim mësimesh për të. Ai i respektonte të gjithë, pa kurrfarë kritike; thjesht punonte dhe punonte. Dhe, çuditërisht, këto vështirësi për të ishin një lloj bukurie në vetvete.
Shkolla i dhuroi atij një forcë, dhe ai, deri më sot, akoma mbetet një vëzhgues.
“Është një art më vete të dish të vëzhgosh; kërkon liri dhe një lidhje të thellë me të vërtetën e jetës. Arti i vëzhgimit dhe i dëgjimit janë të bukur dhe një formë e jetës vetë. Ky art i vëzhgimit më ndihmoi shumë në Shkollën Shtetërore të Kërcimit. Ky vend, këta njerëz, artistë, kanë diçka të veçantë që të bën të jesh, më i ndjeshëm, përmes përballjes me të vërteta të ndryshme. Më vonë, fillova të bëja disa punë të vogla, si shfaqje televizive, që më ndihmonin financiarisht. Njerëzit që takova më ndihmuan secili në mënyrën e vet. Për secilin prej tyre, ruaj një “faleminderit” të madh në zemër. Për shumë kohe isha i shpërndarë, pa një bazë, pa një strehë ku të ndihesha i sigurt. Shtëpia ime e vërtetë erdhi shumë më vonë, pas viteve të tëra”, tregon Azizaj.
Që në vitin e parë të studimeve, ai filloi të kërcente me Kompaninë Greke të Kërcimit. Në vitin 2006 u pranua në Shkollën Shtetërore të Kërcimit në Athinë ku dhe diplomoi në vitin 2010.
Të nisesh i ri do të thotë të lejosh ëndrrën dhe ëndërrimtarin të rriten së bashku, fatet e tyre të pandashme. Parada e përpjekjeve për një jetë më të mirë, më të ndritur, me plot shpresë ka qenë diçka të cilën ai e ka arrirë.
Një nga momentet më të paharrueshme dhe të fuqishme në fillimet e Azizajt si balerin ka qenë kur ai ishte ende në vitin e parë të studimeve. Aty, papritmas, ai u përzgjedh për të qenë pjesë e një shfaqjeje, ku çdo kërcimtar përreth tij ishte profesionist – artistë që ai i admironte dhe që i ngjallnin frymëzim të thellë. Vepra quhej “Splinter in the Flesh”, krijuar nga Athina Valha. Për të, ishte si një hap në një ëndërr të ndaluar – të qëndronte në të njëjtën skenë me ata që deri dje i shihte vetëm si yje të largët. Për të, ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm njashtu si të prekte artin në formën e tij më të pastër dhe më të vështirë.
Është dhe një tjetër moment i thellë që koreografi Azizaj e ka skalitur në kujtimet e tij. I përket periudhës atëherë kur bëri audicionin në Greqi për kompaninë Linga Dance nga Lozana, drejtuar nga Marco Cantalupo dhe Katerzina Gdaniec. Ai audicion ishte fillimi i një udhëtimi të ri, ishte një portë që ia hapi botën dhe e çoi Azizajn drejt skenave të botës, ku pati privilegjin të punonte me koreografët e mirënjohur botërorë si: Akram Khan dhe Sasha Waltz. Këto përvoja e kanë bërë atë të mendonte se kishte hyrë në një univers tjetër, një univers ku çdo lëvizje dhe çdo hap e afronte me esencën e vërtetë të artit të vetë. Këto momente për të kanë qenë më shumë se sfida – ishin bekime që formësuan rrugëtimin e tij artistik.
Në anën tjetër, çdo vend ku ai ka performuar, i ka lënë atij diçka, qoftë një mësim apo një ndjenjë që ai e mban me vete. Në fund, është pikërisht kjo ndërlidhje globale që e bën atë të kuptojë se sa universal dhe i fuqishëm është arti. Të gjitha vendet në të cilat ai ka shkelur, kanë lënë një ndikim unik tek ai, por disa prej tyre kanë rezonuar më thellë, qoftë për shkak të atmosferës kulturore, njerëzve, apo ndjesisë që i kanë dhënë gjatë krijimit dhe performancës.
Pavarësisht se ai jeton larg Shqipërisë, ai gjithmonë kthehet me një ndjenjë nostalgjie dhe krenarie kur performon në vendin e vetë.
Në Gjermani ai ka pasur shumë bashkëpunime ku i kanë dhënë lirinë për të eksperimentuar në maksimum. Skena artistike atje konsiderohet të jetë shumë e hapur dhe e guximshme, gjë që Azizajn e ka shtyrë për ta thelluar procesin krijues, duke e krijuar kështu shtëpinë e tij të dytë në jetë. Në Francë, përkatësisht në Paris, ai ndjen një lidhje të veçantë, sidomos me historinë e artit dhe baletit që ka në thelb ai vend. Aty ai ndjen se artistët dhe publiku në përgjithësi jetojnë për artin, dhe ajo energji patjetër që iu është ngjitur edhe vetë koreografit Azizaj. Tek Zelanda e Re ai e ka krijuar një përvojë unike dhe transformuese për të. Takimi me fiset Maori ka lënë një gjurmë të thellë në mënyrën se si ai e percepton artin dhe lidhjen me kulturën.
“Ishte një nder të shkëmbeja punëtori me ta dhe të mësoja për traditat e tyre të pasura, që ndërthurin fuqinë e natyrës me spiritualitetin. Në ato momente, ndjeva një respekt të jashtëzakonshëm për mënyrën se si ata e përdorin artin – këngët, vallëzimin dhe gdhendjet – për të treguar histori, për të mbajtur gjallë trashëgiminë dhe për të krijuar lidhje mes brezave. Nga puna me ta, kuptova më thellë se arti nuk është vetëm një mjet shprehjeje, por edhe një mënyrë për të forcuar identitetin dhe lidhjen me tokën dhe paraardhësit. Energjia dhe pasioni që ata përcillnin gjatë performancave të tyre ishte frymëzuese. Ishte një shkëmbim që jo vetëm më pasuroi artistikisht, por më bëri të ndiej edhe më shumë lidhjen universale që arti krijon mes kulturave të ndryshme”, tregon Azizaj.
