22 Qershor, 2018 - 2:00 pm
Një intervistë me Walter Siti
Flet shkrimtari, që sapo ka nxjerrë në botim librin “Pagare o non pagare”.
“Po përjetojmë një frakturë gjithnjë e në rritje midis losers dhe winners, do të jetë gjithnjë e më e vështirë që ta riparojmë”.
“Pa njohur çmimin e vërtetë të gjërave, do të përfundojmë duke mos njohur më as vetëveten”. Është ky opinioni i kritikut letrar, pedagogut universitar dhe shkrimtarit Walter Siti, i cili sapo nxjerrë në botim librin “Pagare o non pagare” (Botimet Nottetempo), ku tregon vizionin e tij për raportin tonë me paratë, vështirësitë e riteve të kalimit në moshën e rritur dhe se çfarë mendon për krizën, jo vetëm ekonomike, por edhe sociale e politiko – institucionale.
Pse në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë fjala “të paguash” mund të ngjallte ndjesi positive, ndërsa sot merr një farë konotacionu të zymtë?
Nuk e di nëse ngjallte ndjesi pozitive për këdo, por sigurisht që ngjallte për një klasë shoqërore në mënyrë të veçantë: proletariatin, që në ato vite po përjetonte ngritjen e tij. Kushdo, si puna ime, që në 1968 ishte në të 20-at ishte i bindur se situate do të ishte më e mirë se ajo e prindërve të vet. Sigurimi i një posti me përgjegjësi dhe i një rroge që të garantonte pavarësi ekonomike shërbente për të afirmuar një kapërcim të vogël klasor, ama përbente një rit kalimi në moshën e rritur. E gjitha kjo, qysh kur ashensori social ka pushuar së funksionuari, nuk ekziston më. Në gjendjen aktuale, vendi ynë ndjehet i rënduar nga një borxh që, duke u ankuar çdo ditë, shitet si mëkat kapital. Veç kësaj, korrupsioni – që ka ekzistuar gjithmonë, por për të cilin ka nisur të flitet më shumë nga vitet Tetëdhjetë – ka treguar sesa rrënjët e tij kanë qenë të penetruara në klasën drejtuese e vendit tonë. Fjala “të paguash” është bërë sinonim i “bakshishit”. Fjala “të paguash” të bën të mendosh se ai që hap portofolin është gjithmonë ai që nuk do të duhej.
Ju sapo keni folur për hyrjen në moshën e rritur: çfarë diference shikoni midis të rinjve të bumit ekonomik dhe atyre të sotëm?
Në vitet Gjashtëdhjetë, një 30 vjeçar ishte një i rritur i formuar, me një stabilitet familjar dhe pune. Bëhej fjalë për persona që qenë shkëputur nga prindërit për të ndërmarrë një rrugëtim jete të pavarur. Kurse në ditët e sotme 30 – 35 vjeçarët konsiderohen akoma si kalamaj. Patjetër, kjo i detyrohet plakjes së popullsisë, faktit që papunësia dhe përkohshmëria i pengojnë të rinjtë në projektet e jetës familjare. Jo rastësisht, edhe mosha e mëmësisë është spostuar: nëqoftëse do të përdornim akoma gjuhën e viteve Gjashtëdhjetë, pjesa më e madhe e mamave të sotme do të ishite “primipare attempate“. Kam edhe përshtypjen se tashmë gjithçka është kalamanizuar: rrjetet sociale dhe kultura që transportohet nëpërmjet media të reja tentojnë ndaj menjëhershmërisë dhe thjeshtëzimit, dy tipare të lidhura më shumë me moshën fëminore sesa me atë të rritur. Ndjesia ime si 70 vjeçar është se ritet e kalimit në moshën e rritur kanë marrë vlerë më shumë individuale sesa breznore.
Pse sot është bërë kaq e vështirë të përcaktohet çmimi i gjërave?
