9 Tetor, 2017 - 8:21 pm
Kujtim Gashi, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, në një intervistë për KultPlus ka treguar për strategjinë e tij si ministër, përgjatë mandatit të tij katër vjeçar. Skena e Pavarur duket të jetë pika e fortë e ministrit Gashi, i cili ka vlerësuar se në bashkëpunim me përfaqësues të Skenës së Pavarur të hartojë edhe politikat e reja të Ministrisë. Ai ka folur edhe për projektin e Shtëpisë së Operës, për kthimin e artefakteve nga Serbia, sikurse që ka folur edhe për ndarjen e politikës nga kultura. Ministri Gashi ka shpjeguar në këtë intervistë edhe për bartjen e MKRS-së drejt Prizrenit, sipas të cilit, nuk është qyteti i vetëm që po bëhet nikoqir i një dikasteri, pasi që, sipas tij, synohen edhe qytete të tjera për bartje të tilla.
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ardhja e juaj në krye të Ministrisë së Kulturës po vjen edhe me risinë tjetër, atë të bartjes së një dikasteri në një qytet tjetër, përkatësisht në Prizren, gjë që nuk ka ndodhë më herët. Pse po ndodhë kjo bartje?
Kujtim Gashi: Ka qenë një premtim i Kadri Veselit, premtim i kahershëm nga takimet që ka pas në turin e dëgjimeve. Dhe me kontaktet me përfaqësues të kulturës, por edhe njohës të trashëgimisë së kulturës, ka lindë ideja që duhet tw kemi një dikaster në Prizren, që u ofron shërbime të kulturës, pasi që, dihet se Prizreni ka organizim të festivaleve të shumta, veçanërisht që kemi edhe një festival të rëndësishëm ndërkombëtar.
KultPlus: Por jo sa Prishtina, megjithatë?
Kujtim Gashi: Jo sa Prishtina, por duke parë rëndësinë e Prizrenit e kemi parë të domosdoshme këtë bartje. Dhe nuk përfundon një ide e tillë vetëm me Prizrenin, pasi që kemi ide që edhe në Pejë të kemi një pjesë të shërbimeve për fushën e sportit, duke pas parasyshë edhe Majlinda Kelmendin dhe sportin e xhudos që zhvillohet kaq suksesshëm në Pejë. Për këto arsye, duke iu referuar pikave të caktuara nëpër qytete, kemi ardhë me këto ide që kanë për qëllim edhe zhvillimin e rajoneve të tjera në Kosovë, pasi që, praktika të njëjta kanë edhe shtete të tjera. Kjo iniciativë është duke u pritur mirë edhe nga komuniteti, sepse, përpos që po ofrojmë një dikaster në Prizren, në të njëjtën kohë fuqizojmë edhe turizmin, pasi që, Prizreni, gjithnjë duke u bazuar në statistika, ka një fluks të madh të turizimit.
KultPlus: Megjithatë, është e paimagjinueshme të bartet një institucion i tërë, më saktë, kush do të lëvizë në Prizren?
Kujtim Gashi: Ne kemi një plan të cilin e kemi hartuar dhe në bazë të këtij plani kjo është e ndarë në dy faza, faza e parë do të bartet kabineti i ministrit me disa këshilltarë, zëvendësministra…, kurse faza e dytë është bartja e departamentit të kulturës dhe atij të trashëgimisë. Kurse për departamentin e rinisë dhe atë të sportit, ende jemi në shqyrtim.
Komuna na ka ofruar një objekt i cili nuk i plotëson kushtet që të bartemi në tërësi, dhe në synimet e mia si ministër e kam të planifikuar që të kërkoj edhe një objekt tjetër, që është nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore, e ky objekt do të plotësoj kushtet tona.
KultPlus: Dhe, kur është periudha kur edhe do të vendoseni në Prizren?
Kujtim Gashi: Është një problem administrativ, që të na jepet objekti të cilin edhe po e kërkojmë duhet tw vendosë Kuvendi i Komunës, aktualisht jemi në proces zgjedhor dhe nuk ka Kuvend që mund të vendosë për këtë vendim. Nëse zgjedhjet shkojnë sipas planifikimeve, në muajin janar mund të merret një vendim i tillë, kurse në shkurt do të ndodhë edhe bartja në Prizren.
KultPlus: Ju po e vlerësoni se Prizreni do të fitojë me këtë lëvizje, mirëpo, në anën tjetër Prishtina ka aq shumë ngjarje kulturore sa në shikim të parë, qyteti që do të humbë me këtë lëvizje duket të jetë Prishtina?