Meksika në anën tjetër ka qenë një tjetër ndalesë e jashtëzakonshme që i ka lënë atij një ndikim të thellë. Me historinë, kulturën dhe shpirtin e tij të gjallë, vendi i dha atij një ndjenjë të veçantë fuqie dhe pasioni artistik.
“Takimi me komunitetet lokale dhe përfshirja në artin e tyre tradicional ishte një përvojë që më frymëzoi shumë. Pasioni i tyre për vallëzimin dhe ritmet, shpesh të lidhura me kulturat e lashta si ato të Aztekëve dhe Majave, më bëri të kuptoj më thellë lidhjen e fortë që ata kanë me tokën dhe universin. Gjithashtu, atmosfera dhe festivitetet si Dia de los Muertos (Dita e të Vdekurve) ishin momente që ma transformuan perceptimin për artin dhe jetën. Kjo traditë më mësoi se si gëzimi dhe dhimbja mund të bashkëjetojnë në mënyrën më artistike dhe domethënëse, një ide që ka pasqyruar krijimtarinë time. Vizita në piramidat e Meksikës ishte një përvojë që më ktheu pas në kohë, duke më bërë të reflektoj mbi madhështinë e qytetërimeve të lashta dhe fuqinë e trashëgimisë njerëzore. Piramidat si Teotihuacán, me Piramidën e Diellit dhe të Hënës, më lanë pa fjalë. Arkitektura dhe simbolika e tyre tregojnë një njohuri të thellë për astronominë, natyrën dhe lidhjen midis tokës dhe kozmosit. Duke ecur mbi ato shkallë, ndjeva një energji të fortë, një përzierje të misterit dhe respektit për ata që ndërtuan këto monumente me një përkushtim të pabesueshëm. Po ashtu, vizita në Chichén Itzá, me Piramidën Kukulcán, më bëri të mrekullohem nga qëllimi pas krijimit të saj. Njohuritë që fiset e lashta si Majat kishin për ekuinokset dhe solsticet ishin mahnitëse dhe më bënë të reflektoj për lidhjen e tyre të ngushtë me natyrën. Këto piramida janë jo vetëm dëshmi të së kaluarës, por edhe një burim frymëzimi për artin tim, veçanërisht në mënyrën si ato kombinojnë spiritualitetin dhe estetikën. Momente të tilla më bëjnë të thelloj më shumë krijimtarinë time dhe të mendoj për trashëgiminë që lë pas çdo njeri”, shpalos Azizaj.
Po ashtu, Hong Kong ishte një ndalesë që i ka lënë atij një përshtypje të thellë, veçanërisht për kontrastin e tij unik mes traditës dhe modernitetit. Ky qytet vibrant, i mbushur me dritat e pafundme të qiellgërvishtësve dhe energjinë e tij të papërmbajtshme, i ka ofruar atij një hapësirë të veçantë për reflektim dhe krijimtari. Performanca në Hong Kong për të mbetet diçka unike, pasi publiku atje ka një ndjeshmëri të veçantë ndaj artit, duke qenë gjithmonë kurioz dhe i hapur për të eksploruar ide të reja.
“Një nga përvojat më mbresëlënëse ishte vizita në tempujt e qetë, si Man Mo Temple, që ofrojnë një ndjenjë paqeje dhe lidhjeje shpirtërore në mes të ritmit të shpejtë të qytetit. Kjo ndjesi dualiteti – e të kaluarës dhe së ardhmes që bashkëjetojnë”, thotë ai.
Gjithashtu, Brazili është një vend që e ka prekur atë thellë me energjinë e jashtëzakonshme dhe pasurinë kulturore. Çdo gjë, nga natyra e mrekullueshme deri te ritmet dhe ngjyrat e kulturës lokale, ka qenë një burim i pafund frymëzimi për të.
“Një nga përvojat më të paharrueshme ishte takimi me vallëzimin dhe muzikën tradicionale si samba dhe capoeira. Këto forma artistike nuk janë thjesht argëtim, por një shprehje e fuqishme e historisë, rezistencës dhe shpirtit të popullit brazilian. Ishte e jashtëzakonshme të shihja se si trupat e tyre lëviznin me një liri dhe gëzim të pastër, duke më bërë të reflektoj mbi lidhjen mes vallëzimit dhe identitetit. Brazili më ka mësuar se si arti mund të jetë një mjet për të shprehur jetë, pasion dhe një lidhje të pandashme me tokën dhe njerëzit. Kjo përvojë ka ndikuar thellë në krijimtarinë time dhe në mënyrën se si i qasem artit si një gjuhë universale”, tregon tutje ai.
Liri, pasion dhe shpirt, janë tri fjalët me të cilat ai e përshkruan ndjesinë që e merr kur përjeton vallëzimin, kur bëhet një me skenën. Dhe nëse do të kishte mundësinë për tu kthyer prapa në kohë, ai nuk do të ndryshonte asgjë, pasi që për të çdo hap që e ka hedhur, çdo sfidë me të cilën është përballur, e ka udhëhequr drejt vendit ku ai ndodhet sot. Ai beson thellë se jeta e tij është si një koreografi ku çdo gabim, çdo moment i vështirë, kontribuon në formësimin e shpirtit të tij artistik. Në fund, çdo gjë ka ndodhur për arsye dhe asgjë nuk është rastësi për të.