Konsumizmi gëlues i viteve Tetëdhjetë e Nëntëdhjetë dhe shoqëria e spektaklit kishin prodhuar një iluzion të madh: mendonim se mund të blenim në pafundësi, se gjithçka e kishim në pëllëmbë të dorës. Kjo ëndërr pafundësia ka ardhur duke u ndeshur me krizën ekonomike: paratë, mbi të gjitha për klasat shoqërore që do të tentonin kapërcimin, nuk ekzistojnë më. Atëhere e gjitha kjo kërkohet që të zbutet me kërkimin e dhuratave, promocioneve, zbritjeve. Lejtmotivi i reklamave ka mbetur njëlloj: “Dëshiro pafundësinë”, na thonë. Por sot kjo pafundësi është e pakapshme, shikohet në mënyrë ireale dhe çmimet janë bërë të paqartë. Në kohën time, ishte akoma e vlefshme ideja marksiste sipas së cilës çmimi i një gjëje përcaktohej mbi bazën e sasisë së punës së bërë për ta prodhuar. Karshi vlerës së përdorimit, sot vlen më shumë vlera e shkëmbimit, statusi i garantuar nga ai objekt i caktuar. Kësaj i shtohet fakti që produktet realizohen në vende që nuk i njohim, nga njerëz që nuk i njohim, në kushte shfrytëzimi, ndoshta duke shkaktuar dëme ekologjike në vende që duhen ruajtur. Për shembull, dëmi mjedisor duhet të përfshihet kur caktohet çmimi i produktit. Deduktojmë sesa është e vështirë të llogaritet çmimi i vërtetë i gjërave në gjendjen aktuale. Dhe kam frikë se kur nuk njihet çmimi i vërtetë i gjërave që na rrethojnë, në fund nuk arrihet që të njihet më as vlera e vetes tonë.
Ju keni përdorur fjalën “krizë” duke ju referuar aspektit ekonomik, por asnjëherë si në këtë moment historik termi të sjell në mendje situatën politiko – institucionale. Çfarë mendoni për fazën që po kalon vendi jonë?
Besoj se kriza politiko – institucionale nuk është gjë tjetër veçse simptoma e një sëmundjeje më të thellë, efektet e të cilës do të vazhdojnë që të ndjehen. Është përhapur një koncept i çuditshëm transparence: ato që e përhapin janë madje manovrat e pallatit, proverbialisht sekrete. Nëqoftëse gjithçka bëhet publike, përfshi paktet historikisht të heshtur, ekziston rreziku që çdo gjë të përfundojë duke u konsideruar “pazar” dhe që askush nuk do të dojë të damkoset si ai që i ka ceduar kompromist. Është një shtëpi prej xhami që nuk mund të ndërtohet. Kam përshtypjen bile që deri të majtat europiane po bëjnë një përpjekje me qëllim që oligarkia financiare ta pengojë rebelimin e masave. Është sikur demokracia të kishte humbur terren në mënyrë graduale: nga njëra anë është oligarkia financiare botërore, nga ana tjetër kush vihet në krye të masave, të treguar si “popull”. Në këtë kontrast, sistemi demokratik – që do të parashikonte praninë e individëve të informuar, në gjendje që të ushtrojnë të drejtën e votës dhe të përcaktojnë – nuk ka sesi të mos jetë në krizë.
Në finalen e “Pagare o non pagare” përshkruhet një ndarje midis elitave dominuese dhe popullit. Sa e pasqyron këtë imazh situata aktuale?
Finalja ime është një element distopik, provokues. Gjithsesi, mendoj se hendeku midis të pasurve e të varfërve në Perëndim po vjen duke u zgjeruar tashmë prej 20 vitesh, në mënyrë të pavarur nga qeveritë e veçanta e shteteve të veçantë. Për të përdorur një amerikanizëm, jetojmë një frakturë të në rritje midis losers dhe winners, midis atyre që qëndrojnë sipër dhe tyre që qëndrojnë poshtë. Dhe, dora dorës, do të bëhet e pamundur që të gjendet një pikë kontakti mdisi dy botëve. Disa ditë më parë, më ka rënë në dorë një artikull interesant lidhur me kufijtë e inxhinierisë gjenetike: lexoja se, falë dijeve gjithnjë e më të mëdha lidhur me strukturën e AND-së, mund të kushtëzoheshin deri karakteristikat e të lindurve. Kush do të donte, me pagesë, mund të zgjidhte ngjyrën e flokëve, të syve, gjatësinë dhe deri koeficentin intelektual të fëmijës. Sikur kjo perspektivë shqetësuese të bëhej realitet, atëhere do të mund të postulonim deri lindjen e dy racave: nga njëra anë, një super – racë të gjatësh, të bukurish e inteligjentësh dhe nga një tjetër të shkurtërish, të shëmtuarish dhe paksa budallenjsh, ndoshta të ngarkuar më punë skllavëruese. Në këtë kuptim, frika e distopisë nuk është edhe aq e pavend.
(nga HuffPost)/bota.al