17 Qershor, 2019 - 9:22 pm
Bisedë me përkthyesin e nderuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe me Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015), Romeo Çollaku
Letërsia e shkruar brenda shtetit shqiptar ashtu dhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte. Është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar…
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Shtysat drejt përkthimit, ashtu si drejt letërsisë në përgjithësi, mund të jenë vetëm pjesërisht të ndriçueshme. Ndoshta temperamenti, ndoshta një ndjeshmëri jo e zakontë gjuhësore, ndoshta biblioteka e babait, ndoshta ndonjë gen, ndoshta një aksident i rëndë në muajt e parë dhe të pavetëdijshëm të jetës, ndoshta natyra përreth, ndoshta një përzierje e rastësishme e të gjitha këtyre. Kam filluar të merrem me përkthime në moshë shumë të hershme, do të kem qenë te 13-14 vjeç. Kisha hedhur, ndërkaq, në letër vargëzimet e mi të parë dhe, në të njëjtën kohë, nëpërmjet leximeve, vura re se disa nga poetët tanë të shquar, si Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ismail Kadare apo Dritëro Agolli, lëvronin edhe përkthimin. Kaq, besoj, se do të më jetë dashur që të më shkrepte ideja se një poet i vërtetë, përveçse të shkruajë vetë, duhet të merret paralelisht edhe me përkthime. Kështu, me atë pak frëngjishte që mësoja në shkollë dhe me ata tmerrësisht pak tekste të huaj që qarkullonin në Shqipërinë e asaj kohe, fillova të përkthej ndonjë poezi të Victor Hugo-it, Gérard de Nerval-it apo Jacques Prevert-it.
Përpiqem t’i qëndroj sa më besnik origjinalit, mundësisht në të gjithë aspektet. Pra, jo vetëm në përcjelljen e kuptimit të frazës, por edhe të tonit të zërit që e shpreh këtë frazë. Mendoj se “tradhtia” më e madhe që mund t’i bëhet nga përkthyesi një poezie a proze, është mosrespektimi apo nënvleftësimi i këtij të dytit, tonit të zërit, sepse, ndryshe nga tekstet e natyrave të tjera, për tekstin letrar është tepër e rëndësishme kjo përmasë, që jemi mësuar ta quajmë stil.
Se sa është i mundur një përkthim, kjo varet, përgjithësisht, nga aftësitë e përkthyesit, nga dhuntia dhe përvoja e tij. Megjithatë, ka tekste, sidomos poezi, që refuzojnë t’u dorëzohen gjer dhe zejtarëve më të regjur të fushës. Si të tilla, mund të përmendim nga letërsia botërore poezitë e francezit Jean Racine, anglezit John Keats apo irlandezit Ë. B. Yeats. Kurse nga letërsia jonë, më i paepuri ndaj përkthimit në greqisht, meqë po flasim për këtë gjuhë, por edhe në çdo gjuhë tjetër, mbetet, pa dyshim, Lasgush Poradeci, përkthimin e të cilit pakkujt i lejohet ta guxojë. Personalisht, kam guxuar jo rrallë të merrem me tekste të vështirë, madje mund të them se një tekst i tillë më grish shumë më tepër se tjetri, i thjeshti. Shpresoj se ia kam arritur deri diku të sjell në shqip poetë jashtëzakonisht kokëfortë ndaj përkthimit, si Villon, Mallarmé, Solomos, Elitis apo Mickieëicz. Kurse, nga shqipja në greqisht, nuk e kam arritur të njëjtën gjë dhe, ç’është e vërteta, as e kam synuar. Ngaqë nuk kam patur ndonjëherë të njëjtat “ambicie” në lidhje me greqishten.
Unë do të thosha me njohuri jo thjesht të përgjithshme, por të thella letrare. Kam bindjen se dikush që nuk e ka letërsinë ndër interesat e tij parësorë në jetë, është në rastin më të mirë e kotë dhe në rastin më të keq e dëmshme t’i futet përkthimit letrar. E dëmshme ndoshta jo për atë vetë, por për të gjithë ne të tjerët. Kurse, për sa i përket njohjes së dy gjuhëve, kushti numër një për çdo përkthyes është të jetë zotërues shumë i mirë, i shkëlqyer, i gjuhës së tij, pra i gjuhës në të cilën përkthen. Duhet të gëzojë një ndjeshmëri tepër të lartë të kësaj gjuhe dhe t’ia njohë mirë mundësitë, pasurinë, jo vetëm leksikore, por, mbi të gjitha, atë plastike.