Kujtim Gashi: Prishtina është kryeqytet dhe ka edhe 20 ministri të tjera. Por pavarësisht prej kësaj, ne do të kemi dikaster që do të qëndroj në Prishtinë, të cilët do të ofrojnë shërbime. Askush nuk ka nevojë të udhëtojë nga Prishtina për në Prizren, as të bartë dokumente, sepse do të kemi persona në Prishtinë të cilët do të ofrojnë këto shërbime.
KultPlus: Në bazë kësaj se çfarë po thuhet, atëherë kjo bartje duket të jetë më shumë si një strategji imazhi se sa vetë lëvizje klasike?
Kujtim Gashi: Kushtimisht mund të them se është një lëvizje simbolike për shkak të karakteristikave që ka Prizreni, për shkak të kulturës, trashëgimisë…, qoftë me monumente, qoftë me festivale, por gjithësesi do të jemi edhe nw Prishtinë.
KultPlus: Ndërkohë, përgjatë mandatit të juaj si ministër në Ministrinë e Kulturës ju duhet të keni një strategji për udhëheqjen e këtij institucioni. Keni piketuar ndonjë qëllim që mund ta vlerësoni si suksesin më të madh, nëse e realizoni përgjatë mandatit tuaj?
Kujtim Gashi: Kjo ministri përfshinë disa dikastere dhe është një nga Ministritë më të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës, sepse përfshinë katër dikastere të rëndësishme. Mirëpo, gjatë këtij madanti do ti jap përparësi Skenës së Pavarur, duke pasë parasysh performancën që ka treguar Skena e Pavarur në fusha të ndryshme. Politikat e MKRS-së do të bëhen bashkë me përfaqësues të Skenës së Pavarur, bashkë me ta do të hartoj edhe kalendarin vjetor të zhvillimeve kulturore. Ju e dini poashtu se gjithmonë ka pas vonesa në konkurset publike për mbështetje të ndryshme kulturore, ne në këtë pikë do të jemi shumë efikas, konkursi do të ndodhë shumë herët, do të jetë shumë i hapur dhe transparent dhe shumë herët do të dihen të dhënat, dhe mjetet financiare do ti kenë me kohë, e jo ti kenë vetëm premtim në letër dhe të lihen në borgje.
Skenën e Pavarur do ta mbështesim fuqishëm, do të mundohemi që nëpërmjet tyre ti zhvillojmë politikat kulturore në Qeveri, jam i interesuar që të kemi një ndarje të buxhetit në mënyrë proporcionale për ata që janë më të rëndësishëm. Unë kam parë që janë ndarë disa mjete në vende jo të duhura.
Gjithashtu do të kemi edhe pjesën e investimeve kapitale, ju e dini se sa vite është folur për projektin e Shtëpisë së Operës, nuk ka pasë asnjë hap, prandaj e kam angazhuar departamentin përkatës që të hartojnë projektin shpejt, edhe unë besoj që brenda një periudhe të shkurtë do të kemi projektin e gatshëm, do të shpallet konkurs për projekt, sepse nuk kemi as projekt, pasi që më herët kanë menduar për një projekt milionësh, shumë që ka ndikuar që kurrë mos të realizohet. Unë kam kërkuar një projekt për nevojat e Republikës sonë. Nevojat e Kosovës nuk kanë pasë nevojë që të premtohen projekte aq të mëdha, unë jam idhtar i asaj që të punoj sipas prioriteteve, nuk kemi nevojë me pasë një objekt me 30 salla e mos të shfrytësohet asnjë sallë, unë jam idhtar që të kemi atë që kërkohet, edhe njerëzit që kam takuar janë shumë dakord që të kemi një projekt të tillë. Uroj që të kemi kompani edhe nga jashtë.
KultPlus: A besoni që ky projekt do të përfundojë brenda mandatit tuaj, sepse është një prej projekteve që krejt ministrat paraprak e kanë premtuar por që nuk është realizuar.
Kujtim Gashi: Mendoj që është nevojë, sepse nuk e kemi një objekt të tillë. Nuk është një prej projekteve kryesore që i synoj si ministër, por jam i thirrur të realizoj ato projekte që kemi nevojë, nëse njerëzit e kanë menduar si prioritet, atëherë ne e kemi futë në program të Qeverisë. Besoj që përgjatë mandatit katër vjeçar të MKRS, projekti do të jetë i gatshëm.
KultPlus: A është një prej projekteve kryesore që e synoni, apo ka diçka tjetër që është edhe më sfiduese?