Është normale që në jetën e një artisti të ketë pasur momente kur ëndrrat për skenën kanë ngecur, ndonjëherë për shkak të vështirësive që jeta sjellë, dhe ndonjëherë për shkak të pasigurisë që vjen nga përballja me vështirësitë artistike. Kur ka ardhur një periudhë e tillë, koreografi Azizaj na tregon se e ka tejkaluar duke u kthyer tek pasioni dhe përkushtimi për artin. Ka mësuar të shoh përtej frikës dhe dyshimeve, dhe ka gjetur forcën në momentet më të errëta. Për të, ka qenë shumë e rëndësishme të besonte në vetvete dhe të kujtonte se çdo pengesë është një mundësi për të mësuar dhe për tu rritur si artist. Ai pohon që ka momente kur duket se gjithçka ndalet, por kur e kthen kokën pas, ai kupton se ato momente kanë qenë gjithashtu pjesë e rrugëtimit.
Është njashtu normale që shpeshherë nga mungesa e frymëzimit, nga lodhja e tepërt, një artist të vendos për të hequr dorë nga profesioni që ka. Mirëpo, koreografi Azizaj gjithmonë kujton fjalën e babait të tij që shpesh ia thoshte; “Përpara”.
“Ka pasur momente kur përballë sfidave të pafundme dhe lodhjes që ndjen çdo krijues, kam menduar të ndaloj krijimin e koreografive. Shpeshherë, ato periudha të vështira, ku ideja e përparimit duket e largët, më kanë bërë të dyshoj dhe të kërkoj prehje nga tensionet e këtij profesioni. Por, përkundër çdo lufte të brendshme, kam kuptuar se ndalimi nuk është zgjidhje. Pasioni dhe dashuria për artin më kanë shtyrë të vazhdoj. Krijimi i koreografive nuk është thjesht një detyrë, por një pjesë e qenies time. Edhe kur ndihesh i humbur dhe pa frymëzim, ka gjithmonë një dritë që të shtyn përpara”, thotë ai.
Sipas tij, ka pasur shumë momente kur mendonte se nuk mund të shkonte më përpara, por pikërisht një fjalë ka qenë thumbuesi kryesor që e ka bërë koreografin Azizaj të jehojë në historinë e baletit shqiptar.
“Më kujtohet një fjalë e babait tim, që më thoshte kur isha i vogël: “Përpara.” Kjo fjalë ka ndjekur çdo hap të jetës sime, si një tingull që vjen nga larg, nga kujtimet e fëmijërisë. Edhe kur ndjehesha i humbur, ai më kujtonte se rruga vazhdon përpara, edhe nëse duket e paqartë dhe e mjegullt sepse është gjithmonë një mundësi për të rifilluar, për të rritur dhe për të krijuar. Ka pasur shumë momente kur mendoja se nuk mund të shkoja më përpara, por gjithmonë, ashtu siç thoshte ai, “përpara” ka qenë frymëzimi që më ka mbajtur të ecja, edhe kur mendimet ishin të mjegullta dhe pasiguria më mundonte. E dija që, pavarësisht çdo vështirësie, gjithmonë ka një hap tjetër për të bërë, një rrugë tjetër për të zbuluar”, shpalos Azizaj.
Përpos artit të lëvizjes, brenda tij ekziston edhe ai i krijimit. E kuptoi se mund të kontribuonte në skenë jo vetëm si interpretues, por edhe si krijues i koreografive, atëherë kur iu zhvillua mendimi që arti dhe vallëzimi nuk janë thjesht një mjet për të shprehur ndjenjat dhe historitë e të tjerëve, por gjithashtu një hapësirë për të pasqyruar dhe eksploruar të tijat.
Gjatë eksperiencave si interpretues, ai ndjeu se kishte më shumë për të thënë sesa që mund ta shprehte vetëm përmes trupit. Kjo dëshirë për të shprehur ide dhe ndjenja të thella, e shtyu të kërkonte rrugë për t’i krijuar ato vetë, për të ndërtuar lëvizje që janë më të lidhura me shpirtin dhe vizionin e tij personal.
Kur ai filloi të krijonte koreografi, kuptoi se mund të ketë ndikim më shumë në mënyrën si shfaqet historia, duke i dhënë asaj një formë dhe një lëvizje që pasqyron më mirë kompleksitetin e jetës dhe emocionet që dëshiron t’i ndaj me publikun. Ky proces i krijimit i ka ofruar atij mundësinë që të integrohet thellë me artin, dhe gjithashtu që të ofroj një hapësirë ku të tjerët mund të shprehin vetveten përmes lëvizjes.
“Duke e parë vallëzimin jo vetëm si performancë, por edhe si një formë të komunikimit të thellë dhe të ndërlikuar, e kuptova se mund të kontribuoj si krijues, duke sjellë një dimension të ri dhe të personalizuar në artin e skenës. Krijimi në skenë është një ndjenjë që më zgjedh dhe nuk e zgjedh unë atë. Ndjehem i tërhequr nga ajo, një forcë që më shtyn të shpreh ndjenjat dhe historitë që janë të papërshkrueshme me fjalë. Koreografia bëhet një mjet për të komunikuar dhe për të krijuar një univers të ri, ku trupi dhe mendja bashkohen për të sjellë diçka më të madhe se vetvetja”, shpalos Azizaj.
“NoBody’s Land”, “Fleeting Feathers”, “Walls”, “In the Beginning”, “Sacred Scars”, janë disa nga krijimet personale të koreografit Azizaj, të cilat sjellin një shprehje të lirë, ku fytyrat e kuptimit janë pa maska, emocionet shkëputen nga rrjedha e fjalëve dhe nëpërmjet forcës delikate të trupave, thuret një krijim i tundshëm, i pamposhtur. Sublimja e artit të tij vjen si një gjuhë e ndjerë deri në asht, dhe publiku i baleteve të tij merr frymë njëkohësisht me balerinët. Triumfi i tyre është triumfi i kujtdo. Zemrat e secilit shikues mbajnë shtrëngueshëm fragmente të kërcimit që posedojnë veprat e Azizajt.
Konsiderohet se çdo krijim që ai bën është një udhëtim për të kërkuar lidhjen me vetveten, duke reflektuar plagët dhe përvojat që formojnë identitetin tonë. Lëvizjet që ai i krijon synojnë të kapin kompleksitetin e jetës, duke e shndërruar atë në diçka që flet thellë me shpirtin. Pra, puna e tij nuk është vetëm një shprehje personale, por edhe një pasqyrë e historive dhe ngjarjeve të të tjerëve, sepse, në shumë mënyra, ata janë një pasqyrim i jonë. Çdo ndjenjë që shprehet nëpërmjet baletit, për të mbetet një pasqyrë e botës së brendshme, që na ndihmon të kuptojmë veten dhe lidhjet që kemi me të tjerët.
“Pjesë si Nobody Land, Fleeting Feathers, In the Beginning dhe Sacred Scars janë më shumë se thjesht tituj – ato janë thelbi i historive që tregoj. Ato përfaqësojnë përpjekjen time për të shndërruar kalueshmërinë, shenjtërinë dhe dhimbjen në diçka që mund të komunikojë thellë. Çdo krijim është një medium, një hapësirë ku mund të përcjell mesazhe dhe të shpreh emocione që fjalët shpesh nuk mund t’i përshkruajnë. Përmes artit tim, mundohem të lidh, të inspiroj dhe të pasqyroj përvojën e përbashkët njerëzore. Është një kujtesë se të gjithë jemi pjesë e së njëjtës rrjetë të komplikuar, dhe se përmes artit mund të shohim dhe kuptojmë vërtetë njëri-tjetrin”, tregon Azizaj.
Dhe për procesin e krijimit të një koreografie, padyshim që një artist kalon nëpër shumë faza, emocione të ndryshme të cilat lënë gjurmë të përhershme brenda vetes, njashtu edhe në skenë.
Procesi i krijimit të një koreografie, për të, është një udhëtim i thellë dhe shpesh intensiv. Për të, gjithçka fillon me një kërkim, një pyetje të brendshme ose një ndjenjë të cilën e ka nevojë ta shpreh. Kjo është faza e parë, ku nuk ka asgjë konkrete, vetëm një ide të paformuar, por një energji që e shtyn atë që të kërkoj më shumë. Kjo është faza më e pasigurt dhe shpesh më e ndërlikuar, pasi ai ndjen se është një hap i parë drejt diçkaje që do të krijohet.
Më pas, pas disa reflektimesh të thella dhe kërkimesh, shpesh atij i shfaqen imazhe, lëvizje, dhe skena që fillojnë të formohen në mendjen e vetë. Kjo është faza e eksplorimit, ku ai fillon të eksperimentoj me lëvizje dhe ide. Ndonjëherë lëvizjet i vijnë natyrshëm, ndonjëherë i duhet kohë për t’i ndjerë dhe për t’i kombinuar në një formë tërheqëse. Gjatë kësaj faze, ai shpesh përjeton një lloj tensioni, pasi nuk është gjithmonë i sigurt nëse ajo që ka krijuar është ajo që do të transmetohet te publiku.
Kur ai ndihmohet nga balerinët dhe ekipi, ndodhin momente që i japin shpresë dhe ndihmë për të zhvilluar më tej idetë. Ky është momenti kur ai e di që idetë që ka krijuar mund të marrin një jetë të re në trupat e tjerë.
“Ka shpesh një ndjenjë të jashtëzakonshme kur një pjesë e lëvizjes bëhet “e jetës”, kur ndihesh se ajo mund të komunikojë me dikë tjetër, dhe jo vetëm me mua. Ky është momenti kur transformohet ideja ime personale në një eksperiencë që mund të ndaj me të tjerët. Për mua, faza e krijimit të një koreografie është gjithashtu një proces i ndërlikuar emocionalisht. Shpesh ndjej një tension midis dëshirës për të komunikuar diçka të thellë dhe shqetësimit se a do të mund të arrij qëllimin tim. Kur është gjithçka gati për të dalë në skenë, ndiej një lloj frike dhe eksitimi që bashkohen, pasi është momenti kur ajo që kam krijuar duhet të përballet me publikun dhe të ketë një ndikim. Në këtë moment, për mua, është e rëndësishme të mbetem i hapur ndaj asaj që publiku mund të përjetojë dhe të pranoj që një pjesë e artit është gjithmonë një shkëputje nga vetvetja, një dhuratë që e ndan me të tjerët”, shpalos Azizaj.
Në fund vjen ai momenti kur gjithçka bëhet e dukshme në skenë. Gjithçka është qetësi.
“Kam kaluar përmes dyshimeve, eksperimentimeve dhe emocioneve të ndryshme, dhe kur shoh se ajo që kam krijuar ka lënë një efekt, kam ndjenjën e përmbushjes. Për mua, procesi i krijimit është gjithashtu një mundësi për të kërkuar dhe për të mësuar, sepse çdo krijim është një hap më afër kuptimit të asaj që dua të them dhe si mund ta komunikoj më mirë përmes lëvizjes dhe artit. Krijimi i një koreografie është një udhëtim emocional, që fillon me kërkimin dhe pasigurinë, dhe kalon në faza inspiruese dhe eksploruese. Ajo që kam si ide dhe kërkoj në studio shpesh ndryshon gjatë procesit, sepse çdo moment i ri sjell një kuptim dhe formë të re”, tregon Azizaj.
“Gjurmët” është një solo dance performancë në KunstHaus Bregenz të Austrisë. Kjo shfaqe ishte një dialog krahas ekzibicionit të Anri Sala.
Baleti “Gjurmët” eksploron ndërlidhjen midis ekspozitës së Anri Sala dhe aktit të vallëzimit. Vallëzimi është një komunikim aktor, i hapave, gjesteve, situatave, ngjarjeve, ritualeve dhe proceseve. Duke zbuluar ndikimet që veprojnë brenda një gjuhe të vallëzimit universale dhe të veçantë për kulturën, Azizaj bën një udhëtim në botën e tij, duke gjurmuar imazhe nga fëmijëria e tij të cilat ndihmuan në formimin e mirëkuptimit dhe imagjinatës së artistëve. Gjuha e vallëzimit luan një rol të rëndësishëm në transformimin kulturor të shoqërive. Këto transformime vijnë në jetë brenda dinamikës së vallëzimit. Azizaj paraqet metoda artistike që përfaqësojnë “gjurmë” thjesht përmes materialeve të tilla si trupi, drita, ngjyra, pëlhura, tingulli.
(Një grua e quajtur Ariadne i dha Tezeut një fije të kuqe dhe ai shpëtoi veten nga labirintet e Minotaurit përmes kësaj fije. Një përbindësh i vuajtur mund të jetë një element për lëvizjen, si dhe traumat tona të kaluara ose kujtimet e pavetëdijshme që na drejtojnë nëpër jetë. Duke sjellë në jetë kujtimet e kaluara të vallëzimit të babait të tij, Azizaj përsërit rrugën e tij përmes fillit të kuq.)
“Performanca ime në Austri, Gjurmët, ishte një udhëtim thellësisht personal, ku përdorja një fill të kuq për të pasqyruar lidhjen me babin tim dhe kujtimet që kam me të. Ky simbol i thjeshtë, i një gjëje të zakonshme si një fill, u bë një mjet për të lidhur të kaluarën me të tashmen, për të ndihmuar në shprehjen e atyre kujtimeve që më kanë formuar mua si individ dhe si artist. Çdo lëvizje dhe çdo hap në këtë performancë ishte një pasqyrim i rrugës që ai ka kaluar, dhe gjithashtu i rrugëtimit tim, siç është përsëritja e një historie që ka pasur ndikim të thellë mbi jetën time”, thotë Azizaj.
Sipas tij, roli i babait në jetën e tij ka qenë esencial. Si një ish-valltar, babai i tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e pasionit të Blenardit për artin dhe vallëzimin. Edhe pse ai nuk është më pjesë aktive e skenës, besohet se ndikimi i tij vazhdon të jetë i thellë dhe i qëndrueshëm.
“Nuk ishte vetëm prezenca e tij fizike në çdo moment që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë artin, por edhe fryma dhe filozofia që ai ka pasur ndaj tij. Ai më mësoi të vlerësoj përpjekjen dhe disiplinën që kërkon arti, por gjithashtu më dha kuptimin e lidhjes së thellë mes trupit dhe shpirtit gjatë performancës. Në ‘Gjurmët’, unë nuk thjesht interpretoja një histori personale, por kërkoja të kapja diçka më të thellë që kishte të bënte me identitetin dhe lidhjen me rrënjët, duke përfshirë gjithashtu edhe dhimbjen e humbjes dhe forcës që buron nga kujtimet. Prezenca e babait tim ishte një udhërrëfyes i heshtur gjatë performancës. Pjesë e performancës ishte ndjenja se ai ishte me mua në çdo moment të rrugëtimit tim, si një dritë që më udhëhoqi dhe më dha forcën të shpreh veten në këtë formë. Ky moment i performancës ishte një mënyrë për të ndërlidhur dy botë, atë të tij, dhe atë timen. Babai është një figurë që vazhdon të jetojë brenda meje përmes kujtimeve dhe vlerave që më ka dhënë”, shpalos Azizaj teksa thotë se ‘Gjurmët’ ishte një mundësi për të shprehur një lidhje të paharrueshme në një mënyrë që arrin të prekë edhe të tjerët.
Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë mbahet tash e tre vite. Vitin e kaluar, ka qenë pikërisht premiera e “The Dawn of Time” me koreografi të Azizajt dhe me një trupë të madhe të balerinëve që ka përmbyllur festivalin krejt këndshëm.
Pjesëmarrjen në Festivalin Ndërkombëtar të Kërcimit Bashkëkohor në Tiranë, veçanërisht përmbylljen e festivalit me premierën e “The Dawn of Time”, ai e cilëson si një përvojë shumë të pasur por me shumë sfida. Pavarësisht asaj, ky balet për të ka qenë një mundësi për të shprehur një koncept të thellë dhe për të sjellë një trupë të madhe balerinësh për të krijuar një përvojë kolektive në skenë, ku çdo lëvizje dhe çdo ngjyrë qëndronte si pjesë e një storytelling-u të madh dhe të ndërlikuar.
“Nga njëra anë, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të prezantuar diçka që kishte shumë rëndësi për mua si krijues – një pasqyrë të kalimit të kohës, të ciklit të jetës dhe të gjithçkaje që është në lëvizje brenda natyrës dhe shoqërisë. Po ashtu, ky projekt ishte një test i madh për mua, sepse kërkonte të mbaja një ekuilibër mes kërkesave artistike dhe praktike të një produksioni kaq të madh, me një trupë të madhe balerinësh dhe gjithë logjistikën që e shoqëron këtë”, thotë ai.
Mirëpo, nga ana tjetër, sfidat e festivalit trokitën në derë dhe erdhën si pasojë e shumë faktorëve – menaxhimi i një grupi të madh balerinësh, balancimi i kohës dhe burimeve, si dhe nevoja për të krijuar një atmosferë që mund të mbante një nivel të lartë artistik për të gjithë ata që morën pjesë.
“E gjithë kjo kërkonte një disiplinë të madhe dhe një komunikim të vazhdueshëm për të siguruar që çdo moment në skenë të kishte atë forcë dhe ndikim që synoja. Në aspektin emocional, ishte një mundësi për të ndarë një pjesë të rëndësishme të vetes me publikun dhe për të parë se si çdo balerin kontribuonte në krijimin e një eksperiencë të përbashkët. Pavarësisht vështirësive, ajo që më mbajti ishte besimi në mundësinë për të krijuar një gjuhë që do të bashkonte njerëzit dhe do t’i bënte ata të ndjenin diçka të përbashkët, pavarësisht prejardhjes së tyre kulturore”, tregon Azizaj, i cili në përgjithësi festivalin e vlerëson si një mundësi të jashtëzakonshme për të shpërndarë artin, promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të pasur një platformë ku artistët mund të shprehen lirisht dhe pa kufizime.
Pjesëmarrja e tij në këtë festival ka qenë një mësim i madh për të si krijues, duke mësuar shumë rreth adaptimit dhe qëndrueshmërisë gjatë një periudhe të ngarkuar.
“Nuk ka qenë e lehtë, sepse dialekti i botës sime të vallëzimit ka një kompleksitet të vetin dhe kërkon një angazhim fizik dhe teknik të madh. Për disa nga balerinët, ka qenë pak e vështirë të hynin në botën time, sidomos pasi ata zakonisht performojnë në pjesë klasike, por çdo sfidë më ka bërë më të fortë dhe më të thellë për ta kuptuar dhe njohur më mirë mënyrën se si mund të adaptohem në çdo situatë, pa potencuar vështirësitë që mund të has. Pjesëmarrja ime në këtë festival ka qenë një mundësi për të sjellë një kontribut të vlefshëm në këtë kontekst dhe për ta bërë Tiranën një qendër të rëndësishme për kërcimin bashkëkohor”, tregon ai.
Kujtojmë që baleti “Emigrimi i Madh” që u shfaq në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, pati ardhur si një biografi e koreografit Azizaj që tregon për emigrimin në Greqi të cilën ai shpesh dëshiron ta trajtojë brenda krijimeve të tij, andaj dhe ky balet për të gjithmonë do ta ketë një pjesë të veçantë në jetën e tij.
Sipas tij, baleti ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i eksperiencës së tij personale, një histori që ka thellësisht lidhje me emigrimin dhe ndikimin që ka pasur ky proces në identitetin e tij. Krijimi i tij ka ndodhur në Volkstheater Rostock, dhe ishte një projekt që ai e pati ndërtuar me shumë kujdes dhe emocion, duke përfshirë aspekte të jetës së tij dhe të luftës, për të gjetur një vend në një shoqëri të huaj.
“Një moment shumë i veçantë për mua ishte kur ky krijim u sugjerua për çmimin prestigjioz Der Faust, një çmim që nderon arritjet më të mëdha në artet skenike gjermane. Ky ishte një ndjesi shumë e veçantë, sepse për një emigrant si unë, që përballet me sfida të shumta, të njohesh dhe të vlerësohesh në një kontekst të tillë është një arritje e madhe. Jetesa dhe puna në një vend të huaj, siç është Gjermania, sidomos në këto kohë turbullirash që po kalojmë, nuk është e lehtë. Kjo është një sfidë e vazhdueshme, si nga ana sociale, ashtu edhe nga ajo emocionale”, thotë koreografi Azizaj i cili është përballur me shumë barriera, përfshirë atë të komunikimit dhe gjetjes së një hapësire ku mund të pranoheshe si një artist i huaj.
Megjithatë, përmes krijimeve të tilla si “The Great Migration”, ai është munduar t’i shpreh eksperiencat e veta dhe të bëj një thirrje për të gjithë ata që janë në kërkim të një identiteti të ri në një botë që ndryshon çdo ditë. Ky balet konsiderohet të jetë një homazh për të gjithë ata që janë larguar nga atdheu i tyre dhe për përpjekjet e tyre për të gjetur një vend në një botë që shpesh mund të duket e huaj dhe e ftohtë.
Së fundi, më 17 tetor të vitit 2024, koreografi Azizaj ka sjellë “Walls” në Gorizia të Italisë. “Muret” është një fjalë e tejpërdorur, një imazh i fortë, një realitet konkret. Ato qëndrojnë për frikën, urrejtjen, përjashtimin, refuzimin, izolimin, zmbrapsjen, mohimin. Ky balet vjen si një reflektim mbi muret, si në kuptimin fizik ashtu edhe në atë metaforik. Muret janë kudo—në shoqëri, marrëdhënie, dhe ndonjëherë edhe brenda nesh, duke penguar të arrijmë atë që dëshirojmë.
“Krijimi i tij ka lindur nga një proces reflektimi dhe kërkimi, duke lidhur këtë temë me përvojat dhe ndjenjat që kam pasur gjatë kalimit përmes kufijve të jetës. Për ‘Walls’, çdo moment i krijimit ka qenë një udhëtim i thellë. Prapaskenat e krijimit janë të mbushura me periudha kërkimi dhe eksplorimi të mundësive të shprehjes. Puna me balerinët ka qenë një proces i ndarjes dhe shkrirjes së emocioneve, për të krijuar një gjuhë të përbashkët në skenë. Ky balet është një bashkim i mesazheve dhe përvojave që flasin për individët dhe shoqërinë”, thotë Azizaj.
Sipas tij, “Walls” ka shumë shtresa emocionale dhe simbolizëm që përmes lëvizjes shfaqin kufijtë që shpesh i ndjejmë dhe baleti tregon mënyrën se si mund t’i kalojmë kufijtë përmes përpjekjes dhe angazhimit. Për të, ka qenë një krijim që ka kërkuar shumë durim dhe angazhim nga të gjithë pjesëmarrësit, duke u zhvilluar tutje si një proces transformues.
“Walls” ka bërë një turne të suksesshëm për shtatë vjet që nga krijimi i tij i parë me Area Jeune Ballet në vitin 2017 si dhe konsiderohet si një balet që inkurajon publikun të shohë përtej këtyre pengesave dhe të sfidojë mënyrën se si i perceptohen ato.
Koreografi Azizaj na tregon se ky balet eksploron simbolizmin e pengesave, ndjenjat e frikës, përjashtimit dhe dëshirës, duke u mbështetur në fjalët e poetit grek Konstantin Kavafyt—“Pa marrë parasysh, pa turp, ata ndërtuan mure të larta, të forta rreth meje. Tani unë qëndroj këtu në dëshpërim.”
Pra, poeti i drejton pyetje njerëzimit: “Pse ndërtojmë mure fizike dhe emocionale?”
Koreografi shqiptar Blenard Azizaj për plot 21 vite jeton tashmë larg vendit por edhe larg skenës shqiptare. Rikthimin e plotë në skenën e Shqipërisë e sheh si diçka që duhet të ndodhë natyrshëm por dhe që varet nga shumë faktorë.
“Çdo hap në rrugëtim tim jashtë Shqipërisë ka qenë një mundësi për të mësuar dhe zhvilluar veten si artist. Nuk kam ndaluar kurrë së menduari për Shqipërinë dhe ndikimin që ai vend ka pasur në formimin tim. Megjithatë, rikthimi i plotë është një proces i natyrshëm dhe i ndërlikuar, që varet nga shumë faktorë. Kam një lidhje të thellë me vendin tim dhe gjithmonë kam qenë i hapur për mundësi që mund të sjellin një ndikim të dobishëm për skenën shqiptare”, thotë ai.
Për momentin, koreografi Azizaj vazhdon të kontribuoj me artin e tij përmes punëve që bën jashtë, dhe ai shpreson që në të ardhmen, të e gjej mundësinë për të ndihmuar më shumë në zhvillimin e kulturës dhe artit në Shqipëri.
“Ky proces i qëndrimit jashtë dhe i punës në skenat ndërkombëtare ka pasur një ndikim të thellë në krijimtarinë time, duke më mundësuar të sjell një perspektivë të re dhe më të pasur në atë që krijoj. Pavarësisht largësisë, Shqipëria ka mbetur gjithmonë një pjesë e pandashme e meje, dhe çdokush prej nesh e di se lidhjet e thella me vendin tënd janë të pandryshueshme. Ky është një udhëtim që vazhdon të ndikojë çdo pjesë të krijimtarisë time, dhe unë shpresoj që gjithashtu të mund të kontribuoj më shumë në skenën shqiptare në të ardhmen”, shpalos Azizaj.
Stili i koreografit Azizaj i përket kontemporanes. Më shumë se teknika, stilit i duhet një emocion i ndjerë që s’ka zëvendësim. Shpesh ndodh që njerëzit ta nënvlerësojnë këtë stil, duke marr parasysh se janë të mësuar me artin e baletit klasik. Koreografi Azizaj mendon që pikërisht ky stil i bashkëkohores i nevojitet publikut për të kuptuar emocionet më të sinqerta.
“Dialekti i gjuhës time të kërcimit përfshihet plotësisht tek kërcimi bashkëkohor, ku emocionet dhe shprehjet personale janë thelbësore. Baleti klasik është një formë e mahnitshme dhe me teknikë të lartë, por ndonjëherë, për shkak të njohurisë dhe traditës, njerëzit mund të kenë më shumë vëmendje për atë që është më i njohur dhe mund të mos e vlerësojnë aq shumë lirinë dhe emocionet që sjell kërcimi bashkëkohor. Për mua, kjo është më shumë se teknika – është një përvojë e ndarë me publikun, një komunikim përmes lëvizjes që shpreh ndjenja dhe histori të thella. Shumë shpesh, mund të duket se publiku ka nevojë për kohë për të kuptuar dhe vlerësuar këtë formë arti, por përpiqem ta sjell këtë stil në mënyrë që të prekë dhe të lë një ndikim të thellë tek ata. Kërcimi bashkëkohor është një hapësirë ku shprehja e ndjenjave dhe emocioneve të sinqerta bëhet prioritet, duke i dhënë mundësi artit të shkojë përtej kufijve të teknikës dhe të arrijë një nivel të ri komunikimi me audiencën”, rrëfen Azizaj.
Sa i përket atyre që dëshirojnë të ndjekin rrugën e baletit në Shqipëri apo kudo në botë, koreografi Azizaj thotë se ata duhet të jenë të duruar dhe të besojnë në pasionin e tyre, sepse baleti është një udhëtim i gjatë dhe i vështirë, por gjithashtu shumë shpërblyes.
Sipas tij, secili duhet të jetë i gatshëm të përballet me sfida, të bëj sakrifica dhe të punoj pa ndalur për të arritur qëllimet. Ai beson që përveç teknikës dhe disiplinës, është e rëndësishme që ata të gjejnë një zë të tyre, një emocion të vërtetë që duan të sjellin në skenë.
“Baleti është më shumë se thjesht lëvizje; është një formë arti që kërkon shpirt dhe pasion. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, është që të keni besim në vetvete dhe të mos hiqni dorë, sepse rruga është e vështirë, por çdo hap që bëni është një hap më afër realizimit të ëndrrave tuaja”, thotë ai.
Dhe, kur bie fjala tek TKOB në Tiranë dhe zhvillimit të skenës së baletit në Shqipëri, koreografi Azizaj ka treguar se beson thellë që ky institucion ka një rol thelbësor në zhvillimin e skenës së baletit në Shqipëri.
“Është një platformë e rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e baletit si art, duke ofruar mundësi për balerinët dhe krijuesit që të shprehin veten dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në një nivel të lartë. Kontributi i Teatrit është i pazëvendësueshëm, pasi jo vetëm që mbështet shfaqje të nivelit të lartë, por gjithashtu ndihmon në edukimin dhe formimin e artistëve të rinj, që janë e ardhmja e skenës shqiptare. Megjithatë, ende ka hapësirë për më shumë mbështetje dhe investime për të mundësuar zhvillimin e vazhdueshëm dhe diversifikimin e repertorit. Më shumë mundësi për bashkëpunime ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave për të tërhequr një audiencë më të gjerë, do ta forconin më tej rolin e Teatrit si një qendër kryesore për baletin në Shqipëri”, shpalos ai.
Më 6 dhjetor, koreografi Azizaj ka dhënë premierën e radhës, projektin e ri me Area Jeune Ballet, në Centre des Arts në Gjenevë. Baleti “Terra” është një krijim i ri që eksploron lidhjen mes individëve dhe botës që i rrethon, duke theksuar përballjet me transformimin. Ky projekt trajtoi temat e shpresës duke përdorur lëvizjen për të reflektuar mbi realitetin e brendshëm të individit dhe atë kolektiv. “Terra” synon të krijojë një përvojë që flet për luftën për identitet dhe lidhjen e thellë me natyrën dhe hapësirën, ndërsa ndërthur emocionet dhe pasionet që shprehin çdo formë të qenies njerëzore.
Dhe, kur bie fjala tek balerinë dhe koreografë që ndikojnë në jetën e një artisti, gjejmë shumë emra, pasi që ata zënë një vend të veçantë tek secili artist. I njëjtë ka qenë rasti me koreografin Azizaj i cili thotë se janë disa artistë që kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në botën e baletit dhe krijimit koreografik, dhe secili mban një vend të veçantë në jetën e tij.
Sipas tij, Jiri Kylián është i njohur për aftësinë e tij për të integruar lëvizjet klasike me ato bashkëkohore, duke krijuar një harmoni të papërshkrueshme mes trupit dhe emocioneve. “Koreografitë e tij janë thellësisht poetike dhe shpesh shpërfaqin një ndërthurje të fuqishme të natyrës dhe qenies njerëzore.”
Pina Bausch, është ikona tjetër e baletit bashkëkohor. “Ajo ka revolucionarizuar baletin me “teatrin e lëvizjes”, ku lëvizja nuk është vetëm teknike, por një formë e fuqishme shprehjeje emocionale dhe shpirtërore. Dizajnimi i saj i skenës dhe përdorimi i lëvizjeve për të treguar historinë janë të papërshkrueshme.”
Mikhail Baryshnikov, për të, është një legjendë, një balerin që ka shkelur çdo kufi të mundshëm të trupit dhe ka shpërthyer çdo mundësi të artit të baletit. “Aftësia e tij për të kombinuar bukurinë e teknikës së pastër me emocione të thella e ka bërë atë një ikonë të pavdekshme.”
Rudolf Nureyev, konsiderohet të jetë i njohur për fuqinë e tij fizike dhe interpretimin emocional. “Ka qenë një emër që ka bërë histori në baletin klasik dhe ka ndryshuar thelbësisht skenën baletistike ndërkombëtare.”
Dhe për koreografin Azizaj, James Thierrée, është performeri i cili ka një qasje të jashtëzakonshme për të përzier teatrin, kërcimin kontemporan dhe cirkun, duke krijuar një botë krejt të veçantë.
Teksa ne i afrohemi fundit të kësaj interviste, koreografi Azizaj na shpalos se është shumë e vështirë që ai të e imagjinonte një arsye që do e shtynte atë të hiqte dorë nga ky profesion, sepse, për të, arti dhe vallëzimi janë pjesë e qenies së tij.
“Baleti nuk është thjesht një punë, por një mënyrë jetese, një mjet për të komunikuar, për të shprehur ndjenjat më të thella dhe për të ndikuar në botë”, thotë ai.
Megjithatë, nëse ndonjëherë do e ndiente se ky profesion po e largon nga njerëzit që ai do më shumë – familja apo partnerja – ose nëse shëndeti i tij do të ishte në rrezik serioz dhe nuk do të mund ta përjetonte këtë art si më parë, ndoshta do të detyrohej që të ndalej. Por edhe atëherë, ai beson se do të gjente mënyra të tjera për të qenë pranë artit, ndoshta përmes mësimdhënies, koreografisë ose mbështetjes së artistëve të rinj.
Krejt në fund të intervistës, koreografi Azizaj ka dëshiruar që të shpreh falënderimet e tij më të thella për disa njerëz të veçantë që kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në jetën dhe rrugën e tij artistike.
“Faleminderit prindërve të mi, Nebi dhe Bukuri Azizaj, për dhuratën më të çmuar – jetën time dhe urimet e përjetshme që më kanë dhënë. Një mirënjohje e pafund për Aggeliki Siguru që më ofroj hapat e para të dansit kontemporan. Aliki Kontziu Gousa, mirënjohje të veçantë për udhëzimin dhe mbështetjen që ka pasuruar çdo hap të rrugëtimit tim. Shkolla e Shtetit të Vallëzimit të Athinës ka qenë një burim i pashtershëm dijesh dhe mundësish për t’u zhvilluar. Për këtë, ndjej falënderim të thellë dhe respekt të pafund. Dhe falënderoj të gjithë mësuesit e mi që me zemër më kanë drejtuar dhe më kanë ndihmuar të zbuloj dhe të zhvilloj potencialin tim. Një falënderim i veçantë për Pavlina Veremi, për ndihmën e saj të çmuar. Po ashtu, një mirënjohje e thellë për Angela Bushati, për durimin dhe përkushtimin e saj që më jep forcën dhe qetësinë për të vazhduar në këtë rrugë”, ka thënë Azizaj.
Fotografia në ballinë: Caroline Jiang/ KultPlus.com