Këtë mund të na e thoshte më mirë një përkthyes i huaj i letërsisë shqipe, për shembull z. Hans-Joachim Lanksch. Mua nuk më pengojnë dialektet të shijoj me të njëjtin intensitet një poezi të Lasgush Poradecit dhe një tjetër të Ndre Mjedës, apo “Tregtarin e flamujve” të Koliqit dhe “E madhe është gjëma e mëkatit” të Kutelit. Nëse më duhet të zgjedh për të përkthyer një tekst të letërsisë shqipe në greqisht, nuk nisem nga dialekti në të cilin është shkruar, por vetëm nga ndikimi që ushtron tek unë ky tekst.
Besoj se njihet kënaqshëm, por, natyrisht, jo mjaftueshëm. Kontaktet më të hershëm të lexuesit grek me letërsinë shqipe datojnë këtu e gati një shekull më parë. Qysh prej atyre kohëve, domethënë në vitete ’30 të shekullit të kaluar, njëra prej revistave më të rëndësishme letrare greke, dhe më jetëgjata, pasi vazhdon të qarkullojë edhe sot, Nea Hestia, botonte herë pas here në faqet e saj përkthime të letërsisë shqipe, si edhe ese e studime rreth zhvillimeve gjuhësorë, kulturorë e letrarë të Shqipërisë së asaj periudhe. Në numrat e atëhershëm të revistës hasim krijime nga emra të rëndësishëm, të cilët asokohe sapo ishin shfaqur në skenën tonë letrare, poezi të Lasgush Poradecit, tregime të Ernest Koliqit, shkrime rreth Migjenit, etj. Më vonë shënohet një hark i zbrazët në këtë drejtim, kryesisht për shkak se, duke filluar prej pushtimit fashist të Shqipërisë e deri te junta ushtarake greke, pra për më tepër se tri dekada rresht, jo vetëm marrëdhëniet politike, por edhe ato shpirtërore, mes dy vendeve kishin ngrirë krejtësisht. Vetëm në vitet ’80 fillon një periudhë e dytë, pa dyshim më e begatë kjo, e pranisë shqiptare në tregun e librit grek. Doemos, personaliteti më i spikatur i kësaj pranie është Ismail Kadare, pothuajse çdo libër i të cilit përkthehet e lexohet gjerësisht edhe në greqisht. Veç veprës së Kadaresë, ndeshen vazhdimisht nëpër raftet e librarive greke edhe libra të tjerë të përkthyer nga shqipja, kryesisht romane, nga Dritëro Agolli, Mimoza Ahmeti, Ben Blushi, Virion Graçi, Fatos Kongoli, Koço Kosta, Besnik Mustafaj, Rexhep Qosja me “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, e të tjerë. Kurse poezia gjendet e përfaqësuar më së shumti në dy antologji, një përzgjedhje me autorë shqiptarë të post-diktaturës dhe një tjetër me autorë ballkanas, ku përfshihen emrat më të njohurë të traditës sonë, ndër të cilët edhe kosovarët Azem Shkreli e Ali Podrimja. Fatlum është fakti që letërsia shqipe gjen në greqisht një numër të konsiderueshëm përkthyesish, madje disa mjaft cilësorë, si Andrea Zarballa, Niko Anagnosti, Konstantina Evanghelou apo Eleana Ziakou. Kjo e fundit ka dhënë këto kohë në gjuhën e saj amtare proza të Ardian Vehbiut dhe pjesë teatrale të Jeton Nezirajt. Ndjesë për emrat e shkrimtarëve dhe përkthyesve që mund të mos kem përmendur, por kjo është thjesht një bisedë dhe jo një studim i hollësishëm.
Në këtë pikë, mund të flas më mirë si shkrimtar, jo vetëm ngaqë, në radhë të parë, ndjehem i tillë dhe pastaj përkthyes. Përderisa letërsia, si brenda shtetit shqiptar ashtu edhe në trojet e Kosovës, është shkruar dhe shkruhet në të njëjtën gjuhë dhe në një hapësirë gjeografikisht kompakte, është e pamundur të vëmë re ndonjë dallim shumë rrënjësor mes të dyjave. Është pothuajse njëlloj si në rastin e letërsisë greke dhe asaj qipriote. Dhe besoj se kështu duhet ta shohim letërsinë shqipe, si një të vetme, dhe jo për hir të një qëndrimi kombëtarist, por ngaqë një qasje tjetër duket filologjikisht e gabuar. Patjetër që ka edhe dallime, por bëhet fjalë për dallime që do të haseshin natyrshëm brendapërbrenda një letërsie të çfarëdolloj gjuhe. Dallime që kanë të bëjnë, për shembull, me vendin që ka arritur të zërë standardi i shqipes në Kosovë, me masën deri në të cilën është përthithur ky atje, apo me ndikimet e huaja që janë ushtruar në njërin territor dhe në tjetrin. Ndoshta edhe me tematikën, por kësi dallimesh i gjejmë edhe në autorë që kanë jetuar përjetësisht në të njëjtin qytet. Po kështu, dihet që, qoftë edhe brendapërbrenda territorit të Shqipërisë, standardi gjuhësor nuk është përqafuar njëlloj si në Shkodër edhe, fjala vjen, në Gjirokastër.
Ne kemi patur një traditë mjaft të shëndetshme përkthimi, kujdesi i sotshëm që tregohet ndaj vazhdimësisë së së cilës, për fat shumë të keq, lë për të dëshiruar. Vërejmë se një sërë kryeveprash të thesarit letrar botëror po vijnë, së fundi, në shqip të përçudnuara, gjë që më duket një dëm i jashtëzakonshëm dhe i vështirë për t’u riparuar. Duke i lënë mënjanë paragjykimet partiakë, nuk mund ta mohojmë se ish-ministrja e kulturës së Shqipërisë, zonja Kumbaro, ndërmori, gjatë mandateve të saj, një nismë të admirueshme për t’i vënë një pritë kësaj përmbytjeje shkatërrimtare duke kurajuar përkthimet cilësorë. Po këtë bëjnë edhe çmimet letrarë të përkthimit, si shtetërori ashtu edhe ndonjë privat, megjithatë zgjidhja e kësaj çështjeje mbetet gjithnjë në dorën e botuesve.
Unë, më tepër, jam i përqendruar te shqipja, në kuptimin që kjo është gjuha në të cilën shkruaj dhe përkthej më së shumti, ky është trualli ku ndjehem më i sigurt dhe më i fortë. Kam dhënë jo pak libra nga letërsia greke në shqip, kurse, përkthyer prej meje nga shqipja në greqisht, kanë parë dritën e botimit, deri tani, vetëm një libër dhe disa cikle poetikë nëpër revista letrare të Athinës dhe Selanikut. Jam shumë i kënaqur që libri, për të cilin po flas dhe që e përmenda edhe pak më lart, një antologji e poezisë së re shqipe, e botuar para dhjetë vjetësh nga një shtëpi botuese mjaft cilësore e Athinës, u prit shumë mirë prej lexuesit grek. Në gazeta serioze dhe të mirënjohura, si Kathimerini apo Avgi, u shprehën rreth saj me fjalët më të mira emra të rëndësishëm të letërsisë së sotme greke, si Pandelis Bukalas apo Jorgos Blanas. Lexues të kësaj antologjie më dërguan mesazhe përshëndetës, mes të cilëve edhe letra e një tjetër emri me mjaft peshë në mjedisin letrar të Greqisë së sotme, poetes dhe përkthyeses Xheni Mastoraqi, që, deri atëherë, unë vetëm veprën i njihja, kurse ajo nuk më njihte fare. Tani, jam duke u marrë me korrigjimet e fundit në përkthimin e veprës së plotë tregimtare të njërit prej prozatorëve më të mëdhenj europianë të shekullit XX, polakut Bruno Schulz. Kështu që, në këtë çast, e kufizuar koha për lexime shkrimtarësh të tjerë.
Romeo Çollaku (Sarandë, 1973) ka studiuar gjuhë-letërsi shqipe pranë Universitetit Eqrem Çabej të Gjirokastrës. Ka botuar pesë libra me poezi, tre në prozë dhe mbi njëzet të tjerë me përkthime nga letërsitë greke, franceze dhe polake, ku përfshihen autorë si Ricos, Verlaine, Mallarmé, Nerval, Euripidi, Kazanxaqis, Elitis, Claudel, Lautréamont, Herbert, Kavafis, Seferis, Schulz, Villon, etj. Është vlerësuar me Çmimin Kombëtar të tregimit (2010) dhe Çmimin Kombëtar të përkthimit (2007, 2015). Romani i tij “Mjaltë në teh” ishte kandidat për European Prize For Literature. Pjesë nga krijimtaria e Çollakut janë botuar nëpër antologji dhe revista letrare në gjuhët anglisht, bullgarisht, frëngjisht, greqisht, gjermanisht, italisht dhe rumanisht./KultPlus.com