Kujtim Gashi: Unë fillimisht jam i interesuar që të kemi një zhvillim të hovshëm të kulturës, ky është prioriteti i parë dhe këtë do ta bëjmë me njerëzit jashtë MKRS-së, sepse një gjë e tillë nuk është bërë me njerëzit brenda MKRS-së. Njerëzit që kanë punuar në MKRS nuk e kanë shtyrë zhvillimin e punëve, por të njëjtit i kanë neglizhuar. Poashtu jam idhtar të punoj me emra të njohur në botë, që ti involvojmë. Sepse, për mua, investimet kapitale janë prioritete të zakonshme që besoj fuqishëm që do ti realizoj, por jam idhtar i asaj që mos të fokusohemi te objektetet, por të kemi subjekte të zhvilluara të kulturës, subjekte brenda MKRS-së, nga institucionet e varura , dhe veçanërisht ato të pavarura, që janë shumë, që janë me ide brilante. Poashtu duhet të kemi si qëllim që të bëjmë ndarjen e politikës nga kultura, për kulturën tonë duhet të vendosin njerëzit e kulturës, duhet të vendosin njerëzit që e njohin kulturën.
KultPlus:Ju po e premtoni që do të ndani politikën prej kulturës?
Kujtim Gashi: Absolut, është prioriteti kryesor, kulturën do ta udhëheqin njerezit e kulturës. Dyert e kësaj Ministrie janë të hapura për njerëzit që e njohin kulturën. Ne jemi duke punuar bashkë me përfaqësues të Skenës së Pavarur që të krijojmë një kalendar të përbashkët kulturor me Rajonin, ku përfshihen: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, po punojmë që të kemi aktivitete vjetore dhe për këtë projekt jemi duke menduar në posedimin e një fondi të veçantë.
KultPlus: Poashtu një ndihmesë e madhe për Skenën e Pavarur është edhe implementimi i Ligjit për Sponsorizim, sa do të punoni në këtë drejtim?
Kujtim Gashi: Ne e kemi ligjin, por nuk e kemi të implementuar, gjatë hartimit të ligjit ka pasë nevojë që të involvohen edhe akterë të tjerë, si psh ata të ATK-së, institucion ky që do të duhej ti lironte bizneset nga taksat nëse do të ndihmonin aktivitetet kulturore, dhe kjo nuk ka ndodhur. Unë kam kërkuar nga administrata që të punojnë në aktet nënligjore të cilat do të bënin të mundur implementimin e këtij ligji, besoj që për një kohë të shkurtë do ta kemi të kryer.
KultPlus: Sa do të luftoni që kultura të ketë vëmendje më të madhe në Qeverinë e Kosovës, nëse i referohemi buxhetit?
Kujtim Gashi: Unë në diskutimet që kemi pasë në Qeveri, kam kërkuar rritje për kulturën, e di që të gjitha Ministritë kanë shkurtime të buxhetit, për shkak të kërkesës nga Fondi Monetar, por në atë që do të kem kujdes është rritja e buxhetit për subvencione, mjete këto që do të shkojnë për Skenën e Pavarur, sepse kultura në Kosovë po bëhet nga Skena e Pavarur, jam këmbëngulës që të ketë rritje në këtë drejtim, dhe do të jetë një rritje më e madhe se sa ka qenë më herët. Në Kosovë ka shumë organizata të cilat themelohen për një projekt dhe shuhen, prandaj nuk jam idhtar të mbështesë projekte aty për aty, sepse tashmë është krijuar edhe një traditë e disa institucioneve të qëndrueshme, dhe është mirë te fokusohemi te kjo pjesë.
KultPlus: Po e mbyllim me një pyetje tjetër të famshme, gati sa ajo e Shtëpisë së Operës, secili ministër ka premtuar edhe kthimin e artefakteve nga Serbia, por që nuk ka ndodhur, ju si ministër i ri i MKRS-së, çfarë do të bëni në këtë drejtim?
Kujtim Gashi: Ka pasë shumë arsyetime të ndryshme në këtë pikë, unë edhe në takimin e ministrave që po planifikohet të mbahet, kam propozuar që të ftohet edhe ministri serb, që të ulemi në tavolinë dhe të bisedojmë. Nuk premtoj që do të mund të realizoj kthimin, por atë që e premtoj është që do të angazhohem maksimalisht, nëse është nevoja edhe të shkoj në Beograd. E di që është çështje politike, e di që edhe kemi me pasë probleme, pasi që mund të kemi edhe artefakte të humbura e të dëmtuara, por do të mundohem të shfrytëzoj edhe faktorin ndërkombëtar që me lëvizë diçka në këtë drejtim. Edhe besoj që nga faza tjetër e negociatave të Kosovës që i ka me Serbinë, e që pritet të jenë negociata të finalizuara, unë do të ngris këtë çështje edhe me Qeverinë, që kushdo që ka me marë pjesë në këto negociata, me e ngritë këtë çështje në mënyrë zyrtare, të dokumentohet dhe të arrihet edhe marrëveshja për kthimin e artefakteve në Kosovë. /KultPlus